“Nuk heq dorë nga bashkëpunimi me Trump”
Kancelari Merz ka konfirmuar se SHBA-të, për momentin, nuk do të stacionojnë raketa të tipit “Tomahawk” në Gjermani. Sipas Merz kjo nuk ka lidhje me kritikat e tij ndaj Trumpit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka konfirmuar se raketat e tipit “Tomahawk”, të premtuara nga presidenti i mëparshëm amerikan Joe Biden në vitin 2024, të paktën për momentin nuk do të stacionohen në Gjermani. “Amerikanët aktualisht nuk kanë mjaftueshëm vetë”, tha Merz në emisionin e ARD-së Caren Miosga të dielën.
“Objektivisht, nga SHBA-të pothuajse nuk ka mundësi të dorëzohen sisteme armësh të këtij lloji.” Njëkohësisht ai theksoi në intervistë për televizionin ARD, “Caren Miosga”, se “procesi nuk ka përfunduar.”
Raketat me rreze të mesme veprimi “Tomahawk”, të cilat kanë rreze veprimi deri në Rusi, duhej të forconin aftësinë parandaluese të Gjermanisë, derisa Evropa të zhvillojë vetë raketa të tilla. Në lidhje me pjesëmarrjen bërthamore të SHBA-së në Gjermani, Merz shtoi në emisionin e ARD?së se “nuk ka absolutisht asnjë reduktim.” “Nuk ka asnjë kufizim të angazhimit amerikan për kërcënimin bërthamor në mbrojtje të territorit të NATO-s. Për këtë nuk ka asnjë dyshim, në asnjë moment,” tha ai.
Po ashtu kancelari Merz nuk e quajti “të ri” vendimin për tërheqjen e më shumë se 5.000 ushtarëve amerikanë nga Gjermania, të shpallur të premten nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. Sipas tij, bëhet fjalë për një kontingjent që paraardhësi i Trumpit, Biden, e kishte stacionuar përkohësisht dhe për tërheqjen e të cilit prej kohësh ishte diskutuar. “Ndoshta është pak e ekzagjeruar, por nuk është diçka e re,” tha Merz.
“Asnjë lidhje” me deklaratat për luftën në Iran
Merz mohoi një lidhje të drejtpërdrejtë midis njoftimeve të Trumpit dhe deklaratave të tij kritike për luftën në Iran: “Nuk ka asnjë lidhje.” Ai njëkohësisht ritheksoi kritikat e tij ndaj strategjisë amerikane për Iranin dhe mbrojti deklaratën sipas së cilës Irani i ka “poshtëruar” SHBA?të. Këtë deklaratë Merz e shprehu para nxënësve të hënën e kaluar në Gjermani, duke zemëruar Donald Trump, i cili reagoi ashpër në rrjetin e tij Truth Social.
Për ARD, Merz tha se ai nuk heq dorë nga angazhimi për marrëdhëniet transatlantike: “Nuk heq dorë nga bashkëpunimi me Donald Trump”, theksoi Merz dhe se duhet të pranojë që presidenti amerikan ka një mendim tjetër. “Por kjo nuk ndryshon faktin se bindja ime mbetet e njëjtë: amerikanët janë për ne partnerët më të rëndësishëm në Aleancën e Atlantikut të Veriut,” theksoi Merz.



