‘Nuk i kam krejt detajet, do ta njoftoj Konjufcën me pozicionin tonë’ – ministri belg pasi pyetet për shkeljet në Hagë
Ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot është pyetur nëse është i njoftuar me shqetësimet e ekspertëve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtarë lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.
Prevot në një konferencë të përbashkët për medie me homologun kosovar, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk i ka të gjitha detajet, por bërë me dije se do t’ia dërgojë pozicionin e shtetit belg, Konjufcës lidhur me këtë çështje.
“Për të qenë krejt i ndershëm me juve, me folë sinqerisht, unë nuk kam krejt detajet në lidhje me situatën për të cilën ju folët, pra me gjasë është diçka që unë duhet t’iu kushtoj më shumë vëmendje”,
“Unë s’do të improvizoj asnjë lloj përgjigje për të qenë i sigurt, pra nuk do të bëj asnjë lloj gabimi, por faleminderit për pyetjen, unë do të pyes ekipin tim për të kontrolluar për situatën dhe unë do të dërgoj një porosi kolegut tim duke i shpjeguar pozicionin e Belgjikës në lidhje me situatën, pra do të jetë e mundur me e dhanë një përgjigje të qartë, jo juve drejt për së drejti, kërkoj falje për këtë, por edhe qeverisë suaj”, ka thënë Prevoti për gazetaren e “Klan Kosovës”.
Përndryshe, Belgjika është i vetmi shtet që ka marrëveshje me Dhomat e Specializuara edhe për transferimin e të dënuarve.



