
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kundërshton masat e Qeverisë
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit menjëherë ka nisur reagimet.
Në një letër dërguar institucioneve të Kosovës, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen 12-ditore, pa konsultim paraprak, duke thënë se lidhur me këtë vendim janë njoftuar vetëm nga mediat.
“Oda e Hotelerisë dhe Turizmit me të gjithë sektorët që përfaqëson janë më të goditurat në të gjitha aspektet nga masat e marra gjatë kohës së pandemisë dhe nuk e përkrahë këtë vendim të Qeverisë së Kosovës dhe kategorikisht e kundërshton vendimin siç e quan të njëanshëm ndaj fushëveprimtarisë hoteliere dhe turistike”, thuhet në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave Arben Vitia, Hekuran Murati dhe Rozeta Hajdari.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kërkon garanci nga Qeveria që pas datës 18 prill të lehtësohen këto masa dhe t’u lejohet të punojnë të gjithë sektorët e departamentet e hotelerisë dhe turizmit.
Tutje, Oda kërkon takim me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që të njihen me hapat e paraparë për kompensimin e humbjeve të bizneseve dhe për t’u njohur me hapat që do të ndërmerren pas datës 18 prill.