Një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare

22 tetor 2023 | 18:53

(Recension i librit “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991”)

ARTIM Ahmetaj

Libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991” është një shembull i jashtëzakonshëm i dokumentimit të një periudhe të rëndësishme në historinë e Kosovës dhe të angazhimit vullnetar të qytetarëve të saj, për të zhdukur gjakmarrjen dhe për të ndihmuar në procesin e pajtimit shoqëror.
Autori, Lulëzim Etemaj, një prej pesë të rinjëve, ish- të burgosur politikë, studentë nismëtarë të kësaj lëvizjeje, ka sjellë në dritë të diturive të publikut një histori të mrekullueshme të angazhimit të tyre për të sjellë një ndryshim të madh te shqiptarët në Kosovë. Me një shkrim të qartë dhe të përkushtuar, ai ka dokumentuar veprimtarinë e grupit nismëtarë dhe të gjithë Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresa si dhe ndikimin e tyre në zhdukjen gradualisht të gjakmarrjes, një plagë e vjetër në historinë e popullit shqiptar.
Një aspekt thelbësor i këtij libri është dokumentimi i veprimtarisë së Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, duke përdorur dokumente autentike dhe foto që i japin lexuesit një pamje të hollësishme të ngjarjeve dhe individëve të përfshirë. Ky dokumentim është i rëndësishëm për të ndihmuar të kuptohet ndikimi, shkalla e shtrirjes dhe përfshirjes së kësaj lëvizjeje në tërësi si dhe rezultati që arriti ajo në periudhën njëvjeçare të veprimit, shkurt 1990-shkurt 1991: falja e 1169 gjaqeve, 477 plagosjeve dhe 865 ngatërresave.
Libri është i strukturuar mirë me shtatë kapituj, të cilët ndjekin kronologjinë e ngjarjeve dhe ofrojnë një pasqyrë të gjerë të periudhës. Këto kapituj përfshijnë detaje mbi historikun e gjakmarrjes, demonstratat paraprijëse të aksionit për pajtimin e gjaqeve, fillimet e detajuara të këtij aksioni, kuvendet dhe rezultatet e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, si dhe rolin e figurave të dalluara si Adem Demaçi, përmes romanit “Gjarpijt e gjakut” si dhe motos së tij kushtrimtare “Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit”, Anton Çetta, Zekeria Cana dhe personalitete tjera të veçanta në këtë proces. Vend qendror në libër zë bujaria, humanizmi, ndjenja e theksuar dhe përgjegjësia e lartë kombëtare që tregojnë personat që i përgjigjen pozitivisht thirrjes së pajtimtarëve dhe falin gjaqe, plagë dhe ngatërresa pa ndonjë imponim e pa asnjë kompesim të vetëm, në emër të Kosovës, flamurit, gjakut të dëshmorëve dhe të ardhmes më të mirë të saj. Prandaj janë të pashmangshme për autorin ndjenjat dedikuese në adresë të këtyre familjeve si dhe të mijëra vullnetarëve që kontribuan në rezultatet pozitive të kësaj lëvizjeje, unike në gjithë historinë e kombit shqiptar.
Një tjetër element i rëndësishëm është që libri jep një kontekst të gjerë për kohën kur ndodhi kjo lëvizje. Autori e paraqet Kosovën nën një shtetrrethim të ashpër policor dhe ushtarak nga Serbia dhe përcjell ndjenjat e nevojës për ndryshim dhe për një luftë të përbashkët për lirinë dhe drejtësinë. Në këtë aspekt, e cilëson me të drejtë faljen e gjaqeve dhe pajtimin ndërshqiptarë si një parakusht të domodsoshëm, realizimi i të cilit i parapriu Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj çlirim dhe pavarësimsjellëse të Kosovës.
Në përfundim, libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991” është një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare dhe një burim i pasur i informacionit për ata që dëshirojnë të kuptojnë më mirë ngjarjet dhe sfidat e kohës në Kosovë në fillim të viteve 1990. Ky libër është një mënyrë e shkëlqyer për të dokumentuar dhe përjetuar një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe angazhimit të qytetarëve të saj, posaçërisht të rinisë, dhe atë pa dallime gjinore, për të ndryshuar fatin e tyre, të shoqërisë dhe vendit të tyre.
Libri i ka 272 faqe dhe është botuar në Prishtinë nga shtëpia e njohur botuese, “Armagedoni”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rron Gjinovci, i cili provon të interesohet për çështje të…