Hamza: Qeveria ta zbatojë ligjin, 200 milionë euro t’i shpërndahen sektorit privat

08 prill 2021 | 13:47

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka mbajtur sot konferencë për media ku ka shprehur shqetësimin lidhur me masat e reja anti-Covid të marra nga Qeveria e Kosovës, të cilat po shkaktojnë dëme në ekonominë e vendit.

Hamza duke theksuar se Qeveria Kurti nuk po e trajton me seriozitet këtë çështje, ka kërkuar që të zbatohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të fillojnë të shpërndahen 200 milionë eurot për sektorin privat të prekur nga pandemia. “200 milionë euro janë të ndara për mbështetjen e sektorit privat. Gjithashtu 30 milionë euro janë të ndara dhe të dedikuara për të gjithë të punësuarit që e kanë humbur punën e tyre si rezultat i pandemisë. Bizneset dhe ata që kanë humbur vendet e punës nuk e kanë marrë mbështetjen e shtetit. Sektori i gastronomisë është goditur më së shumti, por janë edhe sektorët tjerë. Mbyllja do të duhej të bëhej me një planifikim më të mirë dhe më të kujdesshëm. Qeveria duhet të ketë masa të qarta, të sakta dhe të zbatojë ligjin”, ka thënë ai.

Hamza ka kërkuar që qeveria të dalë sa më shpejtë me një plan konkret për menaxhimin e pandemisë dhe ndihmës së ofruar për bizneset, sepse përveç kompensimit të pagave dhe qerave, bizneset kanë edhe shpenzime të tjera si fitimi i humbur dhe kreditë, që qeveria nuk do t’ua mbulojë.

Ai ka thënë që qeveria duhet të përkujdeset që të furnizojë vendin me vaksina në mënyrë që të bëhet imunizimi i popullatës.

“Jemi vonë dhe ligji që është miratuar në Kuvend, duhet të zbatohet sa më parë. Pse ne nuk kemi kontratë për furnizim me vaksina, meqenëse paratë janë aty. Është e vetmja mënyrë që të imunizojmë popullin dhe të hapim ekonominë. E dimë që nuk është lehtë, mirëpo nëse vendet e rajonit kanë ardhur deri te 3-4 furnizues, pse ne nuk kemi akoma një kontratë”, ka deklaruar Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot një vit më parë, në Komunën e Malishevës, është…