Nuk mund të ketë zgjedhje të reja pa funksionalizimin e KQZ-së

15 mars 2019 | 18:01

Njohësi i proceseve zgjedhore në vend, Mazllum Baraliu, ka bërë me dije se nuk mund të ketë zgjedhje të reja pa funksionalizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ai i ka ftuar të gjitha subjektet politike që të reflektojnë për këtë çështje. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Baraliu ka deklaruar se funksionalizimi i këtij institucioni është interes shtetëror.

“Nuk mund të ketë zgjedhje të reja pa funksionalizim të KQZ-së. Ne tani kemi një paralizë institucionale jo vetëm nga aspekti i zhvillimit të zgjedhjeve, që është kryesorja, sepse KQZ-ja është burim i demokracisë dhe burim i institucioneve të vendit. Kështu që, pa të dhe pa procedurat që zbaton ky institucion për zgjedhjet nuk mund të kemi zgjedhje”, ka thënë Baraliu.

Ai nuk ka folur se si duhet të jetë përfaqësimi i partive në këtë institucion, por ka thënë se përfaqësimi duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk dua të jap ndonjë recetë se si të veprohet, sepse nuk më takon mua, por nëse subjektet politike kanë pretendime reale, atëherë ato do të duhej ta interpretojnë mirë vendimin e kushtetueses, sepse ai vendim është zgjatim i Kushtetutës dhe nenit përkatës. Prandaj, do të duhej që në mënyrë racionale dhe me mirëkuptim racional juridik ta analizojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta pranojnë zgjidhjen e cila është e domosdoshme për t’u aplikuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, tani është koha që presidenti i vendit t’i ftojë partitë politike në një tryezë për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj çështje.

“Epoka e re”: Z. Baraliu, seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila kishte për synim funksionalizimin e KQZ-së, ka dështuar. Subjektet politike kanë shprehur mendime të ndryshme për këtë çështje. Si e keni parë këtë debat parlamentar?
Baraliu: Fatkeqësisht, edhe këtë debat parlamentar e kam parë si një vazhdimësi e një avazi të vjetër që ka ndodhur edhe në vitet e mëhershme, pra edhe në qeveritë e kaluara. Disa prej institucioneve të pavarura që janë edhe kategori kushtetuese, si KQZ-ja apo bordet e ndërmarrjeve publike, me vite të tëra kanë funksionuar jashtë mandatit ose të pakompletuara. Mosfunksionalizimi i institucioneve të pavarura është një papërgjegjësi e subjekteve politike dhe e institucioneve më të larta të vendit. Kjo është një sëmundje që po na përsëritet, e cila shkakton pasoja të pariparueshme. Siç dihet, KQZ-ja që një vit është jofunksionale dhe nuk ka mundur të marrë asnjë vendim. Ai institucion nuk është vetëm për mbajtjen e zgjedhjeve dhe menaxhimin e tyre, por është institucion edhe për kryerjen e punëve të tjera, për ta sensibilizuar opinionin, për trajnimin e stafit, për kontakt me grupe të ndryshme që të vetëdijesohen dhe të marrin pjesë sa më masivisht në procesin zgjedhor. Pra, kemi të bëjmë me një papërgjegjësi dhe lëshim, i cili, edhe në mbledhjen e Kuvendit, nuk arriti të ketë një epilog të duhur, që të ketë një votim të një rezolute. Nuk është me rëndësi se nga kush është propozuar ajo rezolutë, por të gjitha partitë politike pa dallim, pozitë dhe opozitë, nuk arritën ta votojnë këtë rezolutë dhe të kenë një qëndrim unik, i cili do të ishte në interes të shtetit të Kosovës dhe KQZ-së.

“Epoka e re”: Si ekspert i kësaj çështje, si mendoni se duhet të ndodhë funksionalizimi i këtij institucioni?
Baraliu: Vetëm me një mirëkuptim që të gjithë duhet ta kenë. Në këtë rast duhet të vijë në shprehje interpretimi i drejtë dhe i saktë i Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se gjashtë anëtarë iu takojnë partive shqiptare, kurse katër anëtarë pakicave të tjetra. Ndërsa kryesuesen e KQZ-së e zgjedh presidenti nga radhët e gjykatësve të Gjykatës Supreme. Po ashtu, edhe Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e saktëson këtë çështje. Është një vendim i Gjykatës Kushtetuese i cili e sqaron këtë çështje. Paqartësitë në vendimmarrjen e presidentit janë shkaktuar për shkak se në zgjedhjet e fundit parlamentare është dashur që brenda afatit ligjor të ndodhë kompletimi i KQZ-së sipas rezultateve zgjedhore. Por, siç dihet, kjo nuk ka ndodhur 60 ditë pas zgjedhjeve, ndërkohë ka ndodhur që renditja e partive politike shqiptare të ndryshojë. Tani nga LV-ja është ndarë një pjesë e deputetëve dhe është formuar një parti tjetër politike, ndërsa tashmë pretendimi i asaj partie është që të ketë një përfaqësues të sajin në KQZ. Ndërsa edhe koalicioni PAN pretendon që të ketë më shumë se dy përfaqësues, derisa vendimi i Gjykatës Kushtetues parasheh që tri grupet më të mëdha parlamentare të marrin nga dy anëtarë në KQZ. Sipas kësaj, ishte dashur që LV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja t’i marrin nga dy anëtarë. Koalicionin PAN ligjin e trajton si një subjekt politik dhe ai subjekt politik nuk mund të ketë më shumë se dy anëtarë, kurse tani tri subjektet që përbëjnë koalicionin pretendojnë ta kenë nga një përfaqësues në KQZ. Pra, ka konfuzion dhe paqartësi. Prandaj, Presidenca me të drejtë e ka dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, e cila këtë kërkesë e ka vlerësuar të papranueshme. Tani partitë politike për herë të dytë i kanë dërguar propozimet e tyre, ndërkohë Presidenca ende nuk ka vendosur.

“Epoka e re”: Në bazë të kësaj që përmendet deri më tani, si do të duhet të vendosë presidenti?
Baraliu: Zgjidhja do të duhej të ishte kështu. Së pari, presidenti pa vonesë duhet t’i ftojë partitë politike të cilat kanë të drejtë që të jenë të përfaqësuara në KQZ, të diskutojnë në një tryezë në mënyrë që t’i sqarojnë paqartësitë e tyre. Pra, ta analizojnë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e pastaj të marrin një qëndrim unik rreth kësaj çështje. Nëse nuk pajtohen, atëherë presidenti e ka në dorë që në funksion të frymës kushtetuese dhe akteve që përmenda më sipër, t’i mandatojë anëtaret e KQZ-së.

“Epoka e re”: Dhe në qoftë se nuk kemi pajtim të partive politike për këtë çështje, çfarë duhet të bëjë presidenti? Nga ajo që kemi parë, dy subjektet më të mëdha opozitare kërkojnë që t’i kenë nga dy përfaqësues në KQZ, kurse kemi edhe një pretendim të partive më të vogla parlamentare që secila ta ketë nga një përfaqësues?
Baraliu: Kjo që secili subjekt politik parlamentar ta ketë nga një përfaqësues në KQZ, mendoj se nuk është as në përputhje me Kushtetutën e as me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi një vendim të kushtetueses, të cilin nuk po dua ta interpretoj tash, por atë dikush mund ta interpretojë si zgjerim të Kushtetutës. Ai është domosdoshmërisht i aplikueshëm. Nuk dua të jap ndonjë recetë se si të veprohet, sepse nuk më takon mua por, nëse subjektet politike kanë pretendime reale, atëherë ato do të duhej ta interpretojnë mirë vendimin e kushtetueses, sepse ai vendim është zgjatim i Kushtetutës dhe nenit përkatës. Prandaj, do të duhej që në mënyrë racionale dhe me mirëkuptim racional juridik ta analizojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta pranojnë zgjidhjen e cila është e domosdoshme për t’u aplikuar.

“Epoka e re”: Në seancë disa subjekte politike kanë shprehur shqetësimin e tyre se pa funksionalizim të KQZ-së nuk mund të shkojë vendi në zgjedhje. Nëse mund të ketë ndonjë mocion të suksesshëm mosbesimi ndaj Qeverisë, a mund të organizohen zgjedhjet e parakohshme?
Baraliu: Nuk mund të ketë zgjedhje të reja pa funksionalizim të KQZ-së. Ne tani kemi një paralizë institucionale jo vetëm nga aspekti i zhvillimit të zgjedhjeve, që është kryesorja, sepse KQZ-ja është burim i demokracisë dhe burim i institucioneve të vendit. Kështu që, pa të dhe pa procedurat që zbaton ky institucion për zgjedhjet nuk mund të kemi zgjedhje. Pra, nuk mund të ketë zgjedhje të reja dhe me këtë jemi në një lloj paralize institucionale. Prandaj, po e shpreh shqetësimin tim se nuk është dashur të zvarritet kaq gjatë kjo çështje. Pastaj kemi edhe Kuvendin e Kosovës i cili, pa u funksionalizuar KQZ-ja, nuk mund ta bëjë zëvendësimin e mandateve të deputetëve. Siç dihet, PDK-ja tani ka një deputet më pak që i reflektohet këtij subjekti në fuqinë e tij politike në Kuvend. Pastaj në asambletë komunale ka shumë asamblistë të cilët nuk kanë mundur të zëvendësohen me të tjerët, gjë që reflektohet në efikasitetin e këtyre organeve. Për të gjitha këto fakte relevante do të duhej që urgjentisht subjektet politike të ulen në një tryezë politike dhe ta diskutojnë këtë çështje për të ardhur deri te zgjidhja.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vigjiljen e 24 Marsit dhe 20-vjetorit të eksodit dhe…