Nuk krahasohen rrethanat e Kosovës me ato të Ukrainës

05 mars 2022 | 14:36

Vlora Jashanica

Mund të krahasohet barbarizmi rus dhe serb, sepse këta në një linjë janë për nga politika dhe mendësia okupuese, por jo rrethanat në Kosovë dhe Ukrainë.

  1. Ukrainën lufta e gjeti si shtet të pavarur, me ushtri të konsoliduar, struktura udhëheqëse dhe mediume të pavarura.
  2. Kosovën lufta e gjeti të okupuar, fragjile, pa struktura shtetërore, sepse nuk ishte shtet e lëre më të kishte mediume – që të informohej bota.
  3. Lufta në Ukrainë u kuptua përnjëherë sepse një shtet sulmoi shtetin tjetër…
  4. Në Kosovë u dashtë ta shohë bota sakrificën historike e të dhimbshme që bëri familja Jashari, duke iu vrarë edhe fëmijët në djep. Kjo sakrificë tronditi botën. Për të Walkeri e informoni botën për terrorin serb, sepse krimet mbaheshin të mbyllura nga regjimi serb.
  5. Ukrainën lufta e gjeti të armatosur deri në dhëmbë, të ndihmuar nga shtetet e tjera me armatim dhe të stërvitur e të përgatitur për luftë.
  6. Kosova armatimin e siguronte në rrugë ilegale dhe me mijëra kontrolle nga okupatori i cili po të gjente një armë në familje, tërë familjen dhe më gjerë e terrorizonte…
  7. Ukraina ka mbi 40 milionë banorë të moshave të ndryshme. Kosova kishte rreth dy milionë banorë, një popullsi kryesisht të mitur.
  8. Ukraina e ka furnizuar edhe popullin me armë dhe ka determinuar moshën e qytetarëve për të marrë pjesë në luftë dhe të orientuar nga strukturat shtetërore.
  9. Kosova nën thundrën e okupimit është armatosur kush ka mundur dhe si ka mundur dhe ka pasur mungesë të armëve bazike. Nuk po flasim për armatim të rëndë që Ukraina i ka e Kosova nuk i kishte.
  10. Derisa copëtoheshin njerëzit në Kosovë, Serbia po e justifikonte këtë si një konflikt me një grup terrorist brenda shtetit të Serbisë, Ukraina po njofton për secilën lëvizje të Rusisë sepse rrethanat i ka të tjera.
  11. Nga Ukraina njerëzit po largohen ndryshe, ndërkaq nga Kosova njerëzit u larguan dhe u dëbuan me armë në kokë, duke u plaçkitur e tmerruar familjet, në autobus të ndryshëm dhe trena që ende i kanë në kujtesë. Tjetër ishte rrugëtimi i refugjatëve nga Kosova, nuk ishin të qeshur, por të vrarë në rrugë nëpër kolona, të tronditur, të maltretuar, të ndarë e të plaçkitur.
  12. Në kolona të refugjatëve nga Kosova kishte edhe veprimtarë dhe veprimtare që rezistuan nën thundrën e okupimit, kur ende as nuk ishin krijuar as përmendur rrethanat për rezistencë të armatosur, pra me burgje, me maltretime, me aktivitete, me struktura paralele, të përndjekur etj…. me gjithçka patën, por në një moment u gjetën në rrugë, me fëmijë e pleq, në mes ushtrisë kriminale serbe, etur për vrasje dhe tortura! Mbijetues janë refugjatët nga Kosova. Askush nuk pyeti a doni armë, a doni të luftoni apo të lëshoni vendin tuaj. Thjesht, u dëbuan nga shtëpitë dhe vendi i tyre, me armë në kokë, me mijëra peripeci, në rrugëtimin e dhimbshëm që pësoi populli luftarak i Kosovës! Pa dashur të bëj krahasime të tjera, me shkas ju them se glorifikimi i luftarakëve të Ukrainës në botë është për çdo lëvdatë, por po të krahasohen rrethanat dhe vështirësitë, habitem pse nuk u krenuat asnjëherë me Luftën Çlirimtare të Kosovës që bëri ushtria jonë në Kosovë dhe në rrethana tejet më të rënda, më sfiduese apo, thënë më mirë, të pakrahasueshme. Ne krenarinë e kemi në Kosovë. Po, na ndihmoi bota. Edhe Ukrainën po e ndihmon bota në të gjitha format, sepse nuk janë të barabartë në luftë dhe nuk janë agresorë ukrainasit, por rusët, një linjë disi e ngjashme me Kosovën dhe Serbinë, ani pse në rrethana të tjera.

Personalisht nuk kam shfaqur diçka të re lidhur me respektimin e vlerave të luftës sepse këtë e bën bota dhe për ta kuptuar në esencë vlerën e luftës, fillimisht duhet ta duash shumë atdheun që të arrish ta kuptosh sakrificën dhe shpirtin luftarak: ishe apo nuk ishe pjesë e luftës. Fatkeqësisht nuk mund të them njësoj për një kategori tjetër në Kosovë, e cila tashmë me shprehjen “Lavdi Ukrainës!” dhe me kërshërinë dhe vrullin për luftarakët në Ukrainë, tregojnë hiç më shumë as më pak sesa një hipokrizi të madhe dhe apo një tendencë për të qenë “koherent” dhe apo “të pranueshëm” Pra, pikërisht ideja e tyre e koherencës dhe, po ashtu, tendenca për t’i zhvlerësuar vlerat e luftës mbi baza politike, bëri që kjo kategori të mos çmonte Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke shkuar më tej, të cilësoheshin luftarakët si të paditur, të etiketoheshin me emra të ndryshëm, të përqesheshin njerëzit që ishin në luftë, me fjalën “patriot” derisa krekoseshin për mençurinë e tyre karshi personave që luftuan.

Nuk e di pse u dashtë të ndodhte lufta në Ukrainë për të kuptuar kjo kategori se luftëtarët janë vlera më e çmuar e çdo shteti. Pse tani nuk debatoni lidhur me “patriotizmin” e ukrainasve me thumbim në “budallaki”, por për më tepër u stepët duke parë botën moderne dhe u bashkëngjitet me apo pa dashje në respektimin e vlerave të luftës, sepse nuk kishit se si të vepronit ndryshe. Trimëria dhe shpirti luftarak në Kosovë, nga djem dhe vajza që luftuan, nuk ju bëri fort përshtypje, apo jo?! Pse ende nuk vazhdoni me qenë në trend me atë që ju e quani “IN”, me idenë se ta duash atdheun dhe të jesh patriot na qenka demode! Urdhëroni, ju lutem, shikoni Evropën ku ju jeni nisur dhe shikoni se çfarë vlere ka lufta dhe shpirti luftarak! Unë jam e lumtur që ju, me gjithë hipokrizinë, jeni pro shpirtit luftarak në Ukrainë, sepse ndryshe nuk bën. Por, sinqerisht, jeni për t’jua qarë hallin me sjelljet e juaja karshi luftarakëve në Kosovë! Kur them luftarakët nuk u referohem vetëm figurave politike që ne njohim, por edhe individëve, djemve dhe vajzave që kurrë emrat nuk ua ditëm, as kurrë s’i kemi parë, por që kanë luftuar në një kohë të caktuar në rrethana thuajse pa shpresë, por me shpirtin luftarak dhe të determinuar për ta çliruar Kosovën nga regjimi serb. Njerëz jemi, sigurisht gabojmë, por përmirësojeni tani gabimin tuaj dhe kthehuni e çmoni njerëzit tuaj që luftuan për Kosovën nëse doni të përmbyllni një kapitull të turpshëm për ju, që e krijuat nga paditura dhe apo me tendencë. Na mbani pak ligjërata, ju lutem, se jemi shumë kureshtarë për t’ju dëgjuar, sy e vesh u bëmë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zelenski dëshiron që NATO të hyjë në Ukrainë dhe të…