Organizatori i protestës: Regjimi i Kurtit nuk e ka gjatë, do t’i mbushim sheshet
Disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe të qeverisë së tij.
Organizatori i protestës, Durim Aliu, është shprehur se numri i vogël i protestuesve nuk i dëshpëron dhe as nuk i zmbraps nga vendimi për të protestuar.
“Ne e dimë që shumica nuk guxojnë të dalin këtu për arsye se e rrezikojnë vendin e tyre të punës. Ne e dimë që ky regjim i Albin Kurtit nuk e ka shumë larg me ecë prej këtu. Nuk do të ndalemi me protesta, do ta mbushim sheshin me qytetarë”, ka deklaruar ai.
Protestuesi Princ Zogaj, në fjalën e tij, ka kërkuar llogaridhënie nga Qeveria, duke theksuar se qytetarët po e humbin durimin, ndërsa të rinjtë shpresën për të ardhmen në Kosovë.
Ai ka kritikuar gjendjen në arsim, duke përmendur rezultatet e testit PISA, kushtet e studentëve dhe mungesën e perspektivës për punësim.
“Veç dua t’i bëj dy pyetje kësaj qeverie të dështuar: Deri kur do të na mashtroni me premtimet? Deri kur do të na kërkoni durim, kur qytetarët po e humbin durimin, kur rinia po e humb shpresën dhe Kosova po i humb të rinjtë?
Sot nuk kemi ardhur këtu për t’ju dëgjuar, por kemi ardhur që t’ju kërkojmë llogari! Le të flasim pak për arsimin. Rezultatet e PISA-s tregojnë që arsimi në Kosovë është pranë fundit. Po ashtu, studentët po përballen me kushte të vështira, bursa të pamjaftueshme, mungesë të praktikës profesionale dhe kushte për punësim.
Na flisni për të ardhmen e Kosovës, por çfarë të ardhmeje po na afroni? Diplomë pa perspektivë dhe vite studimi pa garanci për punë. Dhe pastaj po çuditeni pse po ikin të rinjtë! Nga viti 2020 deri në vitin 2026, Kosovën e kanë lëshuar mbi 200 mijë të rinj e të reja. A e kuptoni çfarë do të thotë kjo? Një vend që i humb gjeneratat e veta nuk mund të mburret me fjalime për zhvillim.
Po ashtu, le të flasim pak për mbrojtjen, ku rasti tragjik i motrës sonë Arlinda na ka treguar që zinxhiri mbrojtës i Kosovës është i dështuar, dhe kjo nuk mund të përfundojë vetëm me fjalime institucionale.
Gratë tona nuk kanë nevojë për ngushëllime, kanë nevojë për mbrojtje, për së gjalli!
Po ashtu, le të flasim pak për UÇK-në. Nuk mund të lejojmë që çështja e ish-krerëve tanë të trajtohet në heshtje dhe pa angazhim institucional, pasi, nëse dënimet konfirmohen edhe në apel, pasojat mund të rëndojnë mbi historinë e luftës sonë të pastër çlirimtare, mbi mënyrën se si vlerësohet rruga e Kosovës dhe barazimi me shtetet e tjera të botës”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, protestuesi Adrian Mustafa ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke e cilësuar atë si më të dobëtën që nga përfundimi i luftës. Ai ka përmendur gjendjen ekonomike, çmimet e larta, pagat dhe mungesën e projekteve energjetike.
“Po e shohim çdo ditë se si jeta në Kosovë po shkon drejt degradimit, dështimit dhe humbjes së shpresës. Që prej qershorit të vitit 1999 e deri më sot, Kosova nuk e ka përjetuar ndonjëherë qeverinë më të keqe, më të dobët, më të dështuar në çdo sferë të jetës së qytetarëve të Kosovës. Pra, Kosova nuk është mirë. Rinia po ikën, papunësia është në nivelin më të ulët, kurse pagat nuk po japin asnjë efekt pozitiv përballë çmimeve kaq të larta. Ky regjim i Albin Kurtit e ka mbytur jetën e qytetarit, duke e lënë Kosovën vendin më të varfër në rajon, me paga të ulëta, çmime të larta dhe pa asnjë perspektivë. Ky mashtrues qeveritar, si në opozitë ashtu edhe në pushtet, vetëm fatkeqësi i ka sjellë Republikës së Kosovës. Ky regjim na ka lënë në terr. Çdo dimër i harxhojmë miliarda euro te armiqtë tanë që na kanë masakruar dhe na kanë prerë. Ky regjim i Albin Kurtit e ka lënë Kosovën pa projekt energjetik, ndonëse kemi qenë afër që si Kosovë të prodhojmë dhe të shesim vetë rrymë përmes dy projekteve energjetike: gazit amerikan dhe projektit Kosova Global, të përkrahur nga aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë të tjerë”, ka deklaruar ai.
Në protestë ka marrë pjesë edhe analisti Adem Qorrolli, i cili ka vlerësuar se premtimet për një Kosovë me standard të lartë jetese nuk janë përmbushur. Ai ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen e të moshuarve, mungesën e medikamenteve për pacientët me kancer dhe, siç ka pretenduar, trajtimin e pabarabartë të kategorive të caktuara.
“Nuk është më buka me miell 0.25 cent, nuk është më mishi me miell 8 euro, nuk është më paga me 2.000 euro, nuk është më Kosova Zvicër, por në Zvicër na kanë shkuar mbi 200.000 familjarë tanë dhe sot prej nesh kanë mbetur të vetëm, thuajse pa mbikëqyrje dhe pa dorën e shtetit. Dhe i përshëndes edhe bashkatdhetarët që duhet të vijnë dhe të bashkohen me ne për pagesën e energjisë elektrike prej 200 eurosh për një familje, për koston e jetesës së një familjeje me tre anëtarë, sepse nuk i kemi pesë, dy na jetojnë jashtë, tash kemi mbetur me mesatare tre anëtarë.
Të na vdesë një i moshuar në banesë dhe ta gjejnë pas katër ditësh, sepse nuk ka mbikëqyrje të shtetit; të na vdesë nëna nga kanceri, sepse nuk ka medikamente; të paguhen pagesat e serbëve pa punuar në qeveri, kurse shtesat e ushtarëve të FSK-së të mos paguhen as për ndërrimin e natës; t’i shohim ushtarët duke punuar si taksistë dhe kamarierë, t’i shohim policët që punojnë në klubet e natës. A është ky interes? Dhe shikojani uniformën, nuk janë këta dy pavijone policie ose dy regjimente, por janë disa që prej shtatë vjetësh nuk kanë marrë uniformë. Këpucët e tyre nuk janë të njëjta, sepse disa janë blerë në shitoret me pesë euro dhe në pazare dhe nuk janë të shtetit, ndërsa disa nuk mund t’ia dalin deri në fund të muajit.
Dhe në Kosovë ndodh të punësohen 500 ushtarë dhe përsëri numri i njëjtë i ushtarëve të mbetet, sepse 200 dalin në pension dhe 300 e lënë ushtrinë. Ata nuk dezertojnë, por shkojnë për ta mbrojtur identitetin dhe familjen e tyre, si dhe për ta ushqyer atë”, ka deklaruar Qorrolli.
Protesta është shoqëruar me thirrjet “Poshtë regjimi i Albin Kurtit” dhe “Dorëheqje”.



