Një vizitë e papërfunduar në Hagë

16 shtator 2022 | 11:49

Shkruan: Selman Ymeri

Ishte një propozim pothuaj në fillim të këtij viti kur në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, u ngrit çështja e realizimit të një vizite të paraburgosurve nga Kosova, në Qendrën e Parburgimit QP në Hagë.

Ky udhëtim u realizua me dt. 26-28 qershor 2022.

Me dt. 21 qershor 2022, nga Njësia përkatëse e QP-së, pranuam konfirmimin, se, ashtu siç kishim kërkuar, mund të vizitonim të paraburgosurit, por në atë konfirmim të QP-së në Hagë për lejimin e vizitave nuk bënte pjesë emri i z. Sali Mustafa.

Në ato çaste më vërtitej në ndërdijen time, se, kur përmendet emri i Dhomave të Specializuara, më dalin para syve skenarët më të errët dhe më të papastërt, si kundërpeshë ndaj sakrificës sublime ndaj njerëzve të zot të Kosovës, ndaj kauzës çlirimtare dhe ndaj krijimit dhe ndërtimit të themeleve të shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Mobilizimi i fortë i diplomacisë serbe, i mbështetur edhe nga faktori rus, arriti të prodhojë për fat të keq të Kosovës, një monstrum zvicerian të quajtur Dick Marty.

Dhe, për të qenë ironia më e madhe, ata zgjodhën edhe institucionin më të duhur për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut – Këshillin e Evropës, për ta promovuar këtë raport famëkeq dhe të shpifur.

Dhe, si rëndom “drejtësia evropiane”, edhe këtë herë karshi Kosovës, u tregua konfuze, e papastërt, e gatshme për të goditur, madje deri në kufijt paragjykues.

Madje, madje, ajo u tregua dyftyrëshe, u tregua që luan me dy apo me shumë standadrde, karshi kauzës sonë çlirimtare.

“Argumente” të trilluara le të bëhen sa më shumë, se pastaj edhe mjegulla që krijohet është më e madhe, dhe, sipas kësaj logjike, kërkohet më shumë kohë për t’u hequr kjo mjegull, dhe, mbase deri atëherë edhe “misioni i drejtësisë evropiane” do të përmbushej, pavarësisht argumenteve juridike dhe tregimit për të vërtetën dhe për luftën çlirimtare.

Po, pse po çuditem, e pyes veten, marrë edhe hisorikisht Evropa plakë, qëndron edhe sot, pak a shumë, në atë nivel të politikave të drejtësisë, apo drejtësisë në politikëbërje.

Seç mu kujtua Srebrenica, Prekazi, Meja, Kruasha e Madhe, Krusha e Vogël, Reçaku, Izbica, Suhareka, … e shumë e shumë masakra të tjera në Kosovë. Mendova më vehte,   a u shkaktua masakra më e madhe pas luftës së dytë botërore, në prani të forcave që fatkeqësishsht quheshin paqëruajtëse, që përbëheshin nga ushtarë të shteteve të Evropës.

Sot ka ndryshuar bazamenti juridik i Raportit të Dick Marty, dhe ne heshtim. Monstrumin sot po e ruan policia speciale e shtetit Zvicerian.

Po, ne si shtet, a duhet të shtrojmë kërkesa zyrtare dhe të argumentaura, ne kemi të drejtë t’i bëjmë pyetje qeverisë Zviceriane se nga kush po e ruan policia e Zvicrës Dick Marty-n dhe pse po e ruan.

Kosova i ka themeluar me ligj Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Institucionet e saj kompetenete, kanë të drejtë t’a kontestojnë përmes fakteve juridike, raportin e Dick Marty-t, dhe kjo nuk është ndërhyrje në punën e gjyqësorit, por është kërkesë për mbikqyrjen e zbatimit të ligjit. Ashtu siç ka të drejtë çdo Parlament ta mbikqyrë zbatimin e çdo ligji që e ka miratuar, kjo e drejtë i takon edhe Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Fundja, aktakuza është politike, dhe ne kemi të drejtë që me mjete diplomatiko-politike t’a kontestojmë themelësinë e një raporti të falsifikuar dhe të porositur, çfarë është ai i Marty-t.

Por, “drejtësia evropiane“ nuk po don trasnsaparencë.

Për shkak se treguan njëlloj transparence për letrat e aktakuzës, pikërisht, kjo “drejtësi evropiane“ i dënoi në procesin fillestar gjyqësor z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj me nga 4.5 vite burg.

Kështu foli “drejtësia evropiane“ për këta dy çlirimtarë.

Mesazhi i persekutorëve të pretenduar, është shumë i qartë, nuk mund të bëni transparencë pa marrë lejen tonë, sepse “drejtësia evropiane“ mundet të ju dënojë, edhe “di” të ju dënojë, edhe ju dënon …. madje …. madje,  këtë denim e shkruajmë “ Në Emër të Popullit “.

Udhëtimi për në Hagë filloi në ora 3:30 para mëngjesit, të ditës së diele, dt. 26 qershor 2022, kohë kjo kur u nisëm nga sektori i transportit të Kuvendit të Kosovës.

Aeroplani i linjës Prishtinë Vjenë po përshkonte me shpejtësi qiellin e Kosovës.

Në dalje të aeroportit të Amsterdamit, na priti z. Arifi, nga Ambasada e Kosovës në Hagë, një burrë pedant dhe i buzëqeshur.

Arifi në bisedë e sipër na tregoi se është edhe diplomat i karierës, por që sot ishte edhe në rolin e vozitësit të ambasadës sonë në Hagë.

Në rregull, mendoj me vete, pa bërë pyetje të tjera… mbase, nuk është e lehtë të ndërtosh sistem diplomatik efikas dhe shumë funksional, them me vete, dhe ne si shtet jemi në zanafillë të diplomacisë kosovare.

Pas vendosjes në hotel në Hagë, takimi i parë joformal është me ambasadorin e Kosovës në Hagë z. Dren Doli dhe bashkëpunëtorët e tij, në një kafiteri afër hotelit, në qendër të qytetit.

Në bisedë e sipër dikush nga ne e pyeti, a lejohet të kemi ndonjë fletore të vogël me vete, dhe menjëherë mësuam se asgjë me vete nuk lejohet.

Mendova me vete, kjo për mua si person i vetëm nga administrata e Kuvendit të Kosovës në këtë vizitë, do të mund të paraqet një hendikep, sepse momentet, evidencat në përgjithësi dhe bisedat më interesante, zakonisht, i evidentoj përmes lapsit dhe fletores.

Të hënen, më 27 qershor, në kohën e duhur, nga ora 8:30, Arbeni, vozitësi nga ambasada jonë na pret para hyrjes së hotelit, përshëndetemi me te dhe menjëherë biseda lidhet me të paraburgosurit.

Para hyrjes së hotelit përshëndetemi edhe me dy vëllezërit e Rexhep Selimit, të cilët do të vizitonin vëllanë e tyre këtë paradite.

Pasi nisemi, në bisedë e sipër, Arbeni na tregoi se dita e tij e punës ka filluar para disa orëve; isha në aerportin e Dyseldorfit për t’i marrë familjarët e njërit nga të paraburgosurit, thotë ai.

Ai ishte nga Prishtina dhe gjatë bisedës, me një dozë të theksuar besimi në vetvehte, thotë; më me dëshirë do të kthehesha në çfarëdo pune në Prishtinë, se sa këtu në Hagë.

Interesohem të mësoj për shkaqet e kësaj “dëshire“ të tij dhe pa ngurrim ma thotë, se, për shkaqe emocionale të familjarëve të njerëzve tanë që gjenden në QP, po e ndiej veten gjithnjë me emocione, po ndihem disi i prekur në shumë mënyra.

Më preku jashtëzakonisht kjo përgjigje e tij, thashë me vete, këto janë tramua që njerëzit përjetojnë sot, në mënyra të ndryshme.

Shpejt, parkohet vetura dhe para hyerjes së objektit, përshëndetemi me familjarët e z. Nasim Haradinaj, bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Nga biseda e rastit, mbes i befasuar për qëndrimin dhe vullnetin e çeliktë që i karakterizon këto zonja.

“Ne jemi mësuar tashmë me vizita të tilla. Edhe Nasimin dhe shokët e tij do t’i gjeni në gjendje të mirë shëndetësore dhe me një humor shumë të mirë”, na thotë bashkëshortja e Nasimit.

Na erdhi radha që të “ç’armatosemi“ nga gjësendet prersonale, jemi në procedurë të kontrollit të plotë – fizike dhe përmes skanerëve.

Mësojmë se ky është kontrolli i parë, na pret edhe i dyti, kështu qenka rregulli i kësaj qendre paraburgimi.

Pas përfundimit të kontrollit të parë ecim këmbë të shoqëruar nga gardianët, pak minuta deri te objekti tjetër, aty ku mbahen çlirimtarët tanë.

Pas hyrjes në objektin tjetër, gjatë kryerjes së kontrollit, në komunikimet e ndërsjella policëve / gardianëve me parsonat tjerë të QP-së, që na shoqëronin nga hyrja tek objekti  i parë, dëgjohen disa herë fjalët në gjuhën angleze –  human rights, –  human rights.

Gardiani që na shoqëronte na dërgoi në dhomën e takimit.

Ishte një dhomë e vogël, ndoshta e përmasave 3,5 x 2,5 m.

Posa ulemi vjen një gardian dhe na thotë se është kërkesë e z. Jakup Krasniqit dhe e z. Hashim Thaçi, që takimin me ne ta zhvillojnë bashkarisht, në të njejtën kohë.

Pas këtij konfirmimi, menjëherë në dhomën e takimit hyjnë z. Krasniqi dhe z. Thaçi.

Përshëndetemi me të dytë veç e veç, dhe pas pak vazhdon biseda shumë e afërt dhe e shtruar, ku  pyetja dominante ishte – Si e kemi Kosovën?

Rendi e deshti që Baca Jakup, t’a marrë fjalën i pari dhe të tregojë për peripecitë e rrugëtimit, të çlirimit dhe të bërjes së shtetit të Kosovës.

Përmend disa nga ngjarjet historike që mbeten përjetë në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Në fund ndalet te lufta e UÇK-së. Qëndrimin në burgun e Hagës, nuk e sheh në asnjë mënyrë si çështje personale.

Nuk është gjë e mirë për shtetin e Kosovës aktakuza e ashtuquajtur mbi ndërmarrjen e përbashkët kriminiale, madje është etiketa më e rëndë e pretenduar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ky pretendim ka për qëllim dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe të luftës çlirimtare, nuk e kam hallin personal, e rithekson me një vendosmëri dhe bindje të palëkundur.

Në vazhdim Baca Jakup, e përmend një krahasim interesant, thotë se mund ta mendoni edhe ju, edhe çdo qytetar i Kosovës.

Përderisa flet me një qetësi të paparë dhe herë herë me buzëqeshje, thekson se, nëse i referohemi zhvillimeve të deritashme, ka tendenca që ky proces gjyqësor, të tejkaloj çdo lloj të kufijve të mundshëm, kur dihet e dhëna, se, nëse krahasohet me proceset gjyqësore për të akuzuarit nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë,  për nga koha e zgjatjes, procesi gjyqësor i tanishëm, pretendohet të zgjasë, sa të gjitha proceset gjyqësore sipas Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, të cilat përfshinin luftërat në Kroaci (1991 – 1995), Bosnjë e Hercegovinë (1992 – 1995), Kosovë (1998 – 1999) dhe Ish – Republikën Jugosllave të Maqedonisë (2001).

Edhe z. Thaçi në fjalën e tij shprehet plot siguri, vullnet dhe vendosmëri për t’u përballur me këtë padrejtësi dhe për të dalur faqebardhë.

Vetë përpjekja e popullit të Kosovës për çlirim është faqebardhë, është fisnike, përpjekje e natyrshme për ta çliruar vendin tënd dhe për ta bërë shtetin tonë, që na e mohuan ndër shekuj.

Kauzat çlirimtare historikisht, kanë edhe sfidat e veta dhe mjaft shpesh varen edhe nga pozita e raporteve ndërkombëtare.

Atë që duhet demaskuar fuqishëm, me të gjitha argumentet që janë në anën tonë, është ndërmarrja e përbashkët kriminale. Kjo na bën dëme të gjithëve, popullit të kosovës, shtetit tonë dhe së ardhmes së vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Edhe takimi me Rexhep Selimin ishte shumë i përzemërt, ai hyri në dhomën e takimit me shumë disponim dhe me shumë buzëqeshje. Pasi përshëndetemi, vazhdojnë bisedat, shumë spontane dhe shumë të çiltërta.

Natyrisht, brengë e pashmangshme është tendencat e aktakuzës ndaj kauzës çlirimtare, kjo na bën të ndjehemi jo mirë të gjithëve, pavarësisht bindjeve dhe pozicionit politik. Për këtë do të qëndrojmë dhe do të mundohemi të dëshmojmë deri në fund, sepse argumentet janë në anën tonë.

Në takim me Rexhën, një pjesë e mirë e kohës kaloi duke folur për pikturën. Brenda kësaj kohe kishte pikturuar diku rreth 150 piktura.

Edhe z. Kadri Veseli dhe z. Hysni Gucati, kishin shprehur gatishmërinë që takimin me na ta mbajnë së bashku, në të njejtën kohë, dhe ashtu edhe ndodhi.

Biseda me ta ishte mbresëlënëse. Gatishmërinë dhe sakrificën e tyre për popullin dhe shtetin tonë askush nuk do të mund t’a ndalte, edhe sikur njëmijë herë të kishte nevojë për diçka të tillë.

Gucati foli edhe për temën e protestës së veteranëve që ndodhi para pak ditësh në Prishtinë, ku veteranët protestuan lidhur me trajtimin e tyre në Projektligjin e ri lidhur me pagën minimale.

Kjo që ndodhi me këtë projektligj, nuk do të duhej të ndodhte dhe kjo është e papranueshme, thotë ai, me një fjalë të qetë dhe plot siguri.

Duhet ta rregullojë këtë punë shteti, nuk duam të grindemi me policinë tonë, shumë nga policët kanë qenë pjesë e UÇK-së.

Edhe në këtë takim, brengë e pashmangshme ishte goditja e e kauzës sonë çlirimtare, përmes shpifjes – ndërmarrje e përbashkët kriminale, kjo nuk ka ngjarë me asnjë popull që luftoi për liri, kjo nuk ka ngjarë me asnjë lëvizje çlirimtare.

Takimi me Pjetër Shalën ishte mjaft prekës. Ai në fillim na tregoi se si e kishin arrestuar në orët e hershme të mëngjesit, pa paralajmërim dhe pa ftesë.

Unë, thotë ai në vazhdim, disi, tashmë jam mësuar me këto gjëra, me këto sjellje të vrazhdëta ndaj meje, ndonëse të panevojshme. Hallin e kam tek fëmijët e mi, të cilët kanë pësuar trauma, nga ai akcion policor, natën, kur ishim në gjumë. Ato trauma po i shoqërojnë fëmijët e mi ende, sot e kësaj dite.

Takimi fundit ishte me Nasim Haradinaj, Nasimi siç edhe e njohim në publik, është disi i veçantë, i drejtpërdrejtë, me homor të mirë,  plot energji, e mbi të gjitha me një vullnet të papërshkrueshëm.

Tregon për peripecitë jetësore që e kanë përcjellur në rrugëtimin e tij drejt lirisë dhe se si u ka bërë ballë këtyre sfidave, si një uragan i vërtetë.

Foli edhe për brengat e përgjithshme lidhur me çështjen e protestave të veteranëve lidhur me pagën minimale.

Mënyra e artikulimit dhe sinqeriteti i tij, për mua, flasin shumë më tepër, shumë më bindshëm për personalitetin e tij, për zemërgjerësinë e tij, për sakrificën e bërë dhe për gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij edhe në të ardhmen.

Më tutje, mësaum se Nasimi është gjithashtu një kuzhinier shumë i mirë, këtë zanat mbase mund ta ketë mësur gjatë viteve të mbajtjes së burgut, apo është dhunti e zotit, apo që të dyjat së bashku, mendova.

Dalëngadalë, ofrohet koha e ndarjes, ora është rreth 14. Njëri nga gardianët hap derën dhe me një qasje shumë të butë, na tregon për kohën.

Përshëndetemi me Nasimin me ndjenja të papërshkrueshme, pastaj përshëndetemi edhe me familjarët e Nasimit të cilët ishin në dhomën përballë, ndërsa në dalje të atij koridori përshëndetemi edhe një herë Rexhën dhe dy vëllezërit e tij të cilët vazhdonin vizitën akoma.

Shoqërohemi nga stafi i qendrës nga ndërtesa ku u mbajt takimi deri në ndërtesën tjetër në hyrje.

Në ato çaste, unë përshkohem nga ndjenja të shumta, emocionale, të ftohta… akull…të ngrira … athua, mendova me vete sa miliona mendime vardisen në këto momente në kokën time…

“Ne po ecim“, ata po i lëjmë këtu… për çka… cili është mëkati i tyre… vuajtja  dhe sakrifica për çlirimin e Kosovës së robëruar nga rexhimet serbe dhe sllave… liria e vonuar…”drejtësia evropiane“… gratë e dhunuara gjatë luftës… fëmijët e vrarë në luftë…. diplomacia jonë… akademia jonë e shkencave… thashë me vete… po sikur të ishin të gjallë fizikisht, ndoshta, edhe Baca Shaban, Ademi e Hamza, Zahiri, Hakifi, Edmondi, Xheva e Fehmiu, dhe shumë e shumë të tjerë,  mbase, mund të ishin në këtë burg…

Seç mu kujtua sintagma më absurde në dënimin e Hysniut dhe Nasimit “Në emër të Popullit”….

Përkundër dëshirës sime të mos e ndërpres veten nga milona monologje që zhvilloheshin në mendjen time, erdhi momenti që tek recepcioni i fundit t’i marrim çantat dhe gjësendet tona të mbyllura në rafte metalike.

Ofrohem tek kutia metalike, shtyp kodin katërshifror me kujdes dhe pres që ta hap kutinë, kutia  nuk hapet. Provova për herë të dytë, po me kujdesin e njejtë, shtyp kodin katërshifror, por përsëri nuk hapet. Deputetët tashmë i kishin marrur gjësendet apo çantat e tyre dhe më prisnin që të dalim së bashku nga kjo hapsirë.

Eja, më thotë njëri nga deputetët, prit ia kthej, se nuk po hapet dera e kutisë.

Si s’po hapet thotë ai dhe ofrohet afër meje, mos e ke harruar kodin, më pyeti deputeti përsëri.

Jo, nuk është e mundur t’a harroj, ia tregoj kodin, edhe ai e shtyp, përsëri nuk hapet kutia.

E shtypim kodin në një tjetër kuti, hapet ajo, por aty nuk është çanta ime, është një çantë tjetër më e vogël dhe bashkë me te edhe një sako verore. Mos është kjo, më pyeti deputeti përsëri, jo, ia kthej për së dyti, apo për së treti. Po si u hap, vazhdon dialogu mes meje dhe deputetit, po mbase, rastësisht, mund t’i kemi kodet identike me pronarin e panjohur të asaj kutie ku ishte edhe sakoja, por kutitë janë të ndryshme, i them unë. Vërtetë çudi!!!

Më pas, ofrohemi tek recepcioni dhe i tregojmë zyrtares policore apo gardianes, që nuk po hapet ky raft. Ajo, pa një pa dy na tha, mos provoni më, pritni vetëm pak, u ngrit të këmbë, e identifikoi renditjen e “raftit problematik” dhe pas pak erdhi me një letër në dorë, me kodet e shkruara me laps kimik të cilat i nxori nga regjistrat e saj dhe pas dhënies së kodit nga gardiania, kutia hapet.

“Incidenti“ ndërmjet çantës sime dhe kodit elektronik, më ngjalli disa mendime shtesë, ç’farë ndodhi, pyesja veten… kodi tentoi ta mbajë çantën të mbyllur apo çanta nuk deshti të dalë, akoma pa u mbushur mirë me evidenca, fakte të tjera dhe kujtime nga QP në Hagë, …. më bëhej se po më fliste çanta mua…. dua akoma të mbushem me shënime dhe evidenca të gjithanshme se këtu ka për çka të shkruhej… ka për çka të flitet…këtu po bëhet shkelje e të drejtave të njeriut…

Më bëhej se nga çanta, e drejt e në mendjen time zinin vend një milion pyetje…:

A ka ndryshuar konteksti juridik i aktakuzava të shpifura të Marty-t? A e dini se Dick Marty-n sot e ruan policia speciale Zviceriane? A e dini se nga kush e ruan policia speciale Zviceriane këtë monstrum të shekullit XXI? A e dini se pse po e ruan? A keni bërë ndonjherë ndonjë pyetje ose komunikim, apo notë verbale me shtetin Zvicerian, për të mësuar mbi faktet e reja ndaj Marty-t?

A e dini se po shkelet Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut? A ka dhënë Republika e Kosovës garancionet e kërkuara nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, për mbrojtjen në liri për të paraburgosurit? Nëse Republika e Kosovës, i ka dhënë garancitë e kërkuara, pse nuk po kërkoni lirimin nga paraburgimi, si një e drejtë legjitime? A i ka themeluar Kuvendi i Republikës së Kosovës me Kushtetutë dhe me ligj, Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar? A është bërë ndonjëherë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës Mbikqyrja e zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar? A mundet Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë një Rezolutë, ku do të viheshin në pah këto çështje? A i jeni drejtuar ndonjëherë BE-së dhe institucioneve të saja me ndonjë letër ose kërkesë lidhur me zhvillimet e reja që kanë ndodhur në ndërkohë? A i keni dërguar ndonjëherë ndonjë letër informuese / njoftuese Këshillit të Evropës, se ka elemente të mjaftueshme që dëshmojnë shkeljen e Nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut…? A keni dëgjuar ndonjëherë qoftë edhe të vetmen fjalë nga ana e “Avokatit të Popullit” të Dhomave të Specializuara? Po, ku keni parë ju edhe këso duplifikime absurde, edhe Avokat të Popullit të Kosovës edhe Avokat të Popullit të Dhomave të Specializuara? A e dini se….a e dini se…

Nga mendimet e tilla nuk munda të shkëputem për një kohë të gjatë….në ndërkohë, ne kishim bërë një foto para qendrës së paraburgimit dhe tashmë po transportoheshim me automjetin e ambasadës sonë për në hotel, ku ishim të vendosur…

Gjatë kthimit, me datë 28 qershor, në orët e mbrëmjes, në aeroportin e Vjenës kishim kohë të mjaftueshme deri në nisje të aeroplanit.

Fillova të bëjë një “sheti” nëpër titujt e portaleve tona, sikur për inat, që të më bënte kokën time edhe më të ngarkuar me shumë pyetje dhe dilema që mbisundonin kujtimet e mia dhe imagjinatën time, befas, më ra në sy titulli: “Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, publikuan Raportin e punës për vitin 2021”.

Përpiqem, në vetvehte të tërheq disa paralele..  lidhur me këtë raport… e para, Raportin e punës për vitin 2021, Dhomat e Specializuara e publikuan sot, më 28 qershor 2022, që i bie me 6 muaj vonesë.

Pyetja e dytë që i bëra vetes, ky raport, pse qenka dasht të publikohet pikërisht një ditë më vonë, pas vizitës së delegacionit të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, të Kuvendit të Kosovës, në QP në Hagë.

Pyetja e tretë, a është kjo një koincindecë…, a është një gjë e rastësishme … apo kjo duhet të flasë për ndonjë konkluzë tjetër që duhet të nxerrim, ne si shtet.

Pyetja e katërt, a ka diçka të rastit në politikë, a ka diçka të rastit në këto çështje shumë të ndieshme të natyrës juridike, të cilat ne duhet t’i trajtojmë me shumë kujdes, në mënyrë të argumentuar dhe sistematike.

Me këto mendime të këtij lajmi të ditës, fluturimi Vjenë – Prishtinë, i orëve të vona të natës së 28 qershorit, më duket se kaloi shumë shpejt.

Në orët e hershme të para-mëngjesit të datës 29 qershor, u kthyem  në Kosovë me zemër të thyer e me mendje tek udhëheqësit tanë të UÇK-së, të cilët po mbahen të izoluar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Shënim: Pikëpamjet e autorit të këtij shkrimi nuk ndërlidhen në asnjë mënyrë me rolin dhe detyrat në administratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
400 metra kabllo janë vjedhur në rrugën “Elion Zherka” të…