OBSH dënon deklaratat raciste të dy shkencëtarëve francezë

07 prill 2020 | 14:20

Drejtuesi i OBSH-së i ka konsideruar raciste dhe të turpshme deklaratat e dy shkencëtarëve francezë që pacientët afrikanë të përdoren për testimin e efikasitetit të vaksinave të reja kundër koronavirusit.

OBSH-ja deklaron se Afrika nuk ka për t’u kthyer në një zonë eksperimentesh për testimin e vaksinave të reja kundër Covid-19.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i quajti raciste deklaratat e dy shkencëtarëve francezë se pacientët afrikanë mund të përdoreshin për të provuar efikasitetin e vaksinave që po prodhohen, pasi atje banorët janë më të pambrojtur.

“Mbetjet e mendësisë koloniale duhet të marrin fund. Është befasuese të dëgjosh shkencëtarë që bëjnë të tilla deklarata raciste në shekullin e 21-të. Për çdo vaksinë ose terapi që do testojmë do ndiqen të njëjtat rregulla, qoftë për Europën, Afrikën, apo kudo,” deklaroi shefi i OBSH-së.

Reagimi erdhi si përgjigje ndaj komenteve të bëra të enjten e kaluar në një televizion francez ku flitej për testimin e vaksinave në Europë dhe Australi.

“A nuk duhet t’i bëjmë këto studime në Afrikë, ku nuk ka maska, as trajtime, as reanimacion. Kështu veprohet për studimet e Sida-s, vaksinat për të i testojmë te prostitutat sepse e dimë që janë më të ekspozuarat dhe nuk mbrohen,” do të shprehej kreu i repartit të reanimacionit në një spital të Parisit.

Qëndrimi u dënua sakaq nga grupet afrikane të interesit në vend por edhe nga figurat publike.

Në kontinentin afrikan, po vërehet një trend rritës i rasteve me koronavirus, me të paktën 10 mijë të infektuar dhe mbi 480 veta që kanë humbur jetën teksa shumica e shteteve kanë marrë masa izolimi.

Vendet më të prekura janë ato edhe më të pasurat si Afrika e Jugut, Algjeria, Egjipti dhe Maroku.

Sëmundja infektive në mbarë botën ka infektuar mbi 1,3 milionë veta.

OBSH-ja njofton se afërsisht 20 institute dhe kompani globale janë duke garuar për të prodhuar vaksinën, e cila do të ndahet në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet dhe njerëzit në botë.

Realizimi i saj parashikohet të marrë 12 deri 18 muaj./oranews/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka…