Arben Mustafa: Mosrespektimi i afateve ligjore nga KPMM-ja krijon pasiguri juridike për investitorët
18 nëntor 2026
| 11:02
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, deputeti Arben Mustafa, ka ngritur shqetësimin për mosrespektimin e afateve ligjore nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në trajtimin e aplikimeve të investitorëve për licenca të hulumtimit të mineraleve.
Mustafa ka bërë të ditur se kjo çështje është diskutuar në Komisionin për Ekonomi, gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të KPMM-së.
Sipas tij, mosrespektimi i afateve ligjore krijon pasiguri juridike, dëmton klimën e investimeve dhe hap rrugë për praktika të arbitraritetit institucional.
Ai ka theksuar se Komisioni për Ekonomi do të vazhdojë mbikëqyrjen institucionale, duke kërkuar llogaridhënie për zbatimin e ligjit dhe trajtim të barabartë për të gjithë investitorët.



