Një letër për mikun tim në një burg të Moskës

01 maj 2023 | 08:30

Nga: Polina Ivanova / The Financial Times

Duhen 20 rubla për një faqe për t’i shkruar mikut tim më të mirë, 65 për zarfin, 75 të tjera që ai ta ketë mundësinë për t’u përgjigjur. Muajin e kaluar ne bisedonim në një plazh. Tashti janë letrat për në burgun e Lefortovës dhe një lutje e qetë që ai së shpejti t’i pranojë ato.

Evan Gershkovich, gazetari amerikan i [ditores] Wall Street Journal, u arrestua në Rusi më 29 mars dhe u çua në një burg të Moskës. Mund ta shkruaja 100 herë atë fjali dhe nuk do të më dukej më pak absurde. Evani është marrë peng nga shteti rus. Spiunazhi: ky është arsyetimi që jep për dërgimin e një grupi banditësh me rroba civile, për ta kapur mikun tonë të hareshëm dhe për ta futur me thes në kokë në një makinë; kjo është arsyeja se pse ai tashti është i detyruar që të rri ulur në një qeli, i bllokuar, i vetmuar dhe duke pritur.

Si një kapitull tjetër i rrëfimit të tij, duket të jetë mizor. Për vite të tëra duke raportuar nga Rusia, Evani e krijoi kronikën e një vendi që po zbriste në errësirë dhe në absurditet me hapin gjithnjë e më të përshpejtuar. Mbërriti në Moskë në fund të vitit 2017, pikërisht në kohën e duhur për ta parë rizgjedhjen e Vladimir Putinit dhe katrahurën e tij më të madhe deri sot. Shkova në të njëjtën kohë, për ta filluar punën time të parë si reportere nga terreni.

Të gjithë ne u rritëm larg Rusisë, por e flisnim gjuhën [ruse] në shtëpi. Të lidhur me vendin në mënyrat tona të ndërlikuara, ishim të vetëdijshëm për të kaluarën e tij të dhimbshme, por shpresonim, në një mënyrë apo tjetër, për të ardhmen e tij [të Rusisë]. Me dy shokë të tjerë i ndoqëm të njëjtat ngjarje, mësuam si ta kryejmë punën. Evani e do gazetarinë jo vetëm si profesion, por si zanat. I citonte emrat e autorëve të mëdhenj të revistave, i njihte artikujt e tyre më të mirë që u shkruan dekada më parë, e që ne nxitonim t’i gjenim.

Në Moskë errësira ishte e pranishme që në fillim dhe shpejt ajo u bë normale. Një nga herët e para që takova Evanin ishte gjatë një mbrëmjeje të organizuar nga gazetarët rusë, në një bar të vogël në një bodrum; DJ ishte një reportere që sapo e kishte marrë veten nga goditja me thikë në qafë – nga një sulmues në studion e saj të radios.

Fundjavat e verës u kaluan duke i mbuluar protestat e rregullta masive që përmbytën rrugët e Moskës, duke parë sesi policia e trazirave rrihte adoleshentët, ndërsa moskovitët e pasur derdhnin aperolët në tarracat e restoranteve aty pranë. Si do të luajmë sot futboll, u ankua Evani pas një demonstrate. Lojtari më i mirë i ekipit të tij sapo ishte ndaluar; u hodh në një furgon policie së bashku me një çantë plot me topat e lojës.

Shtypja e opozitës u bë gjithnjë e më sistematike. Zyra e Alexei Navalnyt u bastis aq shpesh saqë Evan e shkroi një artikull për derën e tij të përparme, të thyer aq shumë nga policia saqë mezi mbyllej. “Dera e përparme e kritikut të Kremlinit, Navalnyt, e ka pasur një vit të vështirë”, ishte titulli që mbërthente në një fjali errësirën dhe absurditetin. Gjithnjë e më shumë, gazetarët rusë – shumë prej tyre miq të Evanit – u përballën gjithashtu me forcën brutale të shtetit, të etiketuar si agjentë të huaj, për çfarë u detyruan që të ikin.

Më pas, në një mbrëmje në fillim të shkurtit 2022, u takuam për ta festuar ditëlindjen time. Teksa morëm rrugën për në festë, Evani e lexoi një raport për rrjetin sesi Rusia i lëvizte furnizimet me gjak për trupat që i kishte vendosur rreth kufijve të Ukrainës. Në atë moment e kuptuam se errësira ishte gati të bëhej krejtësisht e plotë dhe kjo shumë shpejt ndodhi.

Edhe pasi filloi pushtimi i Ukrainës, Evani vazhdoi të raportonte nga Rusia, i bindur për detyrën që ka për t’i rrëfyer ngjarjet që pak të tjerë mundeshin. Një vit më vonë e bëri pushimin e tij të parë nga ky mbulim, kur disa prej nesh udhëtuam për në Vietnam. Evani e merr një kopje të madhe të Jetës dhe Fatit të Vasily Grossmanit, duke i lexuar me zë të lartë pasazhet e gjata. E kishte zgjedhur për ta lexuar në plazh, tha ai, sepse mund ta ndihmonte ta kuptonte më mirë luftën. E respektova përkushtimin e tij – në pushime unë doja të shkëputesha nga tmerri që duhej ta përthithnim dhe ta raportonim për çdo ditë. Vë bast se nuk e ka mbaruar, mendova unë, menjëherë pasi ai u arrestua.

Mësuam shpejt se si ta ndihmojmë dikë në burg. Gazetarët dhe aktivistët rusë kanë një përvojë të trishtuar përkitazi me sistemin e burgjeve të vendit, i cili është i dixhitalizuar në mënyrë të frikshme. Me një ndërfaqe miqësore për përdoruesit, mund të porosisim libra për qelitë e Lefortovës, të organizojmë abonime në revista dhe të bëjmë dërgesa të ushqimeve.

Ksenia Mironova, partneri i së cilës – gazetari rus Ivan Safronov – po vuan dënimin me 22 vjet për akuzat për tradhti, na ka mësuar se çfarë mundemi dhe çfarë nuk mundemi të postojmë. Ajo e di që ne mund t’ia dërgojmë Evanit frutat e freskëta, por jo manaferrat; djathë, por jo lëng ose vezë. Mendoj për gëzimin e madh me të cilin Evan – një kuzhinier krenar, tregimtar krenar për kohën që ka kaluar duke punuar në një kuzhinë në Nju Jork – vetëm një muaj ishte i kaptuar fal shijeve të ushqimeve që shërbeheshin në rrugët e Vietnamit.

Tashti jam në Berlin tani. Sistemi hekurudhor zhurmon dhe ulërin, meloditë e zhurmshme të popit dëgjohen nga qebaptoret, por është një heshtje përvëluese në vendet ku dikur i bëja bisedat me Evanin. Më pas, kthehet një letër. Një shënim i shkurtër, i shkruar me dorë, dhe më pas një tjetër ku shkarravitja e tij ruse bëhet gjithnjë e më e rregullt. Në letrat drejtuar miqve, Evani bën shaka, përshkruan detajet e vogla e zbavitëse për jetën në burg, për të na mbajtur të gëzuar. “Të gjithë e keni pasur një rini të bukur në Moskë; askush nuk mund ta marrë atë”, i shkroi nëna ime në një letër. “Jam ende duke shëtitur nëpër Moskë”, u përgjigj Evani, “veçse tash për tash vetëm në një vend”.

U bë një muaj që Evani e kalon kohën në burg. E ka gjetur librin e tij të madh në bibliotekën e burgut dhe e ka lexuar dy herë. Do ta filloj së shpejti, të gjithë ne, një si klub të librave të Evanit. Përkthyesi i tij në anglisht, Robert Chandler, i ka shkruar gjithashtu Evanit. E kemi dërguar atë letër dhe do të dërgojmë shumë të tjera. Njëzet rubla për faqe, 65 për zarfin, 75 të tjera që ai ta ketë mundësinë për t’u përgjigjur. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se forcat e inteligjencës…