
“Nuk do të lejojmë falimentimin”| Kompania Pastrimi s’pajtohet me vendimin e OSHP-së për tenderin 16.5 milionë euro
Organi Shqyrtues i Prokurorimit ka dalë me vendim lidhur me ankesën e Kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ndaj Komunës së Prishtinës lidhur me tenderin në vlerë prej 16.5 milionë euro për mbeturinat në kryeqytet.
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar pas vendimit të pranuar sot nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), lidhur me ankesën që kjo kompani kishte dorëzuar për tenderin në vlerë prej 16.5 milionë euro, të shpallur nga Komuna e Prishtinës për angazhimin e operatorëve privatë në ofrimin e shërbimeve të pastrimit.
OSHP-ja ka deklaruar se nuk ka juridiksion për ta shqyrtuar këtë çështje – një vendim që KRM “Pastrimi” e cilëson si të paprecedentë dhe të pajustifikueshëm, duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një kontest të natyrës së prokurimit publik, çështje që hyn drejtpërdrejt në kompetencat ligjore të këtij institucioni.
Për më tepër, në reagimin e “Pastrimit” theksohet se vendimi i OSHP-së në asnjë pjesë të tij nuk i jep të drejtë apo legjitimitet veprimeve të Komunës së Prishtinës, por përkundrazi, e lë kompetencën për shqyrtimin e kundërligjshmërive në duar të gjykatave dhe organeve të tjera mbikëqyrëse.
Sipas kompanisë, një aktgjykim i mëhershëm i Gjykatës Supreme i ka dhënë përgjigje përfundimtare Komunës së Prishtinës lidhur me ndalimin ligjor për angazhimin dhe tenderimin për menaxhimin e mbeturinave, dhe për këtë arsye edhe vendimi i OSHP-së nuk e trajton çështjen në përputhje me parimet e vendosura nga instanca më e lartë gjyqësore.
KRM “Pastrimi” ka bërë të ditur se do të dorëzojë ankesë ndaj këtij vendimi dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe të paanshëm, siç garanton ligji.
Në fund të reagimit, kompania paralajmëron se çdo veprim i mëtejshëm i Komunës së Prishtinës që bie ndesh me vendimin e Gjykatës Supreme konsiderohet i jashtligjshëm. “Nuk do të lejojmë falimentimin e KRM ‘Pastrimi’ Sh.A., për të cilën Komuna po insiston me qëllim të qartë”.