Sigurohet financimi i plotë për parkun solar 100 MW në KEK, prodhimi nis më 2028

16 prill 2026 | 17:05

Është siguruar financimi i plotë për ndërtimin e parkut solar me kapacitet minimal prej 100 megavatësh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një postimi publik, ku theksoi se projekti aktualisht ndodhet në fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për ndërtim. Paralelisht, sipas saj, është duke vazhduar edhe procesi i tenderimit, përkatësisht faza e parakualifikimit.

Postimi i plotë në Facebook:

Kemi siguruar financimin e plotë për parkun solar me kapacitet minimum 100 MW në KEK, me ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale” nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Projekti momentalisht është në fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për ndërtim, ndërsa paralelisht është duke vijuar tenderimi i tij, përkatësisht faza e parakualifikimit. Planifikohet që deri në fund të vitit të nënshkruhet kontrata për ndërtimin, ndërsa puna të fillojë gjatë vitit tjetër, për të filluar gjenerimin e energjisë elektrike gjatë vitit 2028.

Parku solar përveç që shënon një moment të rëndësishëm për sigurinë e furnizimit e pavarësinë energjetike të vendit, është edhe hap tejet i rëndësishëm për vetë KEK-un, e ardhmja e të cilit, bashkë me punëtorët e saj, e sigurt si ndërmarrje kyçe e energjisë, moderne e me burime të diversifikuara. I ndërtuar në një sipërfaqe aktualisht të pashfrytëzuar të deponisë së hirit në KEK, kapaciteti i instaluar prej së paku 100 MW, pritet të gjenerojë së paku 152 GWh për vit, duke kontribuuar në diversifikim e modernizim të KEK-ut dhe uljen e emetimeve te dioksidit të karbonit (CO2) prej së paku 140,000 tonë për vit.

Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që votuan PËR miratimin e kësaj marrëveshjeje, duke rikujtuar që secili miratim pa vonesa i marrëveshjeve ndërkombëtare ka ndikim pozitiv direkt në jetën e qytetarëve duke mundësuar zbatimin me kohë të projekteve të rëndësishme për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, po kalon një formë…