Njohësit e proceseve politike: Dialogu me Serbinë mos të ndërlidhet me Specialen

09 dhjetor 2020 | 11:23

Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë me dije se dialogu për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë në Bruksel më 10 dhjetor, në takimin ndërmjet delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për media ai ka thënë se pret që ky proces të përmbyllet brenda disa muajsh. Sipas tij, një marrëveshje e mundshme përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ta përfshijë njohjen reciproke.

“Atë që e kam thënë vazhdimisht, e them edhe sot, ky është një proces i kufizuar në kohë dhe është çështje muajsh. Besoj se për disa muaj vijmë në fund të këtij procesi. Unë do të doja që në fund të vijmë me marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke ose do të konkludojmë se nuk mund të merremi vesh për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke”, ka thënë Hoti. Takimi i së enjtes në Bruksel do të zhvillohet në nivel të ekspertëve, ku ekipi nga Kosova do të udhëhiqet nga koordinatori shtetëror për këtë proces, Skender Hyseni.

Ky proces do të vazhdojë pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të AAK-së, partisë së dytë më të madhe në koalicionin qeverisës, që procesi të pezullohet përkohësisht për shkak të aktakuzave të para të Gjykatës Speciale. Madje kërkesën për ndërprerje të dialogut, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili është edhe përfaqësues i AAK-së në këtë proces, ia kishte bërë kryeministrit edhe në mbledhje të qeverisë në fillim të muajit të kaluar.

“Këto aktakuza, më shumë se efekt juridik, po prodhojnë efekt politik, për të cilën s’bën të qëndrojmë duarkryq. Konsideroj se Qeveria e Kosovës duhet ta pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër. Dhomat e Specializuara kanë pranuar dosje të fabrikuara nga shërbimi sekret i Millosheviqit. Derisa nuk e bën të qartë se UÇK-ja nuk është një grup i organizuar kriminal atëherë brishtësia e sigurisë nacionale është e shprehur”, kishte thënë Selimi.

Mirëpo pretendimet e AAK-së kryeministri i kishte hedhur poshtë.

Njohësit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi kanë thënë se ky proces nuk duhet të ndërlidhet me procesin e Gjykatës Speciale. Madje kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë për “Epokën e re” se një ndërlidhje e tillë është naive.

“Për mua është naivitet i madh të lidhet dialogu me këto procese gjyqësore. A nuk e kemi ditur ne se një ditë gjykata do ta fillojë punën? A nuk e kemi ditur ne se Serbia me punën e saj të pandalshme qëndron prapa saj? A nuk i kemi ditur ne tash e 20 vjet qëndrimet e Serbisë? Dialogu nuk duhet të lidhet me procese të tilla. Problemin që e kemi si shoqëri me dialogun është se asnjëherë nuk kemi qenë të bindur se dialogu është në dobinë tonë. Andaj edhe sillemi ndonjëherë si fëmijë të llastuar”, ka thënë Murati. Sipas tij, e rëndësishme është që liderët e Kosovës duhet të dinë se çka po duan nga ky dialog.

“Puna është se politikanët tanë në diskursin e tyre rreth dialogut me një nëntekst që kuptohet lehtë e çojnë mesazhin se ne nuk e duam dialogun, por e bëjmë për shkak të aleatëve tanë. Andaj edhe ne pastaj nuk dimë se çfarë duam nga dialogu, nuk kemi një platformë të përpunuar politike dhe vetëm vazhdon mashtrimi i opinionit se po shkojmë në dialog për njohje”, ka thënë Murati.

Edhe ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mendon se Kosova nuk duhet ta ndërpresë njëanshëm këtë proces.

“Sjellja destruktive e Serbisë ka eskaluar edhe më shumë. E kam thënë këto ditë, se derisa e gjithë bota mendon se si të lehtësohet gjendja e popullatës nga pandemia, Serbia e ka mendjen te lufta. E ka shtuar retorikën e luftës, madje bën edhe anketa në këto drejtime, që tregon se problemi kryesor i Ballkanit është Serbia, pra faktor destabilizues i sponsorizuar edhe nga politikat destruktive ruse. Kjo për Ballkanin është shqetësuese”, ka thënë ajo, duke shtuar se partnerët euroatlantikë si ShBA dhe partnerët evropianë duhet të mobilizohen që Ballkani të mos kthehet edhe një herë në një fushëbetejë të agjendave gjeopolitike.

“Kur jemi te proceset euroatlantike, mendoj se Bashkimi Evropian tani duhet të mendojë shumë më shumë për Kosovën. Koha është që të liberalizohen vizat këtë vit dhe të mos shtyhet më tej ky proces, se me të vërtetë BE-ja ka rënë në provim para Kosovës sa i takon liberalizimit të vizave, por edhe të përshpejtohet procesi i hapjes së negociatave për anëtarësim për Kosovën. Pra t’i jepet statusi i kandidatit, sepse kjo është koha kur BE-ja mund të shtrijë një dorë më të fuqishme drejt Kosovës për ta mbështetur në proceset eurointegruese dhe euroatlantike”, është shprehur Tahiri.

Dialogu në Bruksel ka rinisur në muajin korrik të këtij viti, ku u mbajtën takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Takimi i korrikut u pasua nga një takim në shtator, por që nga ajo kohë palët nuk janë takuar më. Lidhur me mosmbajtjen e raundeve të reja të bisedimeve në nivelin e lartë politik, BE-ja është arsyetuar me situatën që ka të bëjë me pandeminë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe ambasadori i Gjermanisë në…