NUK BAN ME HUP GJAKU I TYNE

17 prill 2024 | 09:04

Rrëfimi i të mbijetuarës Lumnije Hysenaj-Muçolli në masakrën e Poklekut të Vjetër

Lumnije Hysenaj-Muçolli ka lindur më 1 mars 1974 në Abri të Epërme të Drenasit (ish-Gllogocit). Është fëmija i parë i prindërve Hajzer dhe Hamide Hysenaj dhe i katër motrave dhe dy vëllezërve. Është martuar në vitin 1994 me Shaban Muçollin nga Pokleku i Vjetër. Së bashku i kanë tri vajza dhe një djalë. Në gjenocidin që kryen forcat e armatosura serbe në Poklek, më 17 prill 1999, mbi fëmijë, gra, burra dhe pleq, Lumnija mbijetoi dhe shpëtoi. Është një prej gjashtë të mbijetuarve të këtij krimi. Ajo e sfidoi vdekjen edhe kur vdekja një milion herë i trokiti pranë, ndërsa Lumja dy milionë herë u ringjallë dhe u bë heroina e jetës së vet, e vajzës Arbenitës që ishte vetëm 3.5 vjeçe dhe heroina e nipit të familjes Muçolli, Leutrim Caraku, i cili ishte vetëm nëntë vjeç në ditën e kobshme. Lumnija, atëherë 25 vjeçe, mbeti gjallë të tregojë tmerrin që përjetoi dhe që arriti të shpëtojë në çastin e fundit bashkë me vogëlushen e saj, para se milicia serbe t’ua hidhte benzinën e t’ua fuste flakën 51 civilëve shqiptarë. Lumja tani është nënë e katër fëmijëve, Arbenitës së mbijetuar, Mehremes, Denizes dhe Enisit. Jeton me bashkëshortin, Shabanin, të cilët së bashku e menaxhojnë gjellëtoren “Nita” në Drenas. Ajo është kuzhiniere, kurse ai u shërben klientëve.

Rrëfimet e Lumnijes janë të ndara në katër etapa kohore të ndryshme. Rrëfimet e intervistave që ua ka dhënë medieve të Shqipërisë në kohën e luftës, kur ka dalë refugjate në maj të vitit 1999. Pas luftës, në vitin 2008, një reportazh dhe intervistë me dhe për Lumen e ka bërë revista për gra “Teuta”, në korrik-gusht të vitit 2008 në Kosovë. Në prill të vitit 2010 “Star-TV”, televizion lokal në Drenas, ka bërë një intervistë me Lumnijen, konkretisht gazetarja Teuta Krelani. Lumnija ka edhe një rrëfim të shkruar pas luftës po nga dora e saj. E kam edhe rrëfimin që i kam marrë unë (autor i kësaj monografie), me disa detaje të pathëna në intervistat e mëhershme. Ajo sa herë që pyetet për ngjarjen, gjen fakte dhe shpalos tmerret e ngjarjeve të papërshkruara më herët.

Zonja Lumnije, si e kujtoni 17 prillin e 1999-s?

Në mëngjesin e kobshëm të 17 prillit 1999 erdhi baca Sinan (Muçolli) dhe na tha: “Çohuni ikim se jemi të rrethuar në të katër anët”. Ishte ora 6.00 e mëngjesit. Dolëm të gjithë tubë, bashkë me mysafirët që kishin ardhur për strehim dhe shpëtim te ne. Ecnim në atë natje të freskët. Pranvera e atij viti nuk ishte e nxehtë. Kur mbërrimë te xhamia e qytetit, na dolën përpara milicët serbë. E skajuan bacën Sinan dhe i thanë: “Kthehuni, se në Poklek nuk ka asgjë!” Menjëherë gjuajtën me automatik. Na kërcënuan se, po s’u kthyem, do të na vrasin të gjithëve. Pa mbërritur te livadhet e fshatit, ia nisi një shi i rreptë, që të shponte. Serbët gjuanin në të gjitha anët. Aty, në shi dhe livadh, na mbajtën mbi një orë, pastaj kur u bë ora 9:00, ashtu qull, na drejtuan në shtëpinë tonë të Muçollëve, që të gjithëve. Së pari na numëruan. “Pak janë”, tha milici shqip. Pastaj ngjarja u zhvillua tmerr­shëm. Ne, grave, fëmijët e vajzat…, na kishin futur në një dhomë rreth 60 veta. Hynte dhe dilte milici me automatik në dorë. Pas pak dëgjuam urdhrin se duhej të dilnim të gjithë jashtë. Kur dolëm na numëruan sa ishim. Na radhiten një nga një. Ishim 59 veta, prej këtyre 23 fëmijë të moshës nën 12 vjeç, 9 nxënës të fillores, të tjerët foshnja, një vetëm gjashtë­muajshe. Që të gjithë të familjes së Muçollëve. Aty me ne ishin edhe katër veta të Carakëve të Dobroshecit, që kishin ardhur për t’u shpëtuar serbëve, si dhe një mbesë e familjes Hoxha nga Korrotica. Me ne ishte edhe poeti Ymer Elshani së bashku me gruan, katër djemtë e vet dhe kunatën. Ishin 15 vajza prej moshës 18-23 vjeçe, nuse dhe gra të moshës së pjekurisë, si dhe katër djem të moshës madhore.

Pasi na numëruan, njëri milic i tha tjetrit shqip: “Pak janë!”. “Jo”, ia ktheu ai. “Mjaft janë. Futini brenda!” Pas pak përsëri na nxorën jashtë. Na ndanë: gratë në njërën anë, burrat në tjetrën dhe na urdhëruan t’i mbanim duart në zverk. Iu kthyen bacës Sinan: “Pse të gjithë këto gra e nuse pa burra? Ku i keni djemtë?” “I kemi jashtë” iu përgjigj shkurt baca. “S’është e vërtetë. I keni në mal!” – e kërcënuan. Ç’është e vërteta, të gjithë meshkujt ishin ushtarë, vetëm dy ishin me punë në Gjermani. Përsëri na futën brenda, kurse katër burrat ndaras nga ne. Këto veprime po i bënin gjithsejtë tre pjesëtarë të milicisë serbe, të tjerët, me tanke, ishin më larg. Njëri rrinte jashtë, tjetri te dera, i treti brenda në dhomën tonë, që herë hynte, herë dilte. Të ngjitura pranë njëra-tjetrës, dëgjonim çfarë po ndodhte, deri kur do të na mbanin kështu. Torturat më të mëdha nisen mbi trupin e Ymer Elshanit dhe bacës Sinan, ndërsa fëmijët e gratë e tyre ishin me ne në dhomë. Herë i futnin brenda, herë i nxirrnin jashtë. I torturonin, i fyenin, i kërcënonin për ekzekutim. Kështu na mbajtën prej orës 9.00 të mëngjesit deri në orën 4.00 të pasdites. Ndërkohë u dëgjua krisma e parë. Shkrepën në qenin e shtëpisë. Frymëmarrjet dhe dridhjet tona nisën të shpeshto­heshin. E shtrëngoja Arbenitën në prehër. Frikësohesha çfarë do të na ndodhte. Pastaj, pas shumë mundimeve, i nxorën përsëri Ymerin dhe Sinanin. S’vonoi shumë, i dëgjuam të shtënat e tjera. I pushkatuan. Nënat me foshnjat në gji u zbehën, sikurse edhe të katër fëmijët, e shoqja dhe kunata e Ymerit që ishin me ne.

Pastaj…?

Në dhomën ku na kishin ngujuar nisën britmat e grave, piskamat e fëmijëve. Kërkonim të na hapnin derën që të dilnim.

Tash ndodhi ngjarja tjetër. Milici e hapi derën dhe gjuajti një bombë si me helm. Na trullosi mirë. E di që më fishkëllyen veshët e m’u nxinë sytë. Dëgjoja vetëm automatikun që kërciste, asgjë tjetër nuk dija e shihja. Kur u kthjella, e pashë veten në anën tjetër të dhomës, nën shporet. Përsëri milici e hapi derën, e gjuajti bombën tjetër, shpejt e mbylli derën dhe iku. Tymi i bombës e pushtoi dhomën. Pas shpërthimit të saj përsëri hyri milici me automatik në dorë. Filloi të shtënat radhazi mbi të gjithë, edhe ndaj foshnjës gjashtëmuajshe që ishte në prehër të së ëmës. Ishte pamje tmerri. Përmbi mua kishin rënë kufomat e grave, mbi këmbë e kisha kunatën, motrën e burrit, çikë e re, Bahrie e ka pasur emrin. Mua më kishte rrokur plumbi në dorë të majtë. Më kishin shpëtuar trupat e të rënave mbi mua. Kur doli milici nga dhoma, shkrepi edhe nja 3-4 herë me automatik. Një nga milicët që ishte te dritarja tha: “Hajde, boll ma, u kry”, ndërsa ky që bëri masakrën, krimin mbi civilë, në vend të përgjigjes, hyri edhe njëherë në dhomë, i shqelmoi të shtrirët në tokë, i pështyu dhe u largua. Pasi doli, u çuam ngadalë ne që kishim mbetur gjallë, e vajzës që filloi të qante ia mbylla gojën.

Si shpëtuat?

Kur milicët na lanë për të vdekur dhe shkuan të merrnin benzinë për të na shtënë flakën, unë bashkë me vajzën time dhe me Leutrimin dolëm nga dhoma e gjakut, u ngjitëm shpejt në katin e tretë të shtëpisë, ku kishin shkuar edhe mixha Ramadan dhe plaku Hysen. Elhemja, që nga gjuajtja e bombës së parë, e plagosur rëndë në zog të këmbës, kishte kërcyer nga dritarja dhe kishte ikur. Në atë grumbull njerëzish kishin mbetur gjallë edhe katër veta, me trupa të përgjysmuar: Eminja, vajzë 20 vjeçe, djali i Ymer Elshanit, që me gjysmë trupi, duke u tërhequr zhargas, doli në korridor, nusja Floria me të dyja këmbët e këputura, vëllai i Elhemes… Mbaj mend të më ketë thënë Eminja: “Oj Lume, mbasi më paska shkuar krejt familja, s’kam pse të jetoj ma!” Derisa isha në katin e tretë, vajza nisi të çante. Leutrimi thoshte: “Çomë ta shoh nanën!…”. Para se milicët të ktheheshin me bidonë të benzinës, të cilët i derdhën mbi trupat e të vrarëve dhe të të gjallëve, të cilët nuk pati kush t’i merrte, unë ika vetë e treta. Teksa po dilnim, tek oda jonë, Leutrimi m’u kthye: “Oj Lume, këqyr, këqyr ku i paskan vrarë dajën Sinan dhe Ymerin!”

U larguam. Në një shtëpi të fshatit takova një grua pranë bunarit që po nxirrte ujë. Iu ofrova: “Ooo, a ka Zot për mua… a ka rob në këtë shtëpi?!” Gruaja e trembur e lëshoi kovën e m’u afrua: “E kujt je, bijë?” “O mos më pyet, se i kanë vrarë të gjithë, po shtinum brenda!” Doli edhe një plak. Pasi na dhanë ujë, m’u kthye: “Ndoshta je habitur, moj bijë, se nuk është e mundur t’i kenë mbytur të gjithë!” “Oh bre, prej mëngjesit na kanë ngu­juar”, – i thashë, ndërsa ai, pasi shikoi habitshëm nga shtëpia jonë, përsëri m’u kthye: “Po ajo shtëpi po kallet, bre, e ti po thua se kanë mbetur të plagosurit gjallë në të!”

Rrëfimin nga këtu e vazhdon në një intervistë tjetër.

Nga Pokleku, Lumnija shkon në fshatin e afërm, Vasilevë. Me burrin, Shabanin, takohet pas një jave. Duke i ndërruar shtëpitë, Lumja qëndron edhe dy javë në rrethinë të Drenasit, derisa forcat serbe i dëbojnë për në Shqipëri. Rrëfimi i saj më tutje vazhdon: “Na hipën në autobus dhe na nisën. Rrugës për Shqipëri takonim shumë njerëz kah ecnim këmbë, por edhe milici dhe ushtri serbe, të cilët, sapo na shihnin, dilnin nga mali e nga kaçubat dhe këndonin shqip: “Oj Kosovë, oj nana ime!”, gjithë ironi, nga qejfi që po na dëbonin “përgjithmonë” nga Kosova. Na zbritën nga auto­busi pa mbërritur në kufi, pastaj vazhduam këmbë. Në Kukës patëm konakun e parë”.[1]

Intervista dhënë “Star-Tv”, Drenas, 2010

Znj. Lumnije, kur i keni parë forcat serbe që kanë rrethuar Poklekun, ju jeni nisur në drejtim të Drenasit, mirëpo ato në gjysmë të rrugës ju kanë ndalur, ju kanë thënë të ktheheni në shtëpi. A ju kanë thënë se do të jeni të sigurt nëse ktheheni në shtëpi?

Përafërsisht ka qenë kah 7.00 kur kemi dalë prej shtëpisë. Kemi shkuar te shtëpia e mixhës. Jemi bërë bashkë me ta dhe kemi shkuar deri te xhamia e Drenasit. Kur jemi afruar aty, i pamë katër milicë me një xhip dhe tanke që ishin vendosur para xhamisë. Baca Sinan u afrua afër tyre. Pasi foli me ta në gjuhën e tyre, erdhi dhe na tha: Po thonë kthehuni, se s’bën të dilet matanë. U afrua edhe njëherë ai milici te baca Sinan, i tha kthehuni për Poklek, se atje jeni të sigurt, se aty s’ka asgjë. Baca Sinan na tha po thonë më sigurt në Poklek sesa me dal në Drenas. Por, prapëseprapë kemi filluar të ecim për Drenas. Kur ia filluan të gjuajnë me automatik përpjetë, krejt që ishim aty, burra, gra, fëmijë, ia kemi filluar me bërtit. U kthyem për Poklek. Kur kemi shkuar te një vig (urë e hollë hekuri për ta kaluar lumin), shiu filloi të binte më me rrebesh. Nja gjysmë ore kemi mbetur aty. Piskatnin gratë dhe fëmija. Shiu binte sixhim, ata gjuanin pa ndal. Kemi hyrë në katundin e Seferëve, po aty kishin qenë kallaballëk. Tri çikat tona thanë po shkojmë në shtëpinë tonë, se e kemi lënë shporetin ndez dhe teremi. Kemi shkuar në shtëpinë e bacës Sinan. Ua kemi zhveshur teshat e lagëta fëmijëve e ua kemi tha, u kemi dhënë bukë, edhe përgatitëm ushqim për të marrë me vete në rast nevoje. Deri në orën gjysmë katër pasdite kemi ndenjtë aty. Në orën 4.00 pasdite ia kanë filluar të gjuajnë prej Goranëve. Plumbat vinin edhe në shtëpinë tonë. Në orën 4.30 pasdite, derisa ishim duke e dëgjuar Radio Kosovën e Lirë, kanë ardhur dy milicë te shtëpia e bacës Sinan dhe kanë hyrë brenda. I kanë marrë Ymer Elshanin dhe bacën Sinan. Sa milicë kanë qenë në oborr, s’i kemi parë. Pasi i kanë nxjerrë jashtë, e kanë pyetur bacën Sinan ku i ke djemtë. Ky u tha i kam jashtë. Ai i tha qysh djemtë jashtë e gjithë ato gra e fëmijë brenda? I kanë futur prapë brenda e u kanë thënë: Me rob e me fëmijë e krejt sa jeni brenda, dilni në ballkon të shtëpisë të dorëzuar. Kemi dalë ne nuset që ishim brenda me fëmijë të vegjël, pastaj atë në gjuhën e vet na kanë bërtitur e ne gratë dhe fëmija jemi futur prapë brenda. Ata dy milicët i morën Sinanin dhe Ymerin. I kishin çu te shtëpia më poshtë e i kishin vrarë. Ne s’i kemi pa, po krismat i kemi dëgjuar. Kur i dëgjuam e ditëm që i vranë, edhe kemi ba me dal prej aty por, erdhi një milic…

Znj. Lumnije, ne e dimë se ju e keni shumë të vështirë ta përshkruani ngjarjen të cilën e keni përjetuar, mirëpo për shikuesit e ‘Star-Tv-së’, na përshkruani më hollësisht ngjarjen e masakrës që është bërë aty?

Erdhi milici dhe e hapi derën. Ne ishim në sallon dhe veç ishim gati të dilnim jashtë. Na ka bërtitur në gjuhën e vet: “Mos dilni!” Ne prapë donim të dilnim. Vetëm e ka mbyllur derën edhe një herë, gati krejt, e ka shti dorën brenda dhe e ka hedhur bombën. Bomba e parë ka qit si helm dhe tym. Katër ditë s’kam dëgjuar mirë prej veshëve që m’u mbyllën, pastaj, s’po mund as ta paramendoj, ka hyrë me automatik. Na gjuante me të. Unë s’e dija që jam plagosur në dorë. E kam kapur çikën që ia nisi të qajë. Me një setër të djemve që e kisha veshur, e kam ngrehur çikën, e kam mbuluar kokën dhe e këqyrja milicin me njërin sy. Endej në dhomë dhe gjuante në trupat e njerëzve sa mundte. Kur doli ai, e kam ngrehur kokën dhe e kam parë çikën që ishte mbuluar me gjak. Edhe vetë isha përplot gjak. E kam futur çikën nën sqetull e i kam thënë mos bëj zë, se milicia. Çika ime e madhe, Arbenita, atëkohë i ka pasur tri vjet e gjysmë. Pastaj ka krisur bomba e dytë. I kishte rënë një gruaje, së cilës filluan t’i digjeshin teshat. Unë veç e këqyrja milicin. Sapo e shpenzonte karikatorin, e ndërronte me tjetrin dhe gjuante. Kur iu mbush mendja se kanë vdekur të gjithë, filloi t’i prekë me këmbë. Kë e dëgjonte që bërtiste ose kë e shihte që lëvizte, e shkrepte automatikun në të. E kur ka dalë Elhemja prej dritareje s’e kam parë as s’e kam ditur.

Pasi janë larguar milicët, gjallë prej aty keni dalë ju, Elhamja dhe Leutrimi?

Pasi kanë dalë milicët kemi dalë ne. Unë me çikë, me Leutrimin, baca Ramadan dhe baca Hisen. Elhemja kish pas dalë ma herët. Të plagosur kanë mbetur aty pesë veta, reja e mixhës, Florija, me djalë, edhe çika e mixhës, Eminja, edhe djali i Ymerit ka qenë i plagosur në dy këmbët. Po edhe djali i bacës Elmi, i madhi. Pasi kanë dalë milicët, më shumë se një orë jam marrë me ata që kishin mbetur gjallë, edhe me kufomat e të vdekurve. Kur u çu nipi, Leutrimi, ka piskat: Oj Lume, a ban tha me këqyr veç ku asht’ nana. E kam marrë çikën e kam hy brenda në dhomë. E kam të renë e mixhës, që e kishte një fëmijë gjashtë muajsh, atje qoftë, rreth qafës e kish kap plumbi e i rridhte gjaku. I kish mbet fëmija në dorë, ajo e ngrirë. E kam qit çikën time në djep, e kam mbuluar me një qebe, ia kam marrë asaj djalin prej dore, Trimin, e kam nxjerrë jashtë. Çika ime veç piskaste, se dy pleqtë kishin pas dalë.

Si arritët të dilnit nga shtëpia? A kanë qenë milicët në oborr?

A kanë qenë a s’kanë qenë nuk dinim, se ne ishim brenda. Kur e kam marrë çikën e kemi dalë prej sallonit, jemi ngjitur në katin e tretë. Ia kam hequr teshat e përgjakura e ia kam veshur do të tjera. I kam lënë ata dy lart e vetë jam ngjitur një kat më lart. Prej aty i kam pa milicët te Gorantë. Kanë zbritur nga një automjet me kënata të verdha në duar. Sapo i pashë më shkoi mendja se do të kthehen sërish te ne. Trimi (Leutrimi) më tha: Oj Lume, nuk po shkojmë njëherë, po hajde dalim i lypim pleqtë ku janë. Dolëm. Kur shkuam më poshtë i pamë të vrarë bacën Sinan dhe Imerin. Kemi piskatur të dy. I kam thanë: O Trim, hajde kthehemi brenda edhe njëherë e të këqyrim. E kam marrë çikën e kur kemi dalë për të shkuar në katund, te një shtëpi, ka dalë një plak, nuk e di a ka qenë i katundit a refugjat, më pyeti: Bre bijë e kujna je? A je nuse a bijë? I thashë jam nuse. Reja e Halilit. Më tha po çka u ba? I kallëzova se jemi kanë qitu e i kanë mbyt krejt, veç unë me qeta dy fëmijë kemi pshtu. Ai ma bajke: Jo, je habit, s’është e vërtetë. O i thashë po. Po në cilën shpi jeni kanë? Të bacit Sinan, i thashë. Veç kur tha: Oh bre bijë, po ajo po digjet. Kur më kanë pa e dëgjuar mua, ia kanë nis me ik krejt refugjatët.

Ku keni shkuar pastaj?

Pastaj për Vasilevë. Katër ditë kemi ndenjtë aty.

A u takuat aty me Elhamen?

Po, kur kam shkuar aty më thanë ka pshtu çika e Elmisë. Unë kujtoja për Eminën, se ajo pat mbet gjallë. Ka qenë e plagosur në dorë. Kur e pashë Elhamen ia nisi po qan e po thotë: Masi m’ka shku familja, unë s’muj me jetu ma. Një ditë më tregoi se kish pas ra në bunar e ish pas lagë krejt. I thashë s’është e mundur me ra n’bunar e me pshtu. Po ajo kish pas ra valla.

Rrëfimi i Lumnijes dhënë në tetorin e vitit 2022

Lumja në këtë rrëfim flet me pietet për familjen e madhe Muçolli dhe për jetën që e ka kaluar në atë familje që nga viti 1994, kur është martuar me Shaban Muçollin dhe kur të gjithë ishin bashkë. Deri para ngjarjes së krimit serb, Lumja kishte vetëm vajzën, Arbenitën. Pas luftës i lindën edhe tre fëmijë të tjerë, dy vajza dhe një djalë.

“Më ka ra me ndenjtë me atë familje afër gjashtë vjet para se me ndodhë ngjarja. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë. Pas gjashtë vjetëve krisi lufta dhe shkatërroi gjithçka brenda familjes sonë. Na u vranë shtatë anëtarë të familjes së ngushtë dhe shumë të tjerë në familjen e gjerë…”, shprehet Lumja.

Ajo, si një prej protagonistëve kryesorë që i ka mbijetuar dhe i ka shpëtuar krimit në Poklek, rrëfen hollësisht për atë ditë të kobshme, kur ishin nisur për Drenas nga shtëpia e tyre, por forcat serbe i kishin kthyer prej xhamisë së Drenasit prapë për Poklek. Kur ajo ndodhej brenda dhomës së gjakut, brenda dhomës së gjenocidit, asaj i vjen një forcë e mbinatyrshme dhe ngrihet, e kap vajzën e saj 3.5 vjeçe dhe, përmes pellgut të gjakut, del nga dhoma së bashku edhe me Leutrimin.

Në pyetjen time se ku gjetët forcë dhe guxim për t’u ngritur e për të dalë nga dhoma, ajo shprehet:

“Për me marrë atë vendim Zoti ma ka qu e ma ka shti një fuqi dhe një mendje. I kam thanë vetes çu dil, se e kom para­mendu që shkijet kanë me u kthy apet. E kisha ni zaval, se vetë isha e plagume n’dorë. Kur jam çu as që e kam ditë unë, se me gjak plot, s’dijsha kah pom vjen, a prej dore a prej koke. Krejt jena kanë sikurna not kur t’hish n’ujë, qaq që ka pas t’humbun, a çikën e kisha shumë t’vogël. Dhe zavalli, qysh me iu ndihmu atyne që i shihsha tuj brit e tuj vdek për ni ndihmë sado t’vogël, ata që ishin plagos kishin nevojë secili për ndihmë, e nuk kisha fuqi me ia ofru kërkujna. Ata gjashtë ishin met gjallë t’plagosun randë, lypshin ndihmë, Leutrimi piskatke… ish tepër keq e randë me i pa njerëzit ashtu, dikush pa një dorë, dikush pa kambë, dikush trunin jashtë, dikush ftyrën hiç, krejt t’llamit, t’shtyptë, e tani nuk e nijsha veten mirë, s’isha n’gjendje vetes me i nimu e le ma atyne… e m’u dhimshin t’plagosnit që metën, e s’mujsha me iu ndihmu… kur e pajsha veten se nuk isha mirë, kom dal nga dhoma me Leutrimin dhe jam ngjit n’katin e tretë…”.

Nga kati i tretë ajo i ka vëzhguar forcat serbe të cilat ishin te lagjja e Goranëve, afërsisht 300-400 metra nga shtëpia ku po qëndronin të ngujuar. Momentin kur forcat serbe kanë filluar prapë të vijnë te shtëpia, me disa kënata-bure të verdha të derivateve në dorë, Lumja i ka marrë vajzën dhe Leutrimin dhe ka dalë nga shtëpia ku ishte, ka vazhduar pas shtëpisë së Sinanit dhe ka shkuar në drejtim të fshatit.

“Qaty kom than, o Zot nimom, amë forcë, edhe jam zhdjerg teposhtë… i kum bërtit atij nipit: O Trim, çu dalim se kanë m’u kthye apet. Ai tha jo. E lypke nanën e vet. Jam hi edhe niherë n’dhomën e gjakut. U munojsha me u dhanë ndihmë atyne sa kisha fuqi. Qaty e kom pa që s’ka mundësi kurrgju ma, edhe kam dalë jashtë me Trimin tuj nga. Kur jena shku poshtë te shpia jonë, i pamë bacin Sinan dhe Ymerin. I kishin pas vra. I kishin lanë pshtet për muri t’shpisë. Kom bërtit. I kom thanë Trimit jetë ma qitu s’ka, edhe jam kthy e kom marrë çikën, se e pata lanë mrena shpisë, n’djep t’çikës Qamilit, Lirisë. Ajo Liria u kanë veç gjashtë mujsh. Grusë t’Xhavitit, u kanë gjallë, e plagosme, ia kom lyp djalin. I ka pas një vit e gjysë djali. I thashë ama djalin, se po e marrë me Trimin dhe me Nitën e po dal. S’ma dha. M’tha kallxoj dikujt let vijnë me na marrë. E paramen­dojsha që kam kohë me ardhë e me u marrë me kta tjerët, m’i pshtu këta që janë met. Kam dalë mas shpisë me Nitën e Trimin. E pashë që dora m’dhimke shumë, edhe gjak m’qitke shumë. Aty kom nejt dy-tre minuta. Kam thanë: o Zot, kah me shku qitash? I kam marrë fminë dhe jom nis mas shpisë t’Mehdisë e n’drejtim t’katunit. Kam kalu mas shpisë së Mehdisë, e arave deri te ni shpi tjetër. Kisha hup. S’dijsha as ku jam. Ish kanë ni gru tuj marrë ujë te ni bunar. Kam brit e kam piskat: O Zot, nimom bre! Ka ardhë qajo gruja. Kur m’ka pa me dy fmijë e t’përgjaktë, m’tha qa u ba bre bijë? I thashë qishtu qashtu, jena kanë 50 e ma shumë vetë, veç unë me qeta dy fmijë kam dalë prej atyhit, do t’plagostë janë met, qysh janë met, s’di ma shumë. I kallxova që na kanë gju bume dhe krejt i kanë myt. Pastaj dul ni plak i vjetër dhe mpyti çka u ba bre bijë. I kallxova edhe atij krejt. Kur i thashë n’cilën shpi jena kanë, tha po ajo po digjet bre bijë! S’i ka pas as 5-10 minuta që kishim dalë na prej saj”.

Sipas Lumnijes dhe të mbijetuarve të tjerë, e gjithë ngjarja ka ndodhur afërsisht prej orës 16:00-20:00 të mbrëmjes, të datës 17 prill 1999, kur forcat kriminale serbe kanë kryer krimin e tmerrshëm, vrasjen dhe djegien e 51 civilëve shqiptarë, dhe vrasjen, djegien dhe hedhjen në pus të Sinanit dhe Ymerit. Pas ndalesës në atë familje, Lumnija së bashku me vajzën dhe Leutrimin vazhdon rrugën me refugjatët e tjerë për në shkollën që ndodhej mes dy fshatrave Poklek dhe Vasilevë, në të cilën ishin strehuar qindra refugjatë të tjerë.

Vazhdon rrëfimin Lumnija…

“U kanë dikun ora mes 9-10 e të natës kur bashkë me disa refugjatë kena mrri n’shkollën e Vasilevës. E maj men se ndihmën e parë ma ka dhanë ushtari i UÇK-së, Xhavit Hasani. Atij i kam tregu se krejt familjen tonë e kan myt në shpi t’bacit Sinan. Për çikën e bacit Elmi, Elhemen, unë nuk e kom ditë që ka pshtu, as që ka kcy prej dritares, as që u kanë e plagostë hiç. Veç kur jam shku aty e kam pa. Si na ka pa ajo neve, mu, Leutrimin dhe çikën tem, të përgjakun krejt, ma ka ba: Oj Lume breee, a qashtu paska ndodhë te na aaa?! I thashë: Veç unë jam qishtu, se tjerët krejt kanë pshtu. Më erdh gjynah me i kallzu, se ish e re shumë, veç 14 vjet. Krejt familja iu kish myt qaty, veç baba i pat pshtu. E kam nie ranë veten kur m’ka vetë për vlla t’vet: Ohh bre, veç Rexha a ka pshtue?, më tha. Krejt i thashë kanë pshtue, me Rexhë e me krejt, po ata janë ik tjetër kah, unë me kta dy fminë e mora qet drejtim e erdha ktu.

Baba i Elhemes, baci Elmi, i pari e ka ditë krejtë çka ka ndodhë me familjen tonë Muçolli. Dhe e maj men që ka tha: Qetash jetë për neve s’paska ma qysh konkan shku. Unë kom nejt aty n’shkollë të Vasilevës edhe katër ditë. Të Muçollëve aty s’kam pas kërkan, veç qeta dy fmijë dhe Zotin. Jam shku kah kam mujt, pa iu nda kurrë refugjatëve.

A do të thoni diçka që ndoshta asnjëherë s’ju është kujtuar për këtë tragjedi?

Ndoshta kam najsen që m’jet marak me thanë ama, me u ul e me e qitë fjalën kah del shpirti, asht’ kogja nifar ngarkese e madhe, nifar presioni i madh, se m’kthen shumë mrapa, m’i kujton ato momente t’rana…, jo që e kam pas evladin tem, po s’po t’rajke nërmen për kërkan, se po hupshe… se neve mas pari na patën qit helm, unë katër ditë s’kom nie pej veshve, se ajo bumja u kanë si me gaz… po i lutna Zotit dhe e falënderoj që m’ka dhanë forcë me dal prej atyhit. Gjithmonë i kujtoj momentet e rana, që s’kam mujt me iu nimu tjerëve ma shumë. Po sot, kur kaniherë flas me veten, u tham atyne që janë myt aty: Unë kam pshtu me jav nxjerrë n’dritë historinë e tmerrit që ju ka ndodh. Kjo asht’ që kam dashtë me thanë shumë herë e, ndoshta, asnjëherë s’kam mujt me thanë… Unë prapë e falënderoj Zotin që ma ka ru menen e shnoshë, me ua kallxu familjarëve tjerë ngjarjen, edhe njerëzve tjerë, me qit kët’ histori, me ditë krejt bota qa ka ndodhë aty. Nihna shumë krenare mos me hup gjaku i tyne, po me u ditë të tanë qysh u kanë. Dy-tri javë jemi strehu ksajde nëpër katune, pastaj dy muaj kam dalë n’Shqipni si refugjate me çikë… edhe atje kom dhanë shumë intervista e dëshmi, sidomos t’hujve.

Lume, a keni pasur ndonjë kontroll te mjeku për traumat?

Asnjëherë s’m’ka vizitu naj mjek, as vetë s’jam kanë.

A ju kujtohet kur jeni kthyer për herë të parë në atë shtëpi dhe në lagjen Muçollli pas ngjarjes?

Jam kthy në lagje pasi u kry lufta, por në atë shtëpi s’kam shku asniherë. Disa bija të familjes së burrit, pasi ishin kthy n’shpi, kishin pas çel t’pame. Kur jom kthy m’u dok si n’film. Deshta me thanë edhe k’ta, që asnjë prej familjarëve as s’më kanë pyet shumë, as që kam fol shumë mbi ngjarjen, po edhe qysh flas lirshëm në pytjet tua, nashta para tyne edhe s’kom gjet fuqi me fol për shkak të dhimbjes që kam pa çka u ka ndodh. Iu ka kanë shumë ranë. Shpesh e falënderoj Zotin që jam me vetëdije t’plotë dhe që Zoti m’i ka rue met’.

A do të shtoni diçka tjetër?

Unë për këtë libër kisha tha veç le të mbetet n’histori, gjeneratë pas gjenerate, me njoftë e mos me hup gjaku i tyne, edhe me met kjo dëshmi që e flas e kallxoj këtë rast. Kjo nuk asht’ as që shtoj, as që hupi. Kjo është ngjarje e vërtetë krejt çka flas. Kjo nuk është e lehtë për mua, se njeri pu ngarkojke edhe kur po u bajke mosha dhe sfidat e jetës së përditshme, edhe obligimet familjare, jeta ish ma ndryshe. Du me than edhe kët’, pa marrë parasysh që e kam shumë rand me dhanë deklarata, asnihere nuk bahem pishman që jap. Inshallah Zoti e paguan gjakun e tyne! Te falënderoj që t’ka ra nermen dhe ki vullnet me u marrë me kët’ ngjarje.[2]

Vajza e Lumnijes, Arbenita, që ishte rreth katër vjeçe kur ka ndodhur krimi, ka shkruar këtë rrëfim pas luftës.

“Kur isha katër vjeçe më kujtohet ai momenti dhe dita kur i vranë familjet tona. Ishim mrena kur hini milici e ja nisi me gju… Ia kena nis me bërtit. Mu më kishte mami n’prehen dhe ma bajke mos bërtit se hala janë ktu milicia. E kam pa kur u çu mami e ka marrë djepin e Lirijes (çikës t’Qamilit) e um ka lidh n’djep, qaty ku janë kanë t’vramit. Ma vonë m’ka marrë e m’ka qu n’katin e dytë e m’i ka nrru teshat, se isha plot me gjak, me duar, me ftyrë e me krejt, se m’kishin ra copat e bumës. O Zot, m’vijke gjynah prej t’gjithëve. Kajsha. S’dijsha çka asht’ tuj u ba”.[3]

Marrë nga dorëshkrimi i librit “Shtëpia me gjak në mure : (masakra e Poklekut të Vjetër: rrëfime, dëshmi, materiale), i autorit Afrim Hysenaj, i cili së shpejti do të botohet nga shtëpia botuese “Armagedoni”.

[1] Lumnije Hysenaj-Muçolli, intervistë për revistën “Teuta”, Prishtinë, korrik-gusht 2008

[2] Lumnije Hysenaj-Muçolli, intervistë me Afrim Hysenaj, Poklek, tetor 2022

[3] Dorëshkrim i Arbenita Sh. Muçollit, gjetur nga Afrim Hysenaj, shtator 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa persona kanë shtënë me armë zjarri dje në Graqanicë…