Guvernatori Ismaili takon ambasadorin e Francës, diskutojnë për reformat në sektorin financiar dhe SEPA-n
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, priti në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet.
Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të BQK-së me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian mbi zhvillimet në sektorin financiar, reformat e BQK-së dhe integrimin financiar evropian të Kosovës.
Guvernatori Ismaili e informoi ambasadorin Huchet për zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës, duke theksuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e tij, si dhe rolin e sektorit në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Në fokus të diskutimit ishin hapat e ardhshëm pas dorëzimit të aplikimit formal të Kosovës në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC) për përfshirje në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Guvernatori Ismaili theksoi se përfshirja në SEPA do të lehtësonte transferet ndërkufitare në euro dhe do të ulte kostot për qytetarët, bizneset dhe diasporën.
Në kuadër të modernizimit të infrastrukturës vendore të pagesave, guvernatori Ismaili prezantoi edhe përgatitjet për lansimin dhe zbatimin gradual të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), i cili bazohet në platformën TIPS Clone.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Francës (Banque de France) dhe për kontributin e saj në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave të BQK-së.
Ambasadori Huchet mirëpriti bashkëpunimin ndërmjet dy bankave qendrore dhe rikonfirmoi mbështetjen e Francës për reformat dhe integrimin evropian të Kosovës, përfshirë përpjekjet për përfshirje në SEPA.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin institucional në fushat me interes të përbashkët, veçanërisht në ruajtjen e stabilitetit financiar, modernizimin e sistemeve të pagesave dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale.



