Një tjetër vendim për rastin “Veteranët”, çfarë ndodh tash?

18 korrik 2025 | 10:46

Afro 90 milionë euro është dëmi që besohet se i është shkaktuar Kosovës nga përfituesit e jashtëligjshëm të pensionit për veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prokuroria pretendon se bëhet fjalë për rreth 19.500 veteranë të rrejshëm.

Më 14 korrik, Gjykata Themelore e Prishtinës i shpalli fajtorë dhe i dënoi me nga një vit burgim ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”.

Ata besohet se, në cilësinë e anëtarit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, keqpërdorën detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që persona të tjerë të përfitonin në mënyrë të kundërligjshme dhe në dëm të buxhetit të shtetit.

Kujt i takon pensioni i veteranit?

Veteranët e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, të cilët janë të papunësuar, marrin pension mujor që nga viti 2015. Sipas të dhënave shtetërore, nga rreth 46 mijë veteranë të regjistruar, rreth 37 mijë përfitojnë një pension prej 204 eurosh.

Sipas Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së, ekzistojnë gjashtë kategori veteranësh: invalidi i luftës, veterani luftëtar, i internuari, pjesëtari, pjesëmarrësi i luftës dhe ushtari i zhdukur i UÇK-së.

Po sipas të njëjtit ligj, vetëm ata që e kanë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së kanë të drejtë në pension dhe përfitime shtesë, ndërsa kategoritë tjera vetëm në përfitime të parapara me ligj.

“Pikërisht këtu është problemi. Dhe, ndoshta kjo është çështja që e ka pretenduar edhe Prokuroria, sepse në rast se një pjesëtar ka qenë në kategorinë e logjistikës, por nuk ka qenë luftëtar, këtu ka ndodhur gabimi dhe ai është barazuar me kategorinë e luftëtarit. Këtu ka qenë tejkalimi i autorizimeve, mospërmbushja e detyrës zyrtare”, argumenton Flamur Kabashi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Sipas ish-prokurorit special që e ka përgatitur lëndën në këtë rast, Elez Blakaj, në debate publike përmendet qëllimshëm vetëm shprehja veteranë, për të krijuar “mjegull dhe shfajësim”.

Ai beson se rasti do të çohet prapë në Gjykatën e Apelit, dhe se kjo gjykatë, më pas, do ta kthejë edhe një herë atë në pikën zero.

Hapat e radhës

Për shkak të kompleksitetit të rastit, Gjykata Themelore pritet që, brenda 60 ditësh, të përpilojë vendimin në formë të shkruar, duke i sqaruar rrethanat kryesore se si ka ardhur deri te ai. Palët – prokuroria apo mbrojtja – kanë afat deri në 30 ditë për ankesë.

Në rast se deri atëherë nuk ankohet asnjëra palë, dhe vendimi bëhet i formës së prerë, personave të dënuar iu lëshohet urdhëresa për vuajtje të dënimit me burgim. Megjithatë, disa veçse kanë paralajmëruar ankesë.

Në një situatë të atillë, pra nëse rasti shkon në instanca tjera, zbatimi i vendimit mbetet pezull – rrjedhimisht, nuk do të ketë urdhra për dënime me burgim, dhe pensionin do të vazhdojnë ta marrin edhe ata që dyshohet se nuk duhet të jenë pjesë e listës.

Përmes vendimit, Gjykata e ka obliguar Qeverinë në detyrë të Kosovës që, pasi ai ta marrë formën e prerë, të formojë një komision, i cili do t’i shqyrtonte sërish rreth 19.500 aplikacionet e dyshimta, dhe do t’i largonte nga lista emrat që nuk i kanë plotësuar kriteret.

Kabashi e sheh këtë vendim si zgjidhje alternative, për faktin se për verifikimin e aplikacioneve do të duhej të angazhohej një aparat i tërë për ta analizuar secilin prej tyre.

Për disa njohës tjerë të çështjeve të drejtësisë,  ky rast duket se është i destinuar që të dështojë.

Ata argumentojnë se ka kundërthënie në vendimin e gjykatës, për faktin se është thënë të jetë bërë dëm dhe se janë shqiptuar dënime me burgim, mirëpo gjykata nuk ka arritur t’i verifikojë vetë listat dhe topin ia ka hedhur qeverisë.

Sa veteranë i ka Kosova njëmend?

Ndonëse epilog të rastit nuk ka, për numrin e saktë të veteranëve ka pasur gjithmonë dyshime.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati thënë më 2018 që në luftë nuk ka pasur më shumë se 12-15 mijë luftëtarë me uniformë të UÇK-së, dhe se të gjitha shifrat tjera janë “mashtrime”.

Më 2023, kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se beson që ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve, që sipas komandantëve të UÇK-së janë diku rreth 20 mijë, ndërsa bashkë me pjesëmarrës numri shkon në mbi 60 mijë./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump, vonë të enjten, udhëzoi Departamentin e…