“Nuk ia vlen as me fol me juve”, “Nuk mësohesh në ‘YouTube’”, Murati dhe Krasniqi përplasen në Kuvend

28 dhjetor 2021 | 13:26

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e kanë pasur një debat në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për krizën e energjisë elektrike.

Muratin e Krasniqin i ka përplasur çështja e kontratave “forward” dhe “future” në tregun e energjisë elektrike. Kryetari i PDK-së, ka thënë se ministri Murati nuk po e di dallimin mes të dyjave, ndërsa Murati ka theksuar se po fliste për kontratat dhe jo për tregjet.

“Jam i dëshpëruar me faktin e mungesës bazike të njohurive të ministrit të Financave. ‘Forward markets’ edhe ‘future markets’ janë dy sene të ndryshme. Z. Murati, është përnjëmend e dhimbshme. Ti je ministër i Financave, qeto punë duhesh me i ditë”.

“‘Forward’ është kur merren vesh jashtë bursës dy palë, ‘future’ është brenda bursës. Qysh është e mundshme ti me qenë ministër dhe mos me i ditë qeto. Është dallim esencial. Studentët e vitit të tretë në Ekonomi mos me i ditë këto, duhet me i rrëzu nga provimi. Ministrja e energjisë nuk di se çfarë flet për energji, ministri i Financave nuk di për senet bazike në financa, unë me të vërtetë nuk di çka me ju thënë ma shumë. Nuk ia vlen as me fol me juve”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Në replikë ministri Hekuran Murati, ka përmendur “komplekset e mosdijes”.

“Komplekset e mosdijes s’mund t’i pasqyroni tek unë. Nëse thoni që ‘forward contract’ bëhet mes dy palëve jashtë tregut, s’mund të thuash ‘forward market’. Pra vetë e the, bëhet jashtë tregut, jashtë bursës bëhet”.

“Është koncept bazik. Z. Krasniqi, këto punë nuk mësohen duke shikuar video në YouTube”, ka thënë Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ardhmja e Matthijs de Ligt mund të jetë larg…