Oda e Afarizmit kërkon nga Ministria e Financave të ofrohet përkrahje për organizuesit e ngjarjeve

02 qershor 2020 | 16:39

Problemet e sektorit të organizimit të ngjarjeve gjatë situatës së pandemisë,  ishte tema kryesore e diskutimit në takimin e realizuar nga përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës me disa nga bizneset e këtij sektori.

Kryetari i bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi i shpalosi rekomandimet që OAK ka dërguar tek institucionet me qëllim të përkrahjes së bizneseve. “Edhe pse sektorit të organizimit të ngjarjeve nuk iu është ndaluar direkt ushtrimi i veprimtarisë, me vendim të qeverisë për parandalim të përhapjes së pandemisë është ndaluar organizimi i ngjarjeve, dhe si rezultat i së cilës janë anuluar 60 festivale. Sektori i organizuesve të ngjarjeve konsiderohen si një nga zinxhirët më të mëdhenj sezonal, pas gastronomisë, e ndër problemet kryesore me të cilat po përballen si pasojë e mos gjenerimit të të hyrave janë pamundësia e mbulimit të pagave të stafit, pagesa e qirasë e shpenzimet fikse. Në këtë po ndikon edhe pamundësia e inkasimit të borxheve të vitit të kaluar, e sidomos mos ekzekutimi i pagesave nga ana e institucioneve për bizneset. Gjatë këtij takimi u pajtua që për tejkalimin e gjendjes së rënduar të këtij sektori dhe që t’iu mundësohet mbijetesa në treg është e domosdoshme që të përkrahen nga ana e institucioneve përmes subvencionimit të pagave të punonjësve, subvencionimit të qirasë, ulja e TVSH-së për operim, shtyrja e kredit line që këto biznese kanë dhe shtyrja e tatimeve dhe obligimeve ndaj ATK-së”, thuhet në komunikatën e OAK.

Sipas kësaj ode, këto masa duhet të jenë së paku njëvjeçare, në mënyrë që ky sektor të ketë mundësi të rifillimit të operimit dhe të tejkalohet situata e rënduar në të cilën gjenden. “Për dallim nga sektorët e tjerë që kanë pasur shtyrje për disa muaj, këtij sektori i janë anuluar dhe shtyrë për një vit eventet dhe aktivitetet e parapara”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këto Oda e Afarizmit të Kosovës ka përcjellë një shkresë për Ministrinë e Financave dhe Transfereve, në mënyrë që të përfshihen në draftin final të Pakos e Rimëkëmbjes, në mënyrë që të sigurohet përkrahja adekuate dhe t’i jepet mundësia që ky sektor të mbijetojë. (A. M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në pajtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës për lehtësimin …