OBSh: I kemi duart plot dhe të zëna duke shpëtuar jetë njerëzish

07 gusht 2020 | 08:53

“Virusi është ende i pranishëm dhe ne duhet të mësojmë si të jetojmë me të”. Deklarata u bë nga drejtori rajonal për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në një intervistë dhënë për rrjetin CNN, dr. Hans Henri P. Kluge vuri në dukje atë që është duke ndodhur aktualisht në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku fasha moshore mes 20-39 vjeç po infektohet në masë, edhe pse ende jo detyrimisht edhe mortaliteti.

Drejtori Rajonal për Evropën i OBSh-së vuri theksin në angazhimin e të rinjve në luftën kundër Covid-19. “Na duhet të përfitojmë nga ky potencial i jashtëzakonshëm moshash të reja për t’i përfshirë të gjithë dhe për t’i mbrojtur ata vetë dhe këdo që ata kanë pranë”, tha ai.

Dr. Hans Henri P. Kluge u ndal edhe te një tjetër shqetësim që lidhet me shkollat, duke bërë më dije se në fund të këtij muaji do të mbahet një konferencë mbi mënyrën si t’i rihapim shkollat në mënyrë të sigurt.

Pavarësisht nëse është fjala për në ShBA, Evropë, Gjermani, Angli, ndërsa rajonet hapen, numrat po ngrihen sërish. A mendoni se së pari është vetë natyra njerëzore që ndërsa gjërat hapen, njerëzit e ulin vigjilencën apo thjesht është natyra e virusit që e bën të pamundur rikthimin në normalitet?

Ne shohim rritje të rasteve në shumë vende dhe shpesh pyetja shtrohet: a është kjo vala e parë apo vala përndjekëse. Në fakt, kjo pyetje është krejt dytësore. Çështja kryesore, mbetet se për shkak të ndryshimit në sjelljen e njerëzve ajo çka po shohim në Evropë është se një fashë moshore mes 20-39 vjeç po infektohet në masë dhe kjo incidencë po ngrihet, edhe pse ende jo detyrimisht edhe mortaliteti. Kështu që na duhet të përfitojmë nga ky potencial i jashtëzakonshëm moshash të reja për t’i përfshirë të gjithë dhe për t’i mbrojtur ata vetë dhe këdo që ata kanë pranë.

Ju i vutë shumë theks nevojës për ta arritur këtë grup moshash të reja, por ata duket të jenë të pandjeshëm ndaj shumë prej këtyre mesazheve. Si mendoni ta përmbushni këtë synim?

Mendoj se gjëja e fundit që duhet bërë është të ngresh gishtin në fytyrën e dikujt apo të fajësosh dikë. Kjo vlen si shembull edhe për lëvizjen kundër vaksinave që ne e shohim të veprojë në një numër vendesh. Ne na duhet t’i përfshijmë të rinjtë dhe të angazhojmë njerëz që mund t’i arrijnë ata – qofshin këta liderë të rinj, ambasadorë të rinisë, si dhe të mbështetemi fort mbi atë që po përpiqemi të bëjmë si një vlerësim i thelluar global qe OBSH-ja i bën të kontrollit të sjelljes – në forma që kanë funksionuar mirë në të shkuarën – nëse flasim për shembull për vaksinimin.

Për fat të keq, politika dhe pandemia ecin dorë për dorë. Një muaj më herët, Shtetet e Bashkuara i bënë me dije OBSh-së vendimin për të dalë nga organizata. Si ka ndikuar marrëdhënia përplasëse me administratën Tramp në luftën e OBSh-së kundër koronavirusit?

Ajo që mund të them është se ShBA-ja ka qenë për shumë vite një partnere e rëndësishme për OBSh-në. Unë sinqerisht shpresoj se kjo do të vazhdojë. Unë kam punuar në disa prej qendrave më sfiduese në planet dhe çfarë kam parë është se ndihma e popullit amerikan ka shpëtuar shumë njerëz të kërcënuar, qoftë ata që kërkonin asistencë për tuberkulozin apo refugjatë dhe unë do doja shumë të falënderoja qytetarët amerikanë për këtë.

Por pa mbështetjen e ShBA-së, çfarë pritet të ndodhë?

Ne shpresojmë se do të vazhdojmë ta kemi këtë partneritet sepse nuk është fjala vetëm për financimet; është fjala për një bashkëpunim të ngushtë me qendrën për kontrollin e sëmundjeve dhe shumë e shumë partnerë të tjerë, kështu që në këtë fazë ne jemi të fokusuar që të shpëtojmë jetë njerëzish.

Jemi në mes të një pandemie; ne ndjekim kërkimet. Kështu që i kemi duart plot dhe të zëna për të mundur të shpëtojmë sa më shumë jetë dhe të parandalojmë sa më mirë të mundemi dëmet njerëzore

Do të jetë një betejë e gjatë, pasi, siç besoj e dini, drejtori i përgjithshëm i OBSh-së ka deklaruar së fundmi se efektet e koronavirusit do të ndihen për disa dhjetëvjeçarë. Për çfarë e ka ai tamam fjalën dhe a jeni ju dakord me këtë?

E drejtë, do t’i rikthehemi çështjes së rasteve të shtuara. Virusi është ende i pranishëm. Nëse pamë një ulje rastesh në një numër vendesh, kjo nuk ndodhi sepse virusi u zhduk. Kjo ndodhi për shkak të mbylljes së shteteve apo mbylljes në disa nivele.

Në mënyrë të natyrshme, kur ju hiqni pengesat, shfaqjet e virusit do të rriten përsëri, kështu që ne do të na duhet të mësojmë të jetojmë me këtë virus për ca kohë të mira, ashtu siç është shprehur edhe Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së.

Shëndeti mendor është ndërkohë një tjetër fushë e vëmendjes sonë, sëmundje të tjera që kanë njohur rritje nga shërbimet rutinë të imunizimit, kontrolli i kancerit të gjirit. Këto janë drejtime ku ne e ndiejmë se na duhet të përshpejtojmë përgjigjet.

Ne e quajmë një përgjigje të dyfishtë të gjurmimit shëndetësor, e përqendruar te COVID, por po aq vëmendje kërkon dhe kërkohet edhe për pandemitë e tjera p.sh., HIV/AIDS – një tjetër pandemi e madhe, të cilën nuk duhet ta harrojmë.

Nëse na duhet të jetojmë me këtë virus për një kohë të gjatë – siç ju thoni – dhe një prej çështjeve kryesore janë shkollat. Shumë qytete dhe shtete këtu në ShBA kanë ndezur debatin rreth rihapjes së shkollave. Shkenca ndërkohë flet me një gjuhë që herë-herë është kundërthënëse dhe shembujt e rihapjes së shkollave në Evropë prodhojnë konflikt mendimesh. Në këtë pikëpamje, çfarë udhëzimi i jepni ju kësaj pyetjeje? Çfarë kushtesh e bëjnë të sigurt rihapjen e shkollave dhe si mund të bëhet kjo me sukses?

Shkenca ka trajektoren e saj dhe është gjithnjë në zhvillim dhe unë e kuptoj që njerëzit do të donin të shihnin një zgjidhje që u përgjigjet të gjitha rasteve. Jam krejt në dijeni për raportet e fundit të 48 orëve në pjesë të ndryshme të botës, ku fëmijët gjithashtu shfaqen të prekshëm nga koronavirusi.

Ata janë pjesë e ciklit të transmetimit të sëmundjes, kështu që në këtë rast unë do t’u përmbahem rasteve të qarta kur shkollat në disa vende evropiane u rihapën gradualisht dhe të sigurta. Pse? Sepse vëmendja u përqendrua si të ndalohet transmetimi i virusit në komunitet ngase shkolla nuk është një njësi e shkëputur shoqërore.

Masat e shëndetit publik u zbatuan dhe ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për efektet e dëmshme të lënies së fëmijëve dhe të rinjve jashtë shkollave, sidomos kur flitet për fëmijë me nevoja të veçanta. Më 31 gusht në Evropë unë do të bashkëdrejtoj një konferencë evropiane me ministrin e Shëndetësisë së Italisë Dr. (Roberto) Speranza, mbi mënyrën si t’i rihapim shkollat të sigurt. Gjithsesi, edhe në ShBA ju keni kaq shume ekspertë të zotë dhe në krejt botën ne po mësojmë paprerë prej njëri-tjetrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igor Grechushkin, një qytetar rus që dyshohet se po banon…