Oda e Afarizmit: Fondi për Garanci kreditore të jetë së paku 300 milionë euro

10 qershor 2020 | 15:56

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), i është drejtuar me një shkresë kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrave përkatës për të kërkuar që Fondi i Garancisë Kreditore si pjesë e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike të jetë së paku 300 milionë euro.

Sipas OAK-ut, bizneset kanë nevojë për mjete në mënyrë që të kenë mundësi për të operuar. “Kjo kërkese vie si rrjedhojë e analizave që ne si OAK kemi bërë dhe takimet e shumta me bizneset që ne përfaqësojmë. Si rezultat i kësaj ne kemi arritur në konkluzion se një fond nën shumën prej 300 milionë euro nuk do të ndihmonte bizneset mjaftueshëm për gjendjen e rëndë në të cilën jemi. Si pasojë e mosgjenerimit të të hyrave dhe vonesat në ekzekutimin e Pakos Fiskale Emergjente dhe miratimit të pakos së rimëkëmbjes, kanë shkaktuar që shumë biznese të ndodhen në vështirësi të rëndë financiare, andaj, garantimi i kredive nga ana e shtetit, me një grace periudhë së paku 2 vite dhe afat 10 vjeçar të kthimit, do të ndihmonte ato që biznesi të ruajë stabilitetin, fleksibilitetin dhe rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë”, thuhet në komunikatën e Odës së Afarizmit të Kosovës.

Gjithashtu, sipas kësaj ode, garantimi i kredive në masën 80 deri 100 për qind do të rritë edhe fleksibilitetin e bankave për të dhënë kredi të cilat i kanë ndaluar me fillimin e pandemisë, si dhe do të rritë besueshmërinë e afaristëve për të rritë investimin i cili është aq shumë i nevojshëm për gjendjen në të cilën jemi. (A. M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Financave dhe Transfereve Hykmete Bajrami, ka pritur në…