Katër biznese vendore në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë
Katër kompani nga Kosova janë përzgjedhur së fundmi për bashkëfinancim në kuadër të edicionit të dytë të LuxAid Demonstration Fund (LDF) në Kosovë, duke sjellë zgjidhje inovative për sfidat në prodhimin e qëndrueshëm të ushqimit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, dhe kujdesin shëndetësor dhe shërbimet digjitale.
Përmes mbështetjes për zgjerimin e modeleve inovative të biznesit, LDF u mundëson kompanive t’i shndërrojnë inovacionet e tyre premtuese në biznese të qëndrueshme, që krijojnë ndikim ekonomik, social dhe mjedisor.
Këto katër projekte përzgjedhen përmes një procesi mjaft konkurrues. Ato ndërthurin potencialin komercial në fushën e inovacionit të gjelbër dhe inovacionit digjital me përfitime konkrete sociale, ekonomike dhe mjedisore. Këto projekte janë dëshmi se si inovacioni në sektorin privat mund të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
Nga 200 aplikime deri në katër projekte fituese
Thirrja për propozime ngjalli interesim të madh, me gjithsej 200 aplikime të nisura në platformë. Pas verifikimit të kritereve të pranueshmërisë dhe vlerësimit cilësor, 15 projekte u përzgjodhën në listën e ngushtë. Prej tyre, 10 kaluan në fazën e verifikimit të detajuar (due diligence), ku u shqyrtuan më hollësisht modelet e tyre të biznesit, kapacitetet financiare, zgjidhjet e propozuara dhe ndikimi i mundshëm në zhvillim.
Procesi përfundoi në qershor të vitit 2026, kur tetë finalistët prezantuan projektet e tyre para Komitetit Përzgjedhës. Pas vlerësimit, katër kompani përfituan bashkëfinancim nga LDF: Agro-Florentina Shpk, Matrics Blockchain Shpk, PBC Shpk dhe Kosova Foods Shpk.
Së bashku, këto projekte përfaqësojnë një investim të përgjithshëm prej rreth 2.5 milionë eurosh, nga të cilat mbi 1.05 milion euro sigurohen si bashkëfinancim nga Dukati i Madh i Lukemburgut përmes LuxAid Demonstration Fund – LDF.
Shndërrimi i inovacionit në rezultat
Megjithëse veprojnë në sektorë të ndryshëm, këto katër kompani ndajnë një qëllim të përbashkët: përdorimin e inovacionit për të adresuar sfida konkrete, dhe njëkohësisht duke krijuar përfitime afatgjata për njerëz, komunitetet dhe mjedisin.
Me bashkëfinancimin nga LDF, secila kompani do të fuqizojë dhe zgjerojë inovacionin e saj, duke i shndërruar ato në rezultate të matshme për qytetarët, bizneset dhe komunitetet.
● Agro-Florentina Shpk – Zhvillimi i zinxhirëve të qëndrueshëm të prodhimit dhe furnizimit me produkte pyjore, përmes ekonomisë qarkore dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike
Agro-Florentina është e specializuar në prodhimin e kërpudhave, frutave të pyllit, si dhe bimëve mjekësore dhe aromatike. Me bashkëfinancimin nga LDF, kompania do të investojë në dy sera “smart”, përmirësimin e kapaciteteve për ruajtje në ambiente frigoriferike, sisteme të energjisë diellore dhe infrastrukturë për grumbullimin e ujit të shiut.
Fermerët e përzgjedhur do të pajisen gjithashtu me mjete dhe pajisje për kultivimin e kërpudhave. Projekti do të fuqizojë më tej prodhimin qarkor përmes shndërrimit të mbetjeve organike në produkte të dobishme, si komposti dhe peleti.
Agro-Florentina synon të rrisë produktivitetin dhe të zgjerojë mundësitë ekonomike për 1,000 prodhues të tjerë në rrjetin e saj të furnizuesve në zonat rurale.
● Matrics Blockchain Shpk – Heart+: Përmirësimi i qasjes në shërbimet e kujdesit për shëndetin e zemrës përmes teknologjisë digjitale
Matrics Blockchain zhvillon teknologji digjitale, dhe inovacione për sektorin e shëndetësisë. Përmes LDF, kompania do të lansojë platformën Heart+ në Kosovë, një shërbim që synon të përmirësojë qasjen në kontrollet parandaluese, diagnostikimin dhe kujdesin e vazhdueshëm për pacientët me sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut në Kosovë.
Nisma synon të përfshijë 20,000 pacientë në 15 institucione shëndetësore. Do të ofrohen trajnime për 50 profesionistë shëndetësorë, duke kontribuar në përmirësimin e qasjes në kujdesin e specializuar kardiovaskular.
● PBC Shpk – Thjeshtësimi i transaksioneve digjitale përmes rTrust
PBC ofron shërbime të zhvillimit të softuerit, sigurisë kibernetike dhe transformimit digjital. Me mbështetjen e LDF, kompania do të zgjerojë rTrust, platformën e cila mundëson verifikimin e sigurt të identitetit, nënshkrimeve elektronike dhe validimin e dokumenteve.
Duke zvogëluar përdorimin e dokumenteve fizike, procedurat administrative dhe nevojën për vizita të panevojshme në institucione, platforma do t’u mundësojë institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve të marrin shërbime më lehtë dhe më shpejt.
Projekti pritet të përfshijë mbi 60,000 përdorues të rinj dhe të krijojë 10 vende të reja pune.
● Kosova Foods Shpk – Zhvillimi i sistemeve qarkore të prodhimit ushqimor
Kosova Foods merret me prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit përmes Buka Bakery dhe linjës M2Go, e cila ofron produkte të gatshme për konsum.
Me bashkëfinancimin nga LDF, kompania do të zhvillojë një mënyrë më të qëndrueshme të prodhimit të ushqimit, duke shfrytëzuar më mirë ushqimin e tepërt, duke zgjatur afatin e ruajtjes së produkteve të freskëta dhe duke përmirësuar planifikimin e prodhimit.
Gjatë dy viteve të zbatimit, projekti pritet të mundësojë shfrytëzimin e 16,900 kg ushqimi që përndryshe do të hidhej, si dhe të krijojë 25 vende të reja pune me orar të plotë.
Kontributi përtej zhvillimit të bizneseve
Megjithëse secili projekt synon të adresojë sfida të ndryshme në sektorët ku veprojnë, ndikimi i tyre shtrihet përtej vetë kompanive.
Së bashku, këto projekte tregojnë se si bizneset vendore mund të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës, duke përmirësuar prodhimin e ushqimit, reduktuar mbetjet, lehtësuar qasjen në shërbime shëndetësore dhe nxitur transformimin digjital.
Me fillimin e zbatimit të projekteve, katër kompanitë do të fokusohen në zgjerimin e zgjidhjeve të tyre, arritjen e rezultateve konkrete dhe krijimin e përfitimeve afatgjata për komunitetet të cilave u shërbejnë.
Urojmë kompanitë Agro-Florentina Shpk, Matrics Blockchain Shpk, PBC Shpk dhe Kosova Foods Shpk dhe falënderojmë të gjithë partnerët që kontribuan në suksesin e këtij edicioni. Presim me kënaqësi të ndjekim zhvillimin e projekteve dhe ndikimin pozitiv që do të sjellin.
LuxAid Demonstration Fund financohet nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe zbatohet nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.



