Një vdekje heroike

21 nëntor 2025 | 08:34

Charles Baudelaire

Fançuli ishte një gaztor që i mahniste të gjithë dhe mund të konsiderohej si mik i Princit. Por njerëzit, të cilëve natyra u ka dhënë dhuntinë të jenë hokatarë, kanë një tërheqje fatale për gjërat serioze. Megjithëse mund të duket e çuditshme që idetë e atdheut dhe të lirisë të zaptojnë në mënyrë despotike trurin e një istrioni[1], një ditë prej ditësh Fançuli u bë pjesëtar i një përbetimi të formuar nga disa fisnikë të pakënaqur.

Në çdo vend ekzistojnë njerëz të mirë, të cilët u kallë­zojnë organeve të pushtetit personat e pakënaqur që duan të rrëzojnë nga fuqia princat dhe ta ndryshojnë shoqërinë pa e pyetur fare atë. Kështu që fisnikët, dhe bashkë me ta Fançuli, u arrestuan dhe i priste një vdekje e sigurt.

Jam i bindur që Princi gati sa nuk u hidhërua, kur mori vesh se aktori i tij i preferuar bënte pjesë te krye­ngritësit.

Princi nuk ishte as më i mirë e as më i keq se të tjerët, por ndjeshmëria e tij e tepruar e bënte të ishte në shumë raste më mizor dhe më despot se princat e tjerë. I dashu­ruar me zjarr pas arteve dhe njohës i tyre i shkëlqyer, ai nuk ngopej kurrë me ëndje. Ishte mjaft mospërfillës ndaj njerëzve dhe moralit dhe një artist i vërtetë. Nuk njihte armik tjetër më të rrezikshëm se Mërzitja, dhe përpjekjet e çuditshme që bënte për ta larguar apo mundur këtë tiran do t’i jepnin shkas një historiani të rreptë t’i ngjiste nofkën e “përbindëshit”, në qoftë se në principatën e tij do të lejohej të shkruheshin gjëra të tjera përveç atyre që lidhen me kënaqësinë apo me magjepsjen, që është një nga format më të këndshme të kënaqësisë. Fatkeqësia e madhe e këtij Princi ishte se ai nuk pati kurrë një teatër për të shprehur gjithë gjeninë e tij. Ka Neronë[2] të rinj, të cilëve u merret fryma brenda kufijve shumë të ngushtë dhe që shekujt e ardhshëm do t’ia harrojnë përgjithmonë emrin dhe qëllimet e mira. E pakujdesshmja Fuqi e mbinatyrshme i kishte dhënë Princit dhunti më të mëdha se sa shteti i tij.

Papritmas, në principatë u përhap lajmi se sovrani dëshironte t’i falte të gjithë përbetuesit. Zanafilla e këtij thashetheme ishte shpallja për dhënien e një shfaqjeje madhështore në të cilën Fançuli do të luante një nga rolet e tij më të rëndësishëm dhe më të mirë. Në këtë shfaqje do të merrnin pjesë edhe fisnikët e dënuar, shenjë kjo e qartë, shtonin shpirtrat e përciptë, e kara­kterit zemërgjerë të Princit të fyer.

Çdo gjë mund të pritej nga një njeri që ishte ekstrava­gant në mënyrë aq të natyrshme dhe të vullnetshme. Ai mund të trego­hej i virtytshëm, bile dhe mëshirëplotë, sidomos kur shpresonte që me anë të këtyre vetive, të shijonte kënaqësi të papritura. Por, për ata që si unë, kishin mundur të depërtonin më së miri në thellësinë e këtij shpirti kureshtar dhe të sëmurë, kishte shumë mundësi që Princi donte të gjykonte për vlerat dhe talentin skenik të një njeriu të dënuar me vdekje. Ai donte të përfitonte nga rasti për të bërë një eksperiment fiziologjik me interes kapital, dhe të verifikonte se deri në çfarë pike prirjet e zakonshme të një artisti mund të ndikoheshin apo ndryshohe­shin kur ai ndodhej përpara një situate të jashtëzakonshme. Për­veç kësaj, nuk e di nëse ai e kishte vendosur të kishte mëshirë apo jo? Kjo pikë nuk u sqarua kurrë.

Më në fund, kur dita e shumëpritur erdhi, oborri i vogël i Princit shpalosi të gjithë salltanetet e tij. Do të ishte e vështirë ta përfytyroje, pa e parë vetë me sy, se çfarë shpenzimesh kishte bërë me rastin e kësaj feste madhështore, klasa e privilegjuar e një shteti të vogël me mundësi të kufizuara. Kjo ditë ishte dyfish solemne, në fillim nga magjia dhe luksi i shpalosur, pastaj nga interesi moral misterioz që lidhej me të.

Fançuli dallohej në mënyrë të veçantë në rolet pa fjalë ose me pak fjalë. Këta role janë shpeshherë rolet krye­sore në dramat madhështore, që kanë për qëllim të para­qesin në mënyrë simbo­like misterin e jetës. Ai hyri në skenë ngadalë dhe me hap të sigurt, gjë që forcoi te publiku fisnik, idenë e dhembshurisë dhe të ndjesës.

Kur themi për një aktor: “Është aktor i mirë”, ne për­dorim një formulim, i cili nënkupton që te trajtat e personazhit ne zbulojmë ende aktorin, domethënë artin, përpjekjet, vullnetin[3]. Por në qoftë se një aktor, do të kishte në lidhje me personazhin që luan, të njëjtin raport që do të kishin statujat më të mira të antikitetit po të ishin mrekullisht të gjalla, të lëviznin, të ecnin, apo vështronin, me idenë e përgjithshme dhe të paqartë të bukurisë, atëherë do të kishim të bënim, padyshim, me një rast të veçantë dhe krejtësisht të paparashikuar. Fançuli ishte atë mbrëmje një idealizim i përkryer i një statuje që ishte e pamun­dur të mos ta merrje për të gjallë e të vërtetë. Ai shkonte, vinte, qante, qeshte, thyhej në dysh, me një brerore të pashkatërrueshme rreth kokës, të padukshme nga të gjithë të tjerët, por të dukshme nga unë, në të cilën përziheshin në një amalgamë të çudit­shme, rrezatimet e Artit dhe lavdia e Dëshmorit. Fançuli paraqiste me një hijeshi krejt të veçantë në çdo numër, deri tek ata më eks­travagantët, hyjnoren dhe të mbina­tyrshmen. Penda ime dri­dhet dhe sytë më mbushen me lot mallëngjimi gjatë kohës që po përpiqem t’ju për­shkruaj këtë mbrëmje të paharrueshme. Fançuli më provonte në mënyrë të qartë, të pakundërshtue­shme, se ngazëllimi i Artit është më i aftë se çdo gjë tjetër të fshehë tmerrin e të panjohurës së errët; se gjeniu mund të luajë komedinë edhe në buzë të varrit me një gëzim që e pengon ta shohë varrin, sepse ndodhet në një parajsë ku ideja e varrit dhe e shkatërrimit nuk ekziston.

I gjithë publiku, megjithëse ishte i pandjeshëm dhe i cekët sa më s’bëhet, iu nënshtrua së shpejti sundimit të plotfuqishëm të artistit. Askush nuk e sillte më ndër mend vdekjen, zinë, vuajtjet. Të gjithë u harruan pa e kuptuar te kënaqësia e pamasë që jep pamja e një krye­vepre të artit dramatik. Shpërthimet e gëzimit tronditën disa herë kupolën e ndërtesës me energjinë e një bubu­llime të pandërprerë. Edhe vetë Princi, i mahnitur, për­zjeu duartrokitjet e tij me ato të oborrit.

Megjithatë, për një sy largpamës, dukej që mahnitja e tij nuk ishte e çiltër.

Mos vallë e ndiente se e kishte humbur pushtetin e tij des­potik?

Mos vallë e ndiente veten të poshtëruar se nuk ushtronte dot artin e tij për të tmerruar zemrat dhe mpirë trutë?

Apo ndoshta e ndiente veten të privuar nga shpresat dhe të ofenduar me parashikimet e tij?

Të tilla hamendje që nuk ishin plotësisht të përligjura, por as krejtësisht të papërligjshme, përshkuan shpirtin tim gjatë kohës që soditja fytyrën e Princit, në të cilën një zbehtësi e re i shtohej zbehtësisë së zakonshme, si bora që bie mbi borë. Buzët e tij shtrëngoheshin gjithnjë e më tepër dhe sytë i ndriçonin nga një zjarr i brend­shëm i ngjashëm me zjarrin e zilisë dhe të mërisë. Kjo gjë i ndodhte edhe kur duartrokiste haptazi dhuntitë e mikut të tij të vjetër, të gaztorit të çuditshëm që po e përbuzte aq bukur vdekjen. Për një çast, pashë Shkël­qesinë e tij të përkulej para një pazhi të vogël që gjendej mbrapa, dhe t’i fliste në vesh. Një buzëqeshje ndriçoi fizionominë çamarroke të fëmijës së bukur. Pastaj ai u largua me nxitim nga lozha e Princit sikur donte të kryente një porosi të ngutshme.

Pak minuta më vonë, një fishkëllimë e mprehtë dhe e zgjatur bilbili e ndërpreu Fançulin në një nga çastet e tij më të bukura dhe çau njëkohësisht veshët dhe zem­rat e njerëzve. Në të njëjtën kohë, një fëmijë u largua me nxitim, nga cepi i sallës prej nga buroi ky çmiratim i papritur, drejt korridorit, duke e mbajtur me zor të qeshurën.

Fançuli, i tronditur, u zgjua nga ëndrra, mbylli sytë dhe i hapi rishtazi duke i zmadhuar pa masë. Pastaj hapi gojën sikur donte të merrte frymë duke ngulçuar, u lëkund pak përpara, pak mbrapa, dhe ra i vdekur mbi skenë.

A ia hoqi kënaqësinë xhelatit fishkëllima e shpejtë si një godi­tje shpate? A e kishte menduar Princi se dredhia e tij do të kishte një rezultat vdekjeprurës? Na lejohet të dyshojmë. A i erdhi atij keq për Fançulin e tij të dashur dhe të paimitueshëm? Është e drejtë dhe e arsyeshme ta besojmë.

Fisnikët fajtorë u kënaqën për herë të fundit me një komedi. Gjatë natës ata u zhdukën nga faqja e dheut.

Që prej asaj kohe, shumë imitues, të cilët vlerësohe­shin me të drejtë në vende të ndryshme, erdhën për të luajtur në oborrit e…, por asnjeri prej tyre nuk kishte aftësitë e mrekullueshme të Fançulit, e as nuk mundi të ngrihej deri në të njëjtin rang.

 

Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”.

[1] Nga latinishtja histrio. Aktor që imitonte dhe luante me fyell në Romë pjesë të vogla komike me prejardhje etruske.

[2] Lucius Domitius Ahenobarbus, i quajtur ndryshe Tiberius Claudius Nero (37-68). Perandor romak (54-68) qysh në moshën 17-vjeçare. Person ekstravagant, i shfrenuar dhe i dashuruar pas arteve. Ai ishte, gjithashtu, aktor teatri dhe luante vetë në skenë disa instrumente, gjë kjo shumë e rrallë për një perandor.

[3] Autori këtu i referohet veprës së shkrimtarit francez Dëni Didro (Denis Diderot) (1713-1784), “Paradoksi i aktorit” (Paradoxe du comédien).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Martin Çuni, Lulet e jetës, Shkrola, Prishtinë, 2018…