Qytetarët e Mitrovicës ankohen për çmimet e larta, inflacioni arrin në 7.8 për qind
Rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve po ua vështirëson qytetarëve të Mitrovicës përballimin e shpenzimeve të përditshme, veçanërisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Ata shprehen se pensionet dhe pagat nuk po mjaftojnë për mbulimin e nevojave mujore, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se gjendja rëndohet edhe nga papunësia, pagat e ulëta dhe mundësitë e kufizuara për punësim.
Rifat Ahmeti ka deklaruar për “Kosovapress” se pensionet janë të ulëta, ndërsa çmimet vazhdojnë të jenë të larta.
“Çmimet janë shumë të larta, ndërsa pensionet dhe rrogat nuk janë të mëdha. Pensionet i kemi shumë të vogla, kurse çmimet janë të larta. Për ne nuk po interesohet askush. Ai që ka fëmijë e ka edhe më vështirë, ndërsa ai që nuk ka fëmijë po kapërcen disi”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkaq, Bedri Ibrahimi ka vlerësuar se përballimi i shpenzimeve varet nga të ardhurat dhe numri i anëtarëve të familjes.
“Çka me thënë? Nevojë e tregtarëve, s’po di tjetër çka me thënë, veç nevojë e tregtarëve. Nevoja të shtin me përballu edhe ata, edhe ata, tjetër nuk ka. Po varet sa shpenzon, sa anëtarë jeni në familje. Varet krejt prej asaj, edhe sa e ke pensionin. Nëse e ke pensionin pak më të mirë, prapë mundesh me bo diçka, përndryshe vështirë. Krejt këto, krejt nevojë e tregtarëve janë. Qaty e blen 1.20, 1.50 euro, ma anej del ta shet 2 euro”, ka deklaruar Ibrahimi.
Edhe Sjedi Rrustemi është ankuar për çmimet, duke i krahasuar ato me kostot e produkteve dhe shërbimeve në Suedi, ku, sipas tij, pagat janë dukshëm më të larta.
Në anën tjetër, Deli Sefedini ka theksuar se pensionistët po përballen me vështirësi për shkak të pensioneve të ulëta dhe rritjes së çmimeve. Ai ka bërë të ditur se ka punuar për 35 vjet, por vetëm 15 vjet i janë llogaritur për pension.
Mehmet Salihu, aktivist i shoqërisë civile, ka vlerësuar se rritja e çmimeve po ndikon veçanërisht te familjet që përfitojnë asistencë sociale dhe te punëtorët e sektorit privat.
Salihu ka kërkuar më shumë angazhim institucional për mbrojtjen e konsumatorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Ndërkaq, gazetari Urall Boshnjaku ka theksuar se rritja e çmimeve po ndikon në fuqinë blerëse të qytetarëve, në një komunë ku, sipas tij, mundësitë e punësimit mbeten të kufizuara.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në shtator 2026 është rritur për 7.8 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, inflacioni mujor ishte 0.2 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2026.
Ndërkaq, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti, me 23.9 për qind, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse, me 11.9 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, me 6.3 për qind.
Gjithashtu, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se papunësia mbetet sfidë në Mitrovicë. Sipas profilit të komunës, të publikuar në korrik 2026, bazuar në Regjistrimin e Popullsisë të vitit 2024, shkalla e papunësisë te personat e moshës 25 deri në 64 vjeç ishte 19 për qind, kundrejt 12.7 për qind në nivel vendi.
Te të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç, kjo shkallë arrinte në 26.8 për qind. Raporti tregon gjithashtu se 12.5 për qind e popullsisë së komunës i kishte pensionet si burim kryesor të të ardhurave.



