Një grua e jashtëzakonshme që sfidon mynxyrën

20 shtator 2023 | 08:54

Nga: Josif Papagjoni

…Dje ishte një ditë krejt e veçantë për mua, mbushur me një emocion të rëndë, të patreguar. Shkuam në një shtëpi, te një grua, te një nënë, Ferdonije Qerkezi quhet, në Gjakovë të Kosovës. Tragjedia dhe qëndresa rrinin te kjo grua e heshtur, fisnike, që kishte humbur brenda një dite të shoqin dhe katër djem. Pesë vetë. Pesë vdekje a të humbur. Ia kishin marrë milicët serbë në mars të vitit 1999. Njëzet e katër vjet kjo grua pret një lajm, një shenjë jetë, një shpresë.

Ku janë ata, të dashurit e saj? I kanë vrarë, i kanë djegur, kanë hapur një gropë diku, i kanë hedhur aty dhe i kanë zhdukur?

Dy djemtë e rritur, porsa ishin martuar. Ajo kërkon pesë varre, që të derdh lot mbi dheun e shkrifët, të qajë, t’u flasë në emër, t’i ketë pranë. Por, ata janë të munguarit e saj të mëdhenj. Jo vetëm të nënë Ferdonijes, por të krejt Kosovës. Janë të munguarit tanë. Sepse, dhembja e saj është përtej një rasti, madje përtej dramatikes. Dhembje tragjike sa dhe stoike. E pakonceptueshme për një jetë normale.

Rrallë të gjesh gra të tilla me një stoicizëm të tillë të paparë si në gjëmat e tragjedive.

Tek ishim te Ferdonija, në shtëpinë e saj, e mbushur krejt me fotografi të njerëzve të humbur, shumë syresh të ikur nga kjo jetë, të zhdukur, të masakruar nga policia serbe, mua m’u mbush zemra, u preka dhe kujtova vajtimet e gjyshes sime, Agustellës, e cila vajtojte tre të vdekurit e saj, burrin dhe dy djemtë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, dhembja e nënë Ferdonijes kishte mbetur brenda heshtjes së saj. Një heshtje që të gërricte e prekte më shumë se kuja, se lotët, se vajtimet me bote.

Fati i zi i nënë Ferdonijes është pengu i madh i kohës, është theroria e lirisë së Kosovës, është akuza e hapur, e pamëshirshme kundër gjenocidit serb dhe veprimeve mizore të policisë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shkrimtari Ag Apolloni ka shkruar dhe një roman për këtë grua dhe fatin e saj. Por, unë mendoj se ajo është përtej një rrëfimi. Sikur një kineast i shquar të njihej me këtë histori rrëqethëse, nuk do të kishte akuzë më domethënëse, më shprehëse për krimet serbe sesa historia e saj. Historia e një gruaje që e mban dhimbjen thellë trupit, edhe pse e sëmurë; e një gruaje që është përtej baladave dhe vargjeve mallëngjyese të çdo poeti a poezie. Një monument i gjallë i dhembjes, sa dhe i krenarisë.

U preka jashtë mase nga dhembja jote nënë Ferdonije! Unë do doja që këtë shkrim miqtë e mi ta shpërndanin. Kjo grua e jashtëzakonshme meriton respektin e një populli të tërë, respektin e njerëzve që e duan dhe e mbrojnë jetën, nuk e masakrojnë atë. Respektin e vetë botës …

Ferdonije Qerkezi (foton: A. Korenica)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës e ka…