“Nxehet” gara për kryetar të LDK-së

01 mars 2021 | 10:21

Gara për kryetarin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka nisur të marrë formë. Dy javë para mbajtjes së Kuvendit të Zgjedhor, kjo garë ka filluar të nxehet. Deri më tani disa personalitete të kësaj partie kanë shprehur ambiciet e tyre për të qenë kandidatë për të parin e kësaj partie.

Kryesia e LDK-së ka caktuar 24 marsin datë për mbajtjen e Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të ri, ndërsa lideri aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka asnjë favorit për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë. Pas mbledhjes së kryesisë, ai ka deklaruar se organet e partisë nuk kanë diskutuar për ndonjë kandidaturë të caktuar. “Ne vetëm e kemi caktuar datën e Kuvendit. S’ka favorit. Asnjë emër nuk është diskutuar. Kemi diskutuar vetëm për ditën (Kuvendin)”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, duket se nuk është indiferent në procesin për kryetar të LDK-së. Një ditë pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Hoti ka publikuar një fotografi në profilin e vet në “Facebook”, ku shihet së bashku me nënkryetarin e LDK-së, Kujtim Shala, i cili shihet pretendent për të parin e LDK-së. “Mirëmbrëma të gjithë anëtarëve të Lidhjes!”, ka shkruar Hoti mbi këtë fotografi.

Ky veprim i Hotit nga shumëkush është interpretuar si rreshtim përkrah Kujtim Shalës në garën për të parin e LDK-së. Ndaj kësaj fotografie ka reaguar Burim Elezi, drejtor në Komunën e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, një pretendent tjetër për ta udhëhequr LDK-në. “E ka pru Lidhjen në 10 për qind edhe del e na thotë mirëmbrëma. Dullo, marre duhet me të ardhë. Unë edhe e di pse po e bënë këtë, ama jo. Jo Dullo, kurrë ti e soji yt kryetar të LDK-së s’keni me mujtë me u bë. Marre t’koftë për këtë status. Marre, marre, marre”, ka shkruar ai.

Ndërsa vetë Lutfi Haziri ka lënë të kuptohet se mund t’i hyjë garës për kryetar. “Jam duke u konsultuar me kolegë. Nuk po bëj fushatë për kryetar. Duhet t’ia bëjmë punën dhe angazhimin në mënyrë që Kuvendi i 14 marsit të del i suksesshëm. Kushdo që del kryetar unë do ta mbështes fuqishëm”, ka thënë ai, duke shtuar se Anamorava ka një interesim për ta pasur kryetarin e LDK-së. “Është fakt që Anamorava ka një interesim që duhet ta kemi një kandidaturë për shkak të rolit historik që e ka Gjilani. Rikthimi i madh i LDK-së ndodh edhe më mua, edhe me Lumirin, edhe me Kujtimin. Nuk iu frikësohem sfidave, por unë jam i realizuar politikisht”, ka thënë Haziri.

Pretendent tjetër për kryetar të LDK-së shihet edhe Lumir Abdixhiku, ndonëse ai ende nuk është deklaruar për këtë çështje.

Ditë më parë, kryetari i Degës së LDK-së, Anton Quni, ka deklaruar publikisht se do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së. Madje ai është zotuar se nëse zgjedhet kryetar i LDK-së do t’i rikthejë të gjithë ata që janë larguar nga kjo parti. “Jam kandidat për kryetar të LDK-së. Janë shumë arsye e faktorë pse kam vendosur t’i hyj kësaj gare. Në zgjedhjet e fundit është shprehur mosbesim ndaj LDK-së. Ata që kanë dalë në LV, brenda një kohe të shkurtër do t’i rikthej në shtëpinë e tyre”, ka deklaruar Quni.

Kandidaturën për kryetare të LDK-së e ka shpallur edhe ish-kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Melihate Tërmkolli. Ajo ka deklaruar se do të jenë disa kandidatë për të parin e LDK-së. “Unë mund të jem një prej kandidatëve sepse mendoj se duhet të dalin shumë kandidatë, jo një dhe dy. Duhet të kemi më shumë kandidatë. Sigurisht se mund të jem”, është shprehur ajo.

Pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri aktual i kësaj partie, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se do t’ia ofrojë dorëheqjen Kuvendit të LDK-së.

Në arsyetimin e tij, ai ka thënë se dorëheqjen do ta japë si akt moral dhe jo si akt pendimi për mënyrën e udhëheqjes së kësaj partie. “Më 15 shkurt të këtij viti e  njoftova kryesinë e LDK-së se pas rezultateve zgjedhore të dt. 14 shkurt do t’ia ofroj Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time si kryetar i LDK-së. Dorëheqjen si gjest moral, jo si akt i pendimit. Sepse po të kthehesha edhe një herë mbrapa, njëjtë do ta drejtoja LDK-në. Me orientime zhvillimore, proevropiane, partneritet me ShBA-në, pa skandale dhe pa të korruptuar. Unë do t’u kërkoja falje juve qytetarë dhe veprimtarëve të LDK-së, sikur LDK të penalizohej nga elektorati për qeverisje të korruptuar dhe të padijshme!”, pati shkruar Mustafa në rrjetin social ‘Facebook”.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK-ja është renditur partia e tretë me 13 për qind të votave.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve vendore dhe ndërkombëtare…