Një libër shkencor për sigurinë globale

01 shkurt 2024 | 11:26

Nga Mehmet Hajrizi

Recensë për veprën e autores Albulenë Halili, TRANSATLANTIZMI – Bërthama e sigurisë globale

Botimet SYTh, Tetovë 2023

  1. Në vend të hyrjes: Autorja

Dr.Sc Albulenë Halili, e doktoruar në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, është bashkëpunëtore shkencore në Institutin Max van der Stoel në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ajo drejton Ekipin e Kërkimor për Edukim mediatik dhe dezinformim që funksionon në kuadër të këtij instituti.

Pas librit të parë  Rendi i Versajës: Bërja e një bote të brishtë (2020), vjen para lexuesit me veprën tjetër Transatlantizmi, Bërthama e sigurisë globale (2023). Ka shkruar dhjetëra kumtesa shkencore, artikuj studiues, ka bërë intervista hulumtuese, vizita studimore etj. Interesi i saj kërkimor është fokusuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, më specifikisht marrëdhëniet transatlantike, luftën hibride, dezinformimin si sfidë e sigurisë dhe gjeopolitikën e Ballkanit.

  1. Libri

Në botën e sotme të trazuar dhe të kërcënuar, studimet  shkencore në fushën e doktrinës së sigurisë globale, paraqesin interes jo vetëm për qarqet akademike, ushtarake e politike, por edhe për lexues të zakonshëm. Vepra e radhës e autores Albulenë Halili përbën kontribut të ri dhe të rëndësishëm për studimet shqiptare në plan të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Me temën e zgjedhur dhe aktuale, me shtjellimin metodologjik shkencor të lëndës, me përfundimet e rezultatet dhe bibliografinë, sa një bibliotekë, të konsultuar gjerësisht, autorja e ka përmbushur objektivin e saj studiues.

  1. Tema

Autorja hyn shpejt në temë dhe nuk e devijon atë gjatë gjithë punimit. Tema e veprës e kthen atë te gjeneza e transatlantizmit dhe   institucionalizimit të tij me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) më 1949.  Në vijim ajo e trajton jetën e kësaj organizate politike-ushtarake nëpër faza të botës moderne, në hark kohor 73 vjetësh, deri te sfidat e saj në mijëvjeçarin e ri. “Sfidat globale nuk mund të përballohen vetëm nga një shtet”, – shkruan me të drejtë autorja.

Tema e transatlantizmit është e rëndësishme, serioze dhe shumë aktuale, por jo shumë e studiuar në botën shqiptare.

  1. Lloji i shkrimit

Libri është studim shkencor, në përmbajtje dhe formë, i bërë me kompetencë profesionale nga autorja, fillimisht si disertacion i vlerësuar doktorate, për ta përshtatur në vepër të mirëfilltë krijuese.

  1. Struktura e veprës

Libri ka titullin e qartë për temën që shtjellon, përmbajtjen, hyrjen dhe ndarjet në kapituj, si: Marrëdhëniet transatlantike gjatë Luftës së Ftohtë; Marrëdhëniet e reja transatlantike; Transatlantizmi dhe Evropa e re; Transatlantizmi në mijëvjeçarin e ri; Përfundimin dhe së fundmi Bibliografinë dhe Shtojcën. Libri ka dhe aparaturën e nevojshme shkencore.

Strukturimi i librit është gjithëpërfshirës për zhvillimet botërore të sigurisë.

  1. Përmbajtja, analiza dhe interpretime

Lënda voluminoze e mbledhur nga autorja, faktet dhe idetë, trajtohen, interpretohen e analizohen me metoda shkencore, sidomos me atë historike, me faktorët e saj si kronologjia, zhvillimi etj. Dijet e sintetizuara kredibile në temë të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, instrumente, akte dhe dokumente të ndryshme, përbëjnë burimet primare dhe sekondare të librit të Albulenës. Ajo ka studiuar dhe konsultuar seriozisht literaturë të huaj, duke iu referuar shkrimeve aktuale shkencore të autorëve të shquar në fushë të marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi dhe të transatlantizmit në veçanti.

Origjinaliteti që i jep autorja veprës, nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën e mbarështimit të lëndës, me gjuhën e stilin, me kompozimin e materialit dhe metodologjinë, por edhe me prurjet e saj të reja në fushën që studion, me faktet dhe idetë, me praktikën specifike të botës shqiptare etj.  Ajo nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet transatlantike, por studimin e shtrinë deri në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi.

Sipas autores, fill pas LDB kontradikta më e mprehtë ndërkombëtare ishte ideologjia, lufta midis komunizmit dhe kapitalizmit, midis totalitarizmit dhe demokracisë perëndimore. Ky polarizim i aleatëve të luftës antifashiste, me  në krye SHBA në një anë dhe të BRSS në anën tjetër, çoi pashmangshëm në rendin e ri botëror bipolar, duke zëvendësuar sistemin multipolar të Versajës, në ndarjen e zonave të influencës të dy superfuqive dhe në ngritjen e strukturave ushtarake të blloqeve rivale, NATO dhe Traktati i Varshavës.

Zhvillimet botërore karakterizoheshin sipas politikës së jashtme amerikane dhe sovjetike, dy qendrave përcaktuese të rendit të ri botëror pas LDB, – shkruan autorja.

Në analizën e saj, mandati fillestar i NATO-s ishte parandalimi i një sulmi sovjetik në Evropën Perëndimore. Karakteri mbrojtës i doktrinës transatlantike i kundërpërgjigjej karakterit mësymës dhe ekspansionist sovjetik.

Ndarja e botës në Konferencën e Jaltës, përbënte një fatkeqësi tjetër për shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën e trevat tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi, në veçanti.

Pas LDB fillon tensionimi i raporteve ndërkombëtare që u quajt Lufta e Ftohtë, e cila si shpatë demokleu qëndroi mbi kokën e popujve dhe vendeve të botës, (me ndonjë periudhë shtensionimi-Detantë), rreth tri dekada e gjysmë, deri në shembjen e BRSS dhe Murit të Berlinit.

Këtë periudhë të gjatë dhe kërcënuese, autorja e analizon dhe interpreton detajisht, duke paraqitur dhe trajtuar doktrina, teori dhe shkolla të mendimit,

si shkollat realiste, neorealiste dhe neoliberale në marrëdhëniet ndërkombëtare, konstruktivizmi, tradicionalizmi, revizionizmi dhe postrevizionizmi etj., por mbi të gjitha transatlantizmi si doktrinë. Këto ide, teori dhe shkolla të mendimeve, ishin baza mbi të cilat është ndërtuar rendi botëror.

Në libër gjejmë Strategjinë e NATO-s në Luftën e Ftohtë dhe në fazën e Detantës, pikëpamjet amerikane dhe evropiane, rënien e komunizmit në lindje të Evropës, ribashkimin e Gjermanisë, globalizmin, rolin e NATO-s dhe konceptin e saj strategjik pas Luftës së Ftohtë, Marrëdhëniet transatlantike dhe Bashkimi Evropian, zgjerimin e NATO-s, Ballkani dhe NATO, Kosova dhe ndërhyrja e NATO-s etj.

Në kapitullin e fundit autorja shkruan për sfidat e brendshme dhe të jashtme të transatlantizmit në shekullin XXI, për Rusinë dhe Kinën, kontrollin e armëve, çarmatimin dhe armët e shkatërrimit në masë, për rrezikun që paraqet terrorizmi dhe për të ardhmen e transatlantizmit.

Bashkësinë transatlantike, shkruan autorja, e përbëjnë tri karakteristika: ndërvarësia, institucionet e përbashkëta dhe identiteti i përbashkët. Që në themelim, NATO përbëhej nga vende me vlera të përbashkëta.

Burimi i aleancës transatlantike qëndron te Plani Marshall për Evropën.

Në libër trajtohet edhe historia e themelimit të BE si dhe zhvillimet e fundit mbi bazën e dokumentacionit të bollshëm që e mundëson hapja dhe deklasifikimi i tyre, oscilimet në raportet e SHBA me aleatët europerëndimorë etj.

Konferenca e Helsinkit më 1975, rezultoi me dy kompromise: Perëndimi ia njohu të drejtën Bashkimit Sovjetik të ruante ndikimin mbi aleatët e tij të bllokut socialist, por në këmbim të pranimit të të drejtave të njeriut në këtë bllok. Këto të drejta ngjallën në vendet e bllokut disidencën, si një minë shpërthyese brenda tij. Nuk vonoi shumë dhe në dekadën e fundit të shekullit XX ndodhën pesë kthesa historike: Shembja e BS,  fundi i komunizmit në Evropë, rrënimi i Murit të Berlinit, fundi i Luftës së Ftohtë dhe i rendit bipolar ndërkombëtar, duke i lënë vendin atij unipolar me SHBA, si superfuqia e vetme në botë.

Një hapësirë në libër i kushtohet raporteve të botës shqiptare dhe transatlantizmit në përgjithësi dhe ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës nga regjimi pushtues serb, në veçanti. Brezat e Kosovës së lirë janë e do të jenë në gjithë jetën e tyre mirënjohës SHBA-ve dhe  NATO-së për lirinë që gëzojnë. Ky libër i Albulenës do t’u shërbejë efektshëm atyre për ta njohur historinë e transatlantizmit dhe për mbajtjen gjallë të lidhjeve miqësore e shpirtërore dhe  partneritetit me aleatët.

  1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Autorja i jep hapësirë të veçantë rolit të SHBA në zhvillimet botërore, për sigurinë globale dhe përhapjen e idealit të demokracisë. Në libër citohet Zbignew Brzezinski, i cili thotë: “SHBA dhe BE së bashku përfaqësojnë bërthamën e stabilitetit global politik dhe të mirëqenies ekonomike”.

Izolacionizmi i SHBA pas 150 vjet rresht ishte tejkaluar, por administrata e presidentit Tramp pati tendencë ta rikthente, duke lënduar  marrëdhëniet me aleatët evropianë.

Që nga Wilson dhe Truman SHBA përhapin idealet amerikane në botë, me aspiratën universaliste që bota të bëhet si Amerika. Doktrina e Truman ishte  fundi i izolacionizmit amerikan, – konstaton autorja.

Gjatë Luftës së Ftohtë SHBA kishin dy strategji: Frenimi-me kërcënim dhe Përmbajtja; bashkimi i strategjisë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike.

  1. Forma, gjuha dhe stili

Gjuha e artikuluar akademike, me sintaksë shqipe dhe ortografi korrekte, si dhe fjalori i pasur që eviton përsëritjet, e bëjnë leximin dhe të kuptuarit e tekstit, të lehtë dhe tërheqës.

Stili  i autores është i natyrshëm, i thjeshtë dhe i matur, i ngrohtë dhe me gjallëri.

Lënda voluminoze e veprës është ngjeshur në vetëm 275 faqe libri, sepse Albulena zgjedh dhe kursen fjalët, duke mos lejuar teprinë e tyre. Gjuha koncize e veprës e bën atë dinamike, pa lënë mundësinë që lexuesi të gjejë hapësirë pushimi a dremitjeje. Albulena shkruan shkurt, qartë dhe shqip. Stili akademik i saj është i kuptueshëm edhe për çdo lexues të zakonshëm.

  1. Vlerësime

Informatat shkencore, faktet, të vërtetat e idetë që ka mbledhur nga literatura dhe dokumentet, autorja i gjykon, duke mbajtur qëndrim kritik, për t’i nxjerrë përfundimet. Ajo e ka organizuar dhe kompozuar e renditur me profesionalizëm lëndën e temës brenda kapitujve të veprës.

Autorja ballafaqon teori dhe shkolla të ndryshme, shpesh kontradiktore, të cilat i interpreton me syrin kritik, duke sjellë kontributin e saj origjinal për çështjet e shumta në temë të sigurisë globale dhe transatlantizmit.

Vepra nuk rëndohet me çështje të vogla as me përsëritje të panevojshme. Libri sjell informata të shumta dhe të nevojshme për të gjithë ata që kanë interes për temën bosht e materialin e shtjelluar. Me shqyrtimin korrekt dhe analizën e argumenteve të ndryshme të shkollave dhe teorive divergjente, autorja qëmton të vërtetat dhe përfundimet e saj studiuese.

E gjithë struktura e librit ka harmoninë si tërësi organike dhe vijimësinë e trajtimit të temës. Çështjeve që trajton autorja, në proporcion sipas rëndësisë u jep vendin dhe hapësirën që meritojnë. Libri është punuar me pasion, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, duke e bërë studim serioz, aktual dhe shumë të rëndësishëm. Ai ka të gjitha karakteristikat e një vepre të mirëfilltë shkencore.

I mungonte literaturës dhe bibliotekave shqiptare një libër i kësaj teme dhe i këtij niveli.

  1. Rëndësia e veprës, përfundim

NATO lindi si nevojë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta demokratike të anëtarëve të saj. Jeta e gjatë e kësaj aleance shpjegohet me rolin prej gardiani të sigurisë globale dhe me përshtatjen e saj situatave botërore e strategjive të çdo faze që ka kaluar, me dinamizmin, zhvillimin dhe reformat e vazhdueshme.

Autorja vjen në konkluzion se kërcënimi i paqes dhe i sigurisë e bëjnë të domosdoshme NATO-n edhe kohë të gjatë, pavarësisht sfidave të  jashtme dhe të brendshme të saj.

Rusia ende e sheh dhe e trajton veten si perandori. Ajo e ka humbur dominimin në ish-bllokun socialist, por nuk e pranon dhe synon ta kthejë përsëri. Njëjtë synon në Ballkanin Perëndimor Serbia (mini Rusia) për Kosovën etj. Doktrina ekspansioniste ruse-serbe në aktualitetin tonë kërkon mbështetje mitologjike, duke e konsideruar  Ukrainën djep të kombit rus, kurse Kosovën djep të kombit dhe shtetit serb.

Një sfidë serioze për transatlantizmin përbën aktualisht, por edhe në të ardhmen, terrorizmi, si një rrezik dhe shëmti globale. Teknologjia e avancuar përbën gjithashtu sfidë serioze për NATO-n, por edhe përparësi njëkohësisht. Vatrat e pashuara të konflikteve potenciale, aktualisht mbahen nën kontroll nga SHBA dhe NATO, – përfundon autorja.

Libri i Albulenë Halilit, për informatat dhe njohuritë enciklopedike që sjell para lexuesit, për karakterin e studimit shkencor, për vlerat shumëdimensionale të tij, ka rëndësi të veçantë dhe uroj që të jetë pjesë e bibliotekave publike e private të shqiptarëve, por edhe literaturë e doracak në katedrat e universiteteve tona.

Duke qenë e re në moshë dhe ekzigjente në veprimtarinë studiuese,  Albulenë Halili ka përpara një karrierë të shkëlqyer shkencore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vizat janë liberalizu, tashmë halli i vetëm është - ku…