OAK diskuton sfidat e sektorit privat me ministren Hajdari

17 janar 19:21

Prioritetet e Qeverisë, sfidat që bizneset po hasin gjatë ushtrimit të veprimtarisë, si dhe ligjet që OAK konsideron që Qeveria duhet t’i trajtoj me urgjencë ishin disa ndër temat e diskutimit në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe shefit të Kabinetit të Kryeministrit, Luan Dalipi.

Oda e Afarizmit të Kosovës nëpërmjet një komunikate konsideron që nevojë e menjëhershme është krijimi i ofertës për investitorët potencial për të bërë biznes në vend, pasi që për më shumë se 20-të vite, Kosova nuk ka arritur të prezentojnë një ofertë konkrete në këtë drejtim.

Sipas OAK-së, është tejet e nevojshme që të punohet në ndarje të zonave ekonomike varësisht nga prioriteti, kompletimin e zonave ekzistuese ekonomike, krijimin e një Ligji funksional për Tregti të Brendshme, Ligjit për Miniera e Minerale, Ligji i Pushimit të Lehonisë dhe Ligji i Punës, vazhdimi i normës 8% të TVSH-së për sektorin e gastronomisë si dhe të bëhet lirimi i plotë i lëndës së parë dhe asaj përcjellëse për bizneset prodhuese.

Ndërsa, ministrja Hajdari falënderoi përfaqësuesit e OAK-së për ndarjen e shqetësimeve të komunitetit të biznesit si dhe theksoi që si Ministri aktualisht janë të orientuar në krijim të politikave industriale, marrë parasysh që si të tilla kanë munguar.

Hajdari shtoi që Qeveria aktualisht po punon në ndryshim të shumë ligjeve, por duhet mirëkuptuar pasi që për hartimin e këtyre të fundit nevojitet kohë.

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Luan Dalipi, informoi që Qeveria nuk ka vazhduar të mbaj normën e ulët të TVSH-së më sektorin e gastronomisë, pasi që sipas të dhënave statistikore të periudhës së aplikimit të TVSH-së në vlerë prej 8%, krahasuar me periudhën paraprake, nuk është vërejtur të ketë treguar efekte pozitive, qoftë në ulje të çmimeve, apo në rritje të pagave për të punësuarit.

“OAK i dorëzoi ministres Rozeta Hajdari dhe Shefit të Kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi kërkesat e komunitetit të biznesit për ndryshimet e nevojshme në ligje dhe udhëzime administrative, si një nevojë emergjente që të rriten kapacitetet tona prodhuese dhe eksportuese”, thuhet në komunikatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zvicra ishte njëri prej kundërshtarëve më të mëdhenj të pranimit…