Një libër dhuratë për Krishtlindje

03 janar 2024 | 09:10

SELMA LAGERLÖF

Jemi ulur në tryezën e madhe në mbrëmjen e Krishtlindjeve në Mårbacka. Babai në njërin skaj të dhomës, nëna në tjetrin. Xhaxhai Wachenfeldt është aty. Ai ka zënë kryevendin në të djathtë të babit, pastaj tezja Lovisa, Danieli, Anna, Gerda dhe unë. Gerda dhe unë jemi ulur, si gjithmonë, përballë mamit, sepse ne jemi më të vegjlit. Unë mund t’i shoh të gjithë. Ne kemi ngrënë tashmë peshk, qull orizi dhe pasta me gjalpë. Pjatat, lugët, thikat dhe pirunët i kemi larguar, por mbulesa e tavolinës ka mbetur, dy qirinj të bërë nga ne digjen në shandanët e tyre në mes të tryezës dhe rreth tyre qëndrojnë ende kriporja, tasi i sheqerit, mbajtësja e tryezës dhe një kupë e madhe argjendi, e mbushur me birrë. Meqenëse vakti ka mbaruar, ne do të duhej të ngrihemi. Por, jo. Qëndrojmë ulur duke pritur shpërndarjen e dhuratave të Krishtlindjeve. Nuk ka asnjë vend tjetër në këtë zonë ku shpërndahen dhuratat e Krishtlindjeve në tryezën e mbrëmjes pasi ta kesh ngrënë qullin e Krishtlindjes. Por është një zakon i vjetër në Mårbacka, që na pëlqen. Nuk ka asgjë të keqe të qëndrosh dhe të presësh orë pas ore në prag të natës së gjatë të Krishtlindjeve dhe të dish se më e mira ende nuk ka ardhur. Koha kalon ngadalë, shumë ngadalë, por ne jemi të bindur se fëmijët e tjerë, të cilët morën dhuratat e tyre të Krish­tlindjeve në orën shtatë ose tetë, nuk kanë ndierë aspak këtë kënaqësi sa ne tani, kur më në fund ka ardhur çasti aq i pritur. Sytë ndriçojnë, faqet janë të skuqura zjarr, duart dridhen, kur hapet dera nga ato dy vajzat, të cilat janë veshur si cjep të Krish­tlindjeve dhe tërheqin disa shporta të mëdha, të mbushura me pako dhuratash për Krishtlindje, dhe i lëshojnë aty ku është nëna. Pastaj nëna merr paketë pas pakete pa u nxituar shumë. Ajo lexon emrat e marrësve, duke shqiptuar ngadalë emrat me rimat e Krishtlindjeve të shkruara në mënyrë të paqartë dhe shpër­ndan dhuratat e Krishtlindjeve. Ne jemi pothuajse të heshtur në çastet e para derisa grisim mbështjellësit dhe letrën. Por së shpejti njëri pas tjetrit lëshojnë brohoritje të gëzuara. Pastaj flasim, qeshim dhe hulumtojmë shkrimet e dorës dhe krahasojmë dhuratat tona dhe gëzimi ynë ngjitet deri në tavan. Natën e Krishtlindjeve për të cilën tani po mendoj, unë sapo kam mbushur dhjetë vjeç. Jam ulur në tryezën e Krishtlindjeve me pritjen më të padurueshme të mundur. Unë e di shumë mirë se çfarë dua. Nuk janë fustanet e bukura, veshjet ose dantellat, karficat, patinat ose qeset me konfekte, por është diçka krejt tjetër. Dashtë Zoti që dikush të ketë pasur idenë për një dhuratë të tillë. Dhurata e parë e Krishtlindjeve që e heq nga kapaku është një kuti qepëse dhe menjëherë e kuptoj se kjo është nga nëna ime. Ka shumë xhepa të vegjël në të, dhe në to ajo ka vënë letra gjilpërash dhe fije leshi, një kukull prej mëndafshi të zi, dyllë dhe penj. Mami ndoshta dëshiron të më kujtojë se duhet të për­piqem të jem pak më e mirë në qepje dhe të mos mendoj vetëm në lexim. Nga Ana pastaj marr një jastëk të shkëlqyeshëm, të bukur e të vogël, të qëndisur me gjilpërë, i cili përshtatet në një ndarje në kutinë e qepjes. Halla Lovisa më dhuron një unazë të argjendtë, kurse Gerda më ka qëndisur një leckë të vogël, katrore, në mënyrë që tani të mund t’i qëndis vetë çorapet dhe faculetat. Aline dhe Ema Laurell kanë shkuar në shtëpi në Karlstad, por kanë menduar për mua dhe për të gjithë ne për dhurata për Krishtlindje. Nga Aline marr një palë gërshërë qepjeje në një këllëf, që i ka lidhur nyjë me një karavidheje dhe një copë mëndafshi. Ema më dhuron një iriq të vogël prej leshi të kuq, i cili është plot me gjilpëra në vend të gjembave. Këto të gjitha janë gjëra shumë të bukura që m’i kanë dhuruar, por kam filluar të shqetësohem pak. Kam marrë kaq shumë gjëra për qepje. Imagjino sikur të mos marr atë që dua! Shikoni, do t’ju them, se ka një rregull në Mårbacka, që kur të shkosh në shtrat në prag të Krishtlindjeve, duhet të vendosësh një tryezë pranë shtratit dhe të vendosësh një qiri aty, dhe atëherë ke të drejtë të qëndrosh dhe të lexosh për aq kohë sa dëshironi. Dhe kjo është më e mira nga të gjitha kënaqësitë e Krishtlindjeve. Asgjë nuk mund të krahasohet me një libër të ri argëtues si dhuratë e Krishtlindjeve, një libër që nuk e ke parë kurrë më parë dhe që askush tjetër në shtëpi nuk e njeh, dhe kur e di se mund të lexosh secilën faqe, për aq sa mund të qëndrosh zgjuar. Por çfarë duhet të bësh natën e Krishtlindjeve nëse nuk ke marrë dhuratë ndonjë libër për Krishtlindje? Kjo është ajo për të cilën mendoj tani, ndërsa hap, njërën pas tjetrës, pakot me pajisje qepëse. Veshët më nxehen gjithnjë e më shumë. Është padyshim një komplot i vërtetë. Imagjino sikur të mos marr një libër dhuratë për Krishtlindje! Danieli më jep një dorezë të butë me grep, nga Johani marr një hell për lëmshe të vegjël fijesh. Më në fund babai vjen me një dhuratë të madhe, një hark qëndisjeje, të cilin e ka porositur nga marangozi i shkëlqyer në Askersby. Është identik me një të tillë, me të cilin kishin qepur motrat e tij në rininë e tyre, thotë ai. – Ti me siguri do të bëhesh një rrobaqepëse e madhe, ti që ke marrë kaq shumë dhurata të bukura për qepje, thotë nëna. Të tjerët qeshin me të madhe. Me siguri vihet re se unë nuk jam aq e kënaqur me dhuratat e Krishtlindjeve, e ata, mbase, men­dojnë se më kanë bërë një tallje vërtet të mirë.Ndarjes së dhuratave ka filluar t’i vijë fundi, dhe unë tashmë kam marrë të gjitha dhuratat për të cilat mund të shpresoja. Nuk kam asgjë më shumë për të pritur. Halla Lovisa ka marrë një roman dhe dy kalendarë, Svea dhe Nornani dhe unë do t’ i kemi librat prej tyre më vonë, por së pari do t’i lexojë vetë tezja. Po, sigurisht që nuk është një gjë e lehtë të dukesh e lumtur dhe të kesh një fytyrë të qeshur. Kur nëna heq paketën e fundit nga shporta e dhuratave të Krishtlindjeve, unë shoh nga forma që është një libër. Por sigurisht që nuk është për mua. Me siguri kanë rënë dakord që unë të mos marr ndonjë libër. Por pakoja me të vërtetë më adresohet mua, dhe kur e marr në duar, ndiej menjëherë se është libër. Skuqem nga gëzimi dhe me të vërtetë bërtas në padurimin tim për t’i marr gërshërët dhe për t’i prerë penjtë. I shqyej letrën me vrull dhe para meje shfaqet libri më i bukur, një libër përrallash. Këtë mund ta kuptoj nga fotografitë në kapakë. Ndiej që të gjithë në tryezë më shikojnë. Sigurisht ata e dinë që kjo është dhurata ime më e mirë e Krishtlindjeve, e vetmja që vërtet më bën të lumtur. – Çfarë libri ke marrë? – thotë Danieli, duke u përkulur mbi mua. Atëherë unë e hap faqen e parë, ulem dhe shikoj titullin. S’kuptoj asnjë fjalë. – Ta shoh! – thotë ai dhe lexon: “Nouveaux contes de fées pour les petits enfants par Mme la comtesse de Ségur”.Ai e mbyll librin dhe ma jep përsëri. – Është një libër me përralla në frëngjisht, – thotë ai. Tani ke diçka për t’u argëtuar.Unë kam studiuar frëngjisht një semestër për Aline Laurell, por tani kur marr dhe e shfletoj librin, nuk kuptoj asnjë fjalë. Të marrësh dhuratë një libër në frëngjisht është thuajse më keq sesa të mos marrësh fare libër. Është mjaft e vështirë tá për­mbash të qarën. Por, për fat të mirë, brenda në një faqe të librit shoh një ilustrim. Është princesha e vogël, më e adhurueshmja, hipur në një karrocë, të cilën e tërheqin dy strucër dhe në shpi­nën e njërit prej strucëve kalëron një djalosh fisnik me një kapelë të palosur dhe një xhaketë të qëndisur. Vetë princesha mban mëngë të gjera të fryra dhe një jakë të fryrë në qafë. Strucat kanë kapela me pendë të larta në kokë dhe rripat e pëlhurës me zin­xhirë të gjerë prej ari. Nuk mund të shihje gjë tjetër më argë­tuese. Ndërsa shfletoj më tutje, gjej një mori portretesh të prin­ceshave krenare, të mbretërve madhështorë, të kalorësve fisnikë, të zanave të lavdishme, magjistarëve të neveritshëm, kështjellave të mrekullueshme përrallore. Nuk është një libër për të cilin duhet qarë, ndonëse është në frëngjisht. Gjatë gjithë natës së Krishtlindjeve qëndroj zgjuar dhe shikoj fotografitë, veçan të parën, atë me strucat. Ajo ofron argëtim të mjaftueshëm për shumë orë. Në ditën e Krishtlindjeve, meqë kemi qenë në meshën e Krishtlindjeve, unë marr një fjalor të vogël të frëngjishtes dhe filloj të lexoj frëngjisht. Është vështirë. Unë kam mësuar vetëm metodën e Grönlundit. Nëse në këto përralla do të flitej për “kapelën e vogël të njeriut të madh” ose “ombrellën e gjelbër të marangozit të mirë”, atëherë do ta kuptoja, por si mund ta kuptoj një tekst koherent francez? Libri i përrallave fillon kështu: Il y avait un roi. Çfarë do të thotë kjo? Me siguri më mori një orë kohë derisa arrita të kuptoj se kjo fjalë duhet të përkthehet kështu: “Na ishte një mbret”. Por ilustrimet janë tërheqëse. Më duhet të kuptoj se çfarë për­faqësojnë ato. Mundohem të hamendësoj, kërkoj në fjalor, dhe merrem me secilën fjali, njërën pas tjetrës. Dhe në fund të pushimeve të Krishtlindjeve, nga libri im i vogël e i bukur unë kam mësuar më shumë frëngjisht sesa do të kisha mësuar për disa vjet sipas metodës së Aline Laurellit dhe Grönlundit.

Përktheu nga origjinali: Qerim Raqi. Marrë nga numri 18 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
George Orwell Ndërsa përparimi në Gjermani vazhdon dhe del në…