NJË STUDIM I DENJË PËR POETIN ZËMADH DIN MEHMETI

04 qershor 2021 | 18:13

Dr. Besim Muhadri, Kulti i këngës dhe kënga e jetës. Poezia e Din Mehmetit, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2016.

Prof. dr. Agim VINCA

Interesimi i autorit të këtij libri, Dr. Besim Muhadrit, për poetin Din Mehmeti (1929-2010) dhe krijimtarinë e tij letrare është i hershëm dhe i pandërprerë. Dhjetë vjet më parë dhe pikërisht në vitin 2006, ai botoi librin Të jesh poet… (Dialog me Din Mehmetin), në të cilin, nëpërmjet një interviste të gjatë me poetin, arriti të vinte në pah, në mënyrë të sistemuar, disa nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe të veprës së këtij krijuesi të shquar, i cili pjesën dërrmuese të jetës e kaloi në qytetin e Gjakovës, qytet me të cilin është i lidhur ngushtë edhe vetë autori i librit, Besim Muhadri, pedagog i letërsisë në Universitetin “Fehmi Agani”.

Një vit më vonë, në vitin 2007, autori i këtij libri, Besim Muhadri, mbrojti, në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, ku i kreu studimet e të dy niveleve, themelore dhe pasuniversitare, punimin e magjistraturës me titull Dhuna dhe liria në poezinë e Din Mehmetit. Kam pasur kënaqësinë të isha mentor i kandidatit dhe në referatin vlerësues për punimin e tij, ndër të tjera pata shkruar: “Punimi i Besim Muhadrit Dhuna dhe liria në poezinë e Din Mehmetit është i shkruar jo vetëm me dashuri e pasion, por edhe me përkushtim e akribi shkencore. Autori i tij është njohës i mirë i krijimtarisë së poetit të mirënjohur Din Mehmeti dhe trajton një aspekt të rëndësishëm të saj: dhunën si një fenomen historik në trevën nga vjen poeti dhe luftën kundër saj, luftën për liri, dy motive që gërshetohen natyrshëm në poezinë e Din Mehmetit”.

Me rastin e vdekjes së poetit, më 12 nëntor 2010, një nga shkrimet e para që u shfaqën në shtypin tonë qe ai i Besim Muhadrit, sado që autori i tij, në ato çaste nuk qëlloi në vendlindje, por shumë larg saj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autori i librit në formë interviste Të jesh poet… (Dialog me Din Mehmetin) dhe i punimit shkencor Dhuna dhe liria në poezinë e Din Mehmetit, dy nga konceptet themelore të frymëzimit poetik të poetit të tij të preferuar, që ndeshen për jetë a vdekje, si në jetë, ashtu edhe në vargje, natyrisht që nuk mund të heshtte në atë rast.

Dhe ja, tani, miku i hershëm i poetit zëmadh dhe i poezisë së tij të fuqishme, Besim Muhadri del para lexuesve me një kontribut të ri dhe më të rëndësishmin deri tani: me studimin e titulluar Kulti i këngës dhe kënga e jetës (Poezia e Din Mehmetit), të mbrojtur më parë si temë doktorate në Qendrën e Studimeve Albanologjike (QSA) në Tiranë.

Siç thekson vetë autori që në parathënie, libri Kulti i këngës dhe kënga e jetës (Poezia e Din Mehmetit) është një studim monografik për njërin nga poetët jo vetëm më të njohur, por edhe më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI, Din Mehmetin, krijimtarisë së të cilit autori i është qasur në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke e vështruar atë nga të gjitha aspektet, që nga baza ideotematike e saj e deri tek struktura figurative dhe versifikative.

Duke iu qasur poezisë së Din Mehmetit në tërësinë e saj dhe me kritere të sprovuara metodologjike, Besim Muhadri e ka konceptuar punimin e tij në katër pjesë a krerë: I. Poezia e Din Mehmetit dhe kritika letrare, II. Poezia e Din Mehmetit dhe fazat e zhvillimit të saj, III. Temat dhe motivet dhe IV. Versifikimi dhe figuracioni poetik. Siç mund të shihet edhe nga titujt e mësipërm, në kreun e parë ai është marrë me receptimin e poezisë së Din Mehmetit nga kritika letrare, duke nisur nga koha kur ky poet e botoi librin e parë, Në krahët e shkrepave (1961), pra nga fillimet e saj, e deri në ditët e sotme; në kreun e dytë e ka ndjekur evoluimin e saj në kohë, vazhdimësinë dhe ndryshimet e saj ideostilistike; në pjesën e tretë ka bërë objekt trajtimi temat dhe motivet kryesore që trajton ky poet, kurse në kreun e katërt e ka përqendruar vëmendjen te figuracioni dhe metrika e saj.

Objektin e punimit dhe kriteret e qasjes i ka përcaktuar qartë në Hyrje, kurse sintezën e katër aspekteve me të cilat është marrë gjerësisht: raportin me kritikën, evolucionin, tematikën dhe figuracionin e metrikën, e ka bërë në Përfundim të librit, të cilin e shoqëron edhe me një rezyme në gjuhën angleze, në mënyrë që libri të mund të komunikojë edhe me lexuesit e huaj të interesuar për letërsinë e sotme shqipe në përgjithësi dhe për krijimtarinë poetike të Din Mehmetit në veçanti.

Me interes të veçantë është periodizimi që autori i bën krijimtarisë poetike të autorit të zgjedhur për trajtim, Din Mehmetit, të cilin nuk e shkëput për asnjë çast nga konteksti i zhvillimit të letërsisë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, por edhe në përgjithësi, në mbarë arealin shqiptar.

Meqenëse Din Mehmeti është poet që ka krijuar një kohë të gjatë, plot gjashtëdhjetë vjet dhe meqenëse poezia e tij në rrugën e saj të zhvillimit ka pësuar ndryshime ideotematike e stilistike herë më të mëdha e herë më të vogla, autori i këtij studimi e ka parë të udhës ta
ndajë krijimtarinë e tij në katër faza, duke i përcaktuar qartë jo vetëm kohën, përkatësisht vitet që mbulojnë ato, por edhe tiparet qenësore të tyre.

Kështu, sipas Muhadrit, faza e parë e zhvillimit të poezisë së Din Mehmetit, që shtrihet në vitet 1949-1961, cilësohet si “fazë e kërkimit të identitetit krijues”; faza e dytë, që shtrihet në vitet 1961-1981, karakterizohet si fazë në të cilën shfaqen “shenjat e ngritjes dhe të ndikimeve”; faza e tretë e viteve 1981-2001, si “fazë e afirmimit të plotë” dhe faza e katërt dhe e fundit, e viteve 2001-2010, si “fazë përmbyllëse”. Duke pasur parasysh evoluimin e brendshëm të poezisë së Din Mehmetit, nga fillimet krijuesve, kur ai del në skenë si poet, në fund të viteve ’40 të shekullit XX, e deri në fund të jetës (2010), mund të thuhet lirisht se kjo ndarje është e drejtë dhe e qëndrueshme.

I drejtë dhe i qëndrueshëm është gjithashtu edhe interpretimi që i bën autori i këtij libri poezisë së Din Mehmetit në përgjithësi dhe veprave e krijimeve të veçanta të tij. Kështu, ai ka hetuar drejt lidhjen e ngushtë të Din Mehmetit si poet me fatin historik të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi; shkrirjen harmonike të individuales me kolektiven në poezinë e tij; përpjekjen e tij për të krijuar një poezi moderne, me një shprehje të pasur metaforike, por edhe një poezi të kapshme për lexuesin, e cila, ndonëse herë-herë arrin një shkallë të lartë abstragimi poetik, nuk i shkëput lidhjet me të, etj.

Din Mehmeti është poet i frytshëm, tejet i mishëruar me poezinë e tij, që krijoi një kohë të gjatë pa ndërprerje dhe që botoi një numër të madh veprash (gjithsej 17 përmbledhje me poezi, pa llogaritur edhe përzgjedhjet dhe antologjitë); poet që jetoi e krijoi në kontekste të ndryshme shoqërore, politike e historike, përfshirë edhe luftën çlirimtare të viteve 1998-1999 dhe çlirimin e Kosovës nga pushtuesi shekullor dhe që nuk iu shmang asnjëherë detyrimit të tij si poet karshi kohës dhe kolektivitetit të cilit i takonte. Din Mehmeti ishte bard, poet i fatit historik të popullit, por edhe këngëtar i dhembjeve të vogla e të mëdha të subjektit lirik, njeriut të vetmuar e melankolik, që frymon gjithanshëm në poezinë e tij. Duke e lexuar e rilexuar me kujdes poezinë e “Bacëlokut”, si e quanin miqtë e tij poetin Din Mehmeti dhe duke e kombinuar vështrimin sinkronik me atë diakronik, pjesën me tërësinë, tekstin me kontekstin etj. , Besim Muhadri ka arritur t’i spikasë vlerat dhe veçoritë ideoestetike të poezisë së Din Mehmetit, duke veçuar si vepra të tij më të suksesshme vëllimet: Dridhjet e dritës (1969), Ikje nga vdekja (1978), Fanar në furtuna (1981), Fatin tim nuk e nënshkruaj (1984), Lumturia është mashtrim (1999), Mos vdis kur vdiset (2001) dhe Zjarri i këngës (2007).

Por Besim Muhadri e sheh poezinë e Din Mehmetit në tërësi e si tërësi dhe pa paragjykime, duke zbuluar krijime me vlerë e realizime artistike edhe në librat e tjerë, më pak “të suksesshëm” dhe duke hetuar aspekte, vlera e veçori, që s’i kanë vërejtur të tjerët më parë.

Më ka bërë përshtypje, fjala vjen, analiza që i bën Besimi një cikli me poezi erotike të librit Verbim i bardhë (2004), të pavërejtur nga kritikët e tjerë, duke e relativizuar, pak a shumë, pikëpamjen se ky lloj poezie është deficitar në krijimtarinë e Din Mehmetit, sepse ai, duke qenë në radhë të parë poet i dramës jetësore e historike të njerëzve të këtij trualli, do të këndojë me pasion e invencion të veçantë, për “tokën e stolisur me varre”, për kullat e gurta të Junikut dhe pishat shtatlarta të Deçanit, për shokët e tij të fëmijërisë, që ia heqin mallin e mërzinë sa herë që vijnë në qytet; për këngët me sharki e çifteli, që rrëfejnë për bëmat e kreshnikëve; për odat ku malësorët i zbusin vuajtjet e jetës me fjalën e urtë dhe tingujt e lahutës, e cila qëndron pranë pushkës, për t’i përballuar të dyja së bashku agresionet ushtarake e kulturore, që kërcënojnë zhbërjen e qenies dhe të identitetit.

Afinitetin e tij ndaj poezisë së Din Mehmetit autori i këtij libri e ka dëshmuar edhe në analizën e shumë poezive të veçanta të këtij poeti, poezi lirike motivesh e formash të ndryshme dhe sidomos të disa krijimeve të gjata në formë poemash, si: Krismë është emri im, Kosovë zog i diellit, Rënia e Mehmet Ali Pashë Maxharit në Gjakovë në vitin 1878, Letër e Binak Bregut Evropës e të tjera si këto.

Libri Kulti i këngës dhe kënga e jetës (Poezia e Din Mehmetit) është studimi më i plotë që është bërë deri më sot për poetin e shquar kosovar Din Mehmeti, të njohur e të vlerësuar në mbarë hapësirën shqiptare e, deri diku, edhe jashtë saj.

Nga ky libër mësojmë se Din Mehmeti është poet që krijoi “kultin e këngës” dhe që këndoi “këngën e jetës”, të jetës së banorëve të vendlindjes, në kuptimin e gjerë të fjalës, të vështruar sidomos në prizmin e luftës së të kundërtave, çfarë janë: e mira dhe e keqja, terri dhe drita, ëndrra dhe zgjëndrra, jeta dhe vdekja, dhuna dhe liria etj., që paraqesin thelbin e poetikës së poetit tragjik e optimist njëkohësisht, emri i të cilit është sinonim i fjalës “krismë”.

I shkruar me kompetencë profesionale e shkencore dhe me një gjuhë të qartë e të rrjedhshme, ky libër do t’u hyjë në punë në radhë të parë studentëve të letërsisë dhe studiuesve të saj, por, falë temës që trajton, sikurse edhe mënyrës se si e trajton atë, do të zgjojë interesimin e një rrethi shumë të gjerë lexuesish, ku hyjnë edhe ata që nuk merren profesionalisht me letërsi, por që e duan dhe e çmojnë atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit dhe si pjesë…