Rama prezanton buxhetin për vitin 2027: Për herë të parë kap tavanin e 10 miliardë eurove
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar në Kuvend përmbajtjen e projektbuxhetit për vitin 2027, për të cilin ka thënë se, për herë të parë, kap vlerën prej 10 miliardë eurosh, falë një ekonomie të trefishuar.
“Ishte më pak se 10 miliardë euro kur ne morëm detyrën dhe ka prekur tavanin e 30 miliardë eurove”, ka thënë Edi Rama.
Sipas kryeministrit, qeveria vjen me këtë projektbuxhet me synimin parësor për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare. Rama ka treguar përfitimet që do të kenë qytetarët nga ulja e TVSh-së në 6 për qind për 54 produkte të shportës ushqimore.
“Ky është një lehtësim që, e thënë ndryshe, lë rreth 150 milionë euro çdo vit në arkën e familjeve. 150 milionë euro të cilat, përndryshe, do të vinin në buxhetin e shtetit, drejtpërdrejt përmes çmimeve të ulura, falë uljes domethënëse të TVSh-së. Por dua të jem shumë i qartë këtu: ne nuk po e ulim TVSh-në që diferencën ta fusin në xhep tregtarët, ndërkohë që fëmijët vazhdojnë të paguajnë njësoj logjikën e kapitalizmit”.
Për kryeministrin Edi Rama, filozofia e këtij projektbuxheti është përmirësimi i hendekut mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë më pak.
“Prandaj e mbajmë të pandryshuar ne tatimin 15 për qind të fitimit të sipërmarrjes, por ama rrisim tatimin mbi dividendin nga 8 në 15 për qind, sepse kur vjen fjala për të riinvestuar të ardhurat e fituara, ne jemi me sipërmarrjen”.
Një tjetër lehtësim për qytetarët, sipas kryeministrit, lidhet me heqjen e taksës së qarkullimit.
“Duam ta ulim çmimin në pompë me 32 lekë për litër, duke e zhvendosur taksën tek automjeti dhe, faktikisht, duke e lidhur më drejtpërdrejt edhe me karakteristikat e automjetit. Kështu, faktikisht, duke e bërë çmimin e karburantit në Shqipëri njësoj si në vendet e tjera të rajonit dhe pastaj duke kaluar detyrimin për të paguar taksën e qarkullimit të makinës në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Publik”.
Duke folur për pensionistët, Rama ka deklaruar se kjo kategori e shoqërisë meriton të ndiejë më shumë përfitimet e rritjes ekonomike.
“Nga 1 janari, të dyfishojmë rritjen e vitit që po lëmë pas dhe t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës, me dyfishim dhe dyfishim dhe dyfishim, krahasimisht me vitin e parë që është ky i këtij procesi. Dhe kështu janë 20 miliardë, ose rreth 200 milionë euro në këtë buxhet, që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët. Ndërkohë që indeksimi afrohet në muajin prill dhe për të është një fond shtesë prej 4 miliardësh, ose 40 milionë eurosh”.
Duke u ndalur te të rinjtë, kryeministri ka thënë se qeveria nuk mund ta pranojë si një normalitet të pandryshueshëm faktin që një çift i ri, ku të dy partnerët punojnë, ta ketë gjithnjë e më të vështirë të sigurojë një çati mbi kokë.
“Dhe ndërkohë fillojmë pikërisht nga buxheti, pa llogaritur çfarë vjen me ligjin e ri të strehimit, ku janë 1.000 familje që përfshihen në skemat e kreditimit të lehtësuar dhe janë 2.000 familje të tjera që mbështeten me subvencionimin e qirasë në tregun e lirë, ndërkohë që 7.000 familje të tjera, pra në total janë 10.000 familje që do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin”.
Si një propozim të rëndësishëm, kryeministri e ka cilësuar edhe atë që projektbuxheti parasheh për studentët që vijnë nga familjet në nevojë.
“Bursa e tyre do të rritet nga 10.000 në 25.000 lekë të reja në muaj dhe do të shtrihet edhe në ciklin e masterit. Kjo do t’ua lehtësojë edhe marrjen pjesë në ato grupet që bëhen bashkë të studentëve për të marrë me qira shtëpi në Tiranë”.
Investimet publike prej 200 miliardë lekësh, të planifikuara në projektbuxhet, nuk janë thjesht konsum i fryteve të rritjes së ekonomisë, por riinvestim në një ekonomi që do të rritet ende më shumë, ka theksuar kryeministri Edi Rama./TCh



