Hoti: Qeveria shkel ligjin, nuk e dorëzon projektbuxhetin për vitin 2027 brenda afatit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë se ka shkelur afatin ligjor për miratimin dhe dorëzimin e projektbuxhetit për vitin 2027 në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Hoti ka rikujtuar se neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që projektbuxhetin për vitin e ardhshëm t’ia dorëzojë Kuvendit jo më vonë se më 31 tetor.
Ai ka theksuar se më 1 nëntor projektbuxheti ende nuk është miratuar nga Qeveria, duke e cilësuar këtë si shkelje të afatit të përcaktuar me ligj.
Hoti ka ngritur edhe çështjen se si Kuvendi do ta shqyrtojë projektbuxhetin në procedurat parlamentare, nëse ai dorëzohet pas afatit ligjor.
Sipas tij, një situatë e tillë nuk ka ndodhur më parë, madje as në periudha zgjedhore, kur Qeveria ka qenë në detyrë.
Deputeti i LDK-së ka kritikuar gjithashtu qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj, duke pretenduar se shkeljet ligjore dhe kushtetuese janë bërë praktikë gjatë këtyre viteve.
Ai ka përmendur, ndër të tjera, ligjet e shpallura antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, shkeljet e pretenduara nga Qeveria dhe Presidenca, si dhe çështje të tjera që, sipas tij, dëshmojnë mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Postimi i tij:
Qeveria shkel ligjin, nuk e miraton buxhetin për 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj
Neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që t’ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës projektbuxhetin për vitin e ardhshëm buxhetor jo më vonë se 31 tetor.
Sot është 1 nëntor. Projektbuxheti në Qeveri nuk është miratuar ende. Me këtë, Qeveria po shkel afatin e përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Është e paqartë se si Kuvendi do të shqyrtojë në procedura kuvendore një projektbuxhet që i dorëzohet Kuvendit pas afatit ligjor.
Kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Edhe në kohë zgjedhjesh, me Qeveri në detyrë, projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar në Kuvend në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore.
Fatkeqësisht, shkeljet ligjore e kushtetuese janë bërë praktikë në këto vite të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj. Dhjetëra ligje janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria dhe Presidenca kanë kryer shkelje të vazhdueshme kushtetuese përmes shkarkimit ose mos-emërimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës u themelua përtej afatit kushtetues. Kryeministri nuk u përgjigjet organeve të drejtësisë. Kryeministri e ministrat kanë shkelur aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke ushtruar detyrën e anëtarit të qeverisë dhe të deputetit njëkohësisht.



