NJË RAPORT KUNDËRSHQIPTAR SI AI I DIK MARTIT! (6)

21 mars 2023 | 11:41

(Disa arsyetime e qëndrime ndaj shkrimit “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, nga kryetari i AShAK-ut, akademik Mehmet Kraja, në dhjetor 2022)

Shkruan: Kudusi Lama

Përfundime

Pas përfundimit të këtij qëndrimi përballë këtij raporti të dëmshëm kundërshqiptar, kam arritur në këto përfundime:

Ky raport i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i shkruar nga kryetari i saj, akademik Mehmet Kraja, duket se nuk zbulon asgjë, nuk analizon asgjë, nuk sjell asgjë të re, si dhe prej tij nuk mund të gjendet asnjë përftim kombëtar, shtetëror e ballkanik, siç pretendohet. Por thjesht janë paraqitur disa çështje, si të ishin paraqitur nga institucionet e Serbisë, me synimin për të trembur shqiptarët që të rrinë larg serbëve, sepse mund të kenë pasoja.

Ky shkrim nuk jep asnjë arsyetim për të qartësuar përse politikat e Serbisë qenkan bërë agresive në këtë kohë dhe nuk ishin aq agresive kur ajo bëri katër luftëra në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të 20-të. Nuk tregon cilat janë arsyet që Kosova, Ballkani Perëndimor, rajoni, Europa e bota nuk e shohin dhe nuk e vlerësojnë këtë politikë agresive të Serbisë.

Në përgjithësi ky raport bën deklarata, nuk nxjerr përfundime sipas arsyetimeve apo ankesë nga BE-ja se keqqeverisja në Ballkanin Perëndimor po e largon atë nga politikat e saj, kur një pjesë e këtyre shteteve janë pjesë e BE-së e pjesa tjetër janë kandidatë dhe në rrugëtim për në BE. Ashtu edhe me NATO-n janë të njëjtat raporte si me BE-në, kështu që gjithë pasiguritë duket se janë thjesht imagjinatë e paarsyetuar.

Do të ishte mirë që sa merren me trembjen e shqiptarëve, Akademitë e Shkencave shqiptare dhe akademikët e nderuar, të mblidhen siç do të duhej të mblidheshin, të diskutonin, të analizonin, të nxirrnin përfundime dhe të bënin një program të interesave kombëtare shqiptare, sepse këtë e kanë për detyrë. Nëse do të bënin këtë, do të ishin vërtet akademikë, por siç po veprojnë si deri sot, ata kanë tituj akademikë, marrin edhe paga shumë të larta nga populli i tyre, por nuk bëjnë asgjë për të qenë të tillë e për të shpërblyer pagesën që marrin pikërisht për ta bërë këtë.

Raporti është një thirrje për t’u trembur nga Serbia! Dhe këtë nuk e bën vetëm për shqiptarët, nuk e bën vetëm për Kosovën e Shqipërinë, por edhe për Bosnjën, Malin e Zi e shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Duke krijuar kështu idenë se duhet të shpresojmë të mos dojë Serbia, se po iu shkrep në mendje asaj, ne kemi marrë fund. Sepse Serbia paska fuqi të na fundosë ne shqiptarëve, të shkatërrojë Ballkanin Perëndimor dhe të shantazhojë NATO-n dhe BE-në.

Marrëdhëniet shqiptaro–serbe vihen në një barabarësi, gjë që i intereson mjaft Serbisë, sepse pikërisht për këtë po punon fort, të krijojë mjegullën e saj të mashtrimit. Kështu ky raport nuk përcakton përgjegjësitë e kësaj barabarësie, por thjesht e deklaron si të vërtetë të padiskutueshme, duke u bërë palë me Serbinë përballë të vërtetave dhe interesave shqiptare.

Thirrjen në këtë raport që ne duhet t’i kalojmë armiqësitë e pranoj, por jo siç e kërkon raporti, pa kushte. Pajtimi duhet dhe do të vijë, por pasi të vendoset drejtësia. E, drejtësia nuk është në barabarësi siç e trajton ky raport. Shqiptarët askujt nuk i kanë dhënë armiqësi, gjithnjë kanë luftuar të mbijetojnë dhe të çlirohen nga pushtimet e armiqve dhe mes tyre më agresivë dhe të dëmshëm kanë qenë serbët e Serbia.

Gjuha e shpifjeve serbe është mjaft e ashpër, sa shkon deri atje, sa të pretendojë se shqiptarët i kanë shqiptarizuar edhe serbët. Megjithëse, siç vlerësojnë ata, ne në ato treva kemi ardhur nga malet, dhe paskemi ardhur rreth një mijë vjet pas serbëve, megjithatë, i paskemi shqiptarizuar. Por kjo është gjuha serbe, nuk kemi pse t’i ndihmojmë në mënyrat siç edhe evidencohet në këtë raport të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Nuk duket normale të pretendohet për të bindur opinionin botëror se shqiptarët nuk e zgjodhën vetë fenë islame, por ua diktoi pushtuesi osman. Se islami nuk qenka fe e kohëve moderne, por një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Shqiptarët paskan mbetur në atë kohë pa udhëheqës shpirtëror nga kisha e krishterë, pasi nuk mund të arsyetohet që feja islame nuk qenka fe e kohëve moderne, ndërsa krishterimi qenka e tillë. Kështu që duket një kundërislamizëm primitiv dëshira për të kërkuar modernen te krishterimi dhe të prapambeturën te islami. Për mua feja nuk ndikon për ta bërë njeriun më të zhvilluar ose më të prapambetur. Për të thënë në vijim se kombi ynë në mesjetë historinë nuk e ka pasur të errët, por të ndritur. Ashtu sikurse në gjithë historinë tonë luftërat kundërosmane i kanë bërë më së shumti shqiptarët myslimanë. Besoj se Akademia e Shkencave do ta njohë Abdyl Frashrin, Imer Prizrenin, Sylejman Vokshin, Iljaz pashë Dibrën, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin etj., që nuk besoj se duhet t’i konvertojmë në të krishterë e as t’i fshijmë nga historia pse ishin myslimanë. Ndërsa gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, përballë serbëve të krishterë modernë për çlirimin e Kosovës, kanë rënë në altarin e kombit 26 hoxhallarë duke u bërë dëshmorë të atdheut. Dhe, kjo sepse shqiptarët për të mbijetuar, unitetin e kanë mbështetur te atdheu e kombi dhe jo te feja. Armikun nuk e kemi vlerësuar se i çfarë feje është, por e kemi luftuar si pushtues edhe kur kemi qenë në të njëjtën fe me të. Gjithashtu vlerësoj se deri sot Europa nuk i ka shpallur luftë islamit. Përkundrazi, ajo çdo ditë e më tej po bëhet strehë edhe për të gjithë ata myslimanë që kanë nevojë për të jetuar në Europë. Fakt është që sot Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Anglia, Suedia, Norvegjia e mjaft shtete të tjera të Europës kanë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së tyre të përkatësisë islame, që shkon në 10 për qind e më shumë dhe nuk ndihen as të shqetësuara e as të kërcënuara.

Pavarësisht nga dëshira që mund të ketë Serbia, kurrë nuk do të mundë të destabilizojë Kosovën. Shqiptarët duhet të jenë të vendosur për të bërë detyrën e tyre ndaj atdheut e jo të tremben se po i ha Serbia. Kush të trembet, le të shkojë të jetojë e të jetë i qetë në Serbi. Është krejt e palogjikshme të shihet armiku si superior, se tremb qytetarët e vendit tënd. Për një mendim dhe deklarim të tillë ligjërisht duhet të mbahen qëndrime të rrepta.

Ky raport e hiperbolizon fuqinë e Serbisë, duke e bërë atë zot të Ballkanit, pa dhënë asnjë argument për këtë. Mendoj se politikat e këtyre shteteve ballkanike nuk janë aq në nivel mediokër sa trajtohen në këtë raport, pasi ne jemi dëshmitarë të zhvillimeve dhe bëjmë vlerësime të ndodhive. Masat për sigurinë merren në çdo shtet dhe secili prej tyre ka një strategji të sigurisë. Puna duhet përqendruar se si mund të ndihmohet siguria e vendit, jo si të tremben shtetet e Ballkanit me gogolin Serbi. Vlerësoj se mënyra si flitet në këtë raport është shumë zhvlerësuese për politikat e shteteve ballkanike krahasuar me politikën e Serbisë, e cila qenka një politikë që mund të shkatërrojë gjithçka në Ballkan. Prandaj, rekomandoj të mos merret seriozisht, sepse nuk është e vërtetë.

Nisma për ”Ballkanin e hapur” nuk është dhe nuk mund të jetë nismë e Serbisë, siç e trajton ky shkrim, që, për fat të keq, e trajton Serbinë si zot të Ballkanit. Dihet që Procesi i Berlinit është një nismë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë – për t’u mundësuar këtyre vendeve që t’i bashkohen BE-së. Kjo agjendë e lidhshmërisë u fillua si një komponent i rëndësishëm që synonte lidhjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e transportit dhe të energjisë, që më vonë u zgjerua në shkëmbime rinore dhe marrëdhënie ekonomike etj. Kështu, “Ballkani i hapur” dhe Procesi i Berlinit nuk kanë asnjë ndryshim. Po t’u referohesh marrëveshjeve, duket se thjesht bëhet shtrirja në praktikën e terrenit të atij procesi. Prandaj ky proces duhet të merret si zhvillim, kurse të zhvillosh nuk do të thotë të mos bësh kujdes për të avancuar interesat e shtetit tënd. Kjo është normale.

Të paraqitesh sot me mendimin se Shqipëria qenka me mendësi komuniste dhe nostalgjike për Serbinë duke anashkaluar Kosovën, do të thotë të jesh armik i tërbuar i shqiptarëve dhe i shqiptarizmit në përgjithësi. Por, për fat të keq, ky raport përpiqet të paraqesë dy kategori shqiptarësh, shqiptarë të Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarë të Republikës së Kosovës, por që ata shqiptarë të Republikës së Shqipërisë historikisht as kanë dashur të dinë për shqiptarët e Republikës së Kosovës. Kjo tregon një kundërshqiptarizëm të egër dhe përçmues i asaj pjese të shqiptarëve që banojnë në Republikën e Shqipërisë, që raporti shpreh keqardhje për pjesën e shqiptarëve që banojnë në Republikën e Kosovës. Vlerësoj se ky qëndrim është një shërbim i madh që i bëhet Serbisë, se edhe ajo historikisht është përpjekur t’i ndajë në ‘Shiftari’ dhe ‘Allbanci’.

Përpjekjet në këtë raport për të krijuar përçarje midis shtetit të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke pretenduar se prej vitit 1912, shteti i Shqipërisë paska sakrifikuar idealizmin e Kosovës, si dhe t’u thuhet shqiptarëve që banojnë në Republikën e Kosovës të kenë kujdes e të ruhen nga shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë se ata e shpërdorojnë idealizmin e tyre dhe përfitojnë për interesat e tyre nga ky idealizëm, apo se në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë; ose se çështja e Kosovës për Shqipërinë politike dhe ekonomike kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje tashmë të vjetruar nacionaliste, siç deklarohet në këtë raport, vlerësoj se është kundërshqiptarizëm i kulluar.

Sipas këtij raporti, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në veçantë kryetari i saj, ka një përbuzje të theksuar për Republikën e Shqipërisë dhe ka dëshirë e nuk përton të shpifë në një mënyrë të tillë që do ta kishin zili edhe akademikët serbë!

Ky është një raport kundërshqiptar, më i rëndë se raporti i Dik Matit, i cili merret me një periudhë të caktuar dhe të shkurtër akuzash kundërshqiptare dhe kryesisht kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse ky raport i dytë, që, për fat të keq, shkruhet nga një shqiptar në emër të institucionit më të lartë shkencor të Republikës së Kosovës, përpiqet të na e përbaltë gjithë historinë nga kohët e hershme deri në ditët tona. Nuk kishim nevojë për këtë raport alla Dik Marti, që e shumëfishon fuqinë goditëse kundërshqiptare!

Në këtë raport, përveç që bëhet thirrje që Republika e Kosovës të bëjë kujdes e të ruhet nga rreziqet e kërcënimet që i vijnë nga Republika e Shqipërisë, shkohet edhe më tej, duke vlerësuar se Republika e Shqipërisë, paska prishur edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe e paska bërë të vajtueshme gjendjen e saj deri edhe kundërshtare të Republikës së Kosovës prej kur nga ky shtet është larguar Gruevski, që, siç duket, paska qenë i fuqishëm t’i mbrojë shqiptarët në Maqedoni nga Shqipëria. Ndërsa unë që mendoj se e njoh gjendjen edhe në Maqedoninë e Veriut, mund t’u them me siguri të plotë se shqiptarët më të fuqishëm se sot për të qenë me dinjitet dhe të sigurt në trojet e tyre nuk kanë qenë kurrë. Dhe, pavarësisht se nuk pretendohet se janë arritur majat, mund të themi se Shqiptarët në Ballkan, të cilët kanë një histori të pasur e dinamike, ndryshe nga errësira që përhap akademiku Kraja; në këtë kohë që jetojmë, historisë së tyre i kanë vënë kurora lavdie. Lavdi historike konsideroj Luftën Çlirimtare të Kosovës, që krijoi shtetin e Kosovës, duke i bërë të lirë dy milionë shqiptarë dhe duke bërë që Kosova të jetë një shtet i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës. Po ashtu një kurorë lavdie konsiderohet sakrifica e burrave të Kosovës Lindore që bënë Luftën për Çlirimin e Kosovës Lindore dhe nëpërmjet së cilës bënë që bota të kuptojë përfundimisht se ato treva janë treva të banuara prej shqiptarëve historikisht. Kurora tjetër është Lufta Çlirimtare në Maqedoninë e Veriut, e cila i bëri shqiptarët autoritet në atë shtet, që deri dje i vriste vetëm pse protestonin për universitet. Prandaj, duhet të bëjmë vlerësime reale për zhvillimet historike dhe është madhështi t’u themi faleminderit të gjithë atyre që ndërmorën dhe udhëhoqën këto luftëra që i bënë shqiptarët më të autoritetshëm se asnjëherë më parë.

Edhe zhvillimet brenda Kosovës, ky shkrim gazetaresk përpiqeet t’i pluhurosë. Duket sikur shpresohet akoma se mund të kthehet Kosova në Serbi. Nëse është ky mendim, duhet ta largojë menjëherë kush e ka, se luftëtarët që e mundën Serbinë në vitet 1997–1999 janë gjallë, e edhe kur të mos jenë, populli shqiptar do të ketë fuqi të mbajë veten të lirë.

Tërheq vëmendjen deklarimi në këtë raport të një tentative për ndarje të Kosovës. Por në fakt deri sot nuk është parë i dokumentuar ky term, përveç në debatet politike dhe analizat mediatike, ku secili flet si i pëlqen dhe i jep të drejtë vetes. Ndërsa është dëgjuar qysh para çlirimit të Kosovës dhe pas çlirimit për ndryshim të kufijve të Kosovës për të kaluar në atë të ndryshuar nga Beogradi në vitin 1953, kur edhe Kosova Lindore ishte pjesë e Kosovës, dhe mendoj se që nesër do ta bëja këtë ndryshim kufijsh, pa më shkuar fare në mendje se po gaboj kombëtarisht.

Ky raport arrin të ketë guximin të krijojë një grup kundër-Kosovë, në të cilin janë Çubriloviqi, Qosiqi dhe Hashim Thaçi. Pasi të korrigjohet raporti, zbulohet se nga shqiptarët nuk është vetëm Hashim Thaçi në grupin kundër-Kosovë, por futen të gjithë ish-liderët e UÇK-së, pra, të gjithë udhëheqësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Ashtu sikurse në këtë grup armiqësor kundër-Kosovë sipas këtij raporti, ka edhe në Maqedoninë e Veriut dhe fillimisht evidencohet vetëm Ali Ahmeti, por meqenëse siç duket u vlerësua se është pak vetëm emri i tij, u kalua në variantin e dytë, sipas të cilit disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, që do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës.

Qëndrimi që i vë vulën gjithë kundërshqiptarizmit të këtij shkrimi gazetaresk është fakti se përpiqet të ligjërojë akuzat ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës, në nivelin që i ngre ato raporti i Dik Martit. Por duhet marrë në konsideratë se të gjitha këto që i ligjëron ky raport si krime të luftës e krime kundër njerëzimit, në aktakuzën e gjykatës kanë rënë thuajse të gjitha, pasi ishin të montuara e të përpunuara nga prokuroria serbe në Beograd me ndihmës shqiptarë e ndërkombëtarë. Prandaj, vlerësoj se, meqenëse këto akuza të formuluara nga Dik Marti kanë rënë, siç duket, duhej një dëshmitar i ri, i cili realisht duhet të shkojë në Hagë ta vërtetojë akuzën e tij. E ky është zotëri Mehmet Kraja, i cili ndoshta ka informacione më të thelluara se prokuroria e Serbisë.

 

Bibliografia

  1. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980
  2. Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK-ut, përpiluar nga kryetari i asaj akademie, Mehmet Kraja, dhjetor 2022
  3. Ligj nr. 8417, date 21.10.1998 – Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë – preambula
  4. Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (draft), vjeshtë 1986
  5. Memorandum i Kishës Serbe për Kosovën – koment i RADIO B-92, dt. 10.08.2003
  6. https://kosovapress.com/%e2%80%8bscholz-te-pershpejtohet-normalizimi-i-raporteve-kosove-serbi/ (20.01.2023)
  7. https://www.botasot.info/lajme/1319167/cka-permban-memorandumi-2-i-akademise-se-shkencave-dhe-arteve-te-serbise-sanu-per-kosoven/, 25.12.2022
  8. Prof. dr. Sabit Syla, Instituti i Historisë – Prishtinë, Reagim lidhur me analizën politike të Mehmet Krajës ‘Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, https://www.epokaere.com/reagim-lidhur-me-analizen-politike-te-mehmet-krajes-synimet-destabilizuese-te-serbise-ne-kosove-dhe-ne-ballkanin-perendimor/ 20 janar 2023
  9. https://nacionale.com/politike/analiza-e-krajes-ashak-u-percahet-pritet-deklarate-publike-rreth-akuzave, nga Mirlind Behluli
  10. ASHAK distancohet nga Mehmet Kraja për analizën “shkencore”, nga Armand Matoshi, 23 dhjetor 2022
  11. https://telegrafi.com/pdk-publikimi-ashak-ut-eshte-pamflet-anti-shqiptar/ nga Memli Krasniqi, 21.12.2022
  12. https://www.radiokosovaelire.com/behxhet-pacolli-reagon-kunder-mehmet-krajes-per-analizen-e-tij-antishqiptare-ne-emer-te-ashak-ut/ nga Behxhet Pacolli, 23.12.2022
  13. https://www.radiokosovaelire.com/behxhet-sh-shala-raporti-analitik-i-mehmet-krajes-me-i-demshem-sesa-raporti-i-dik-martit/ nga Behxhet Sh. Shala, 23.12.2022
  14. https://www.gazetaexpress.com/mehmeti-cfare-deshi-cfare-tha-mehmeti/, nga Enver Hasani, 23.12.2022
  15. https://nacionale.com/opinion/edhe-nje-skandal-i-radhes-i-ashak-ut-asgje-e-re-ne-horizont, nga Imer Topanica, 16.01.2023

(FUND)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra kampione e Golden State rikthehet te fitorja në NBA,…