Oda e Hotelerisë dhe Turizmit paralajmëron padi dhe protesta ndaj Qeverisë së Kurtit dhe Hotit

24 nëntor 13:33

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka paralajmëruar protesta në rast se as në seancën e ardhshme nuk kalon Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike. Veç tjerash, kanë njoftuar se edhe nuk do të respektojnë masat në fuqi.

Pas më shumë se një orë e gjysmë takim, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, ka marrë disa vendime në rast se nuk kalon Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva tha se së bashku me odat tjera, kanë ndikuar që sot të mos ketë mbyllje totale të vendit, duke shpëtuar edhe miliona euro. “E para u vendos që të kalohet sa më parë, bile në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike të kalohet sa më parë. Përndryshe pas kësaj, nëse kjo nuk kalohet do të pasojnë protestat, ndoshta fillohet iniciativa e pa dëgjueshmërisë të këtyre masave aktuale. Pastaj të paguhen të gjithë punëtorët, sepse ende nuk janë paguar punëtorët të cilët e kanë pasur obligim. Interesi bankar të stopohet sa më parë, kjo mos të na i trazojë bizneset hoteliere në Prishtinë”, tha ai.

Sogojeva pas këtij takimi tha se po kërkohet edhe që të paguhet qiraja, pasi sipas tij njerëzit janë në hall. “Ne si Odë morëm vendim që të ngremë padi ndaj qeverisë edhe të kaluarën edhe kësaj sot, sepse deri në ligjin e pandemisë të gjitha vendimet kanë qenë antikushtetuese, andaj ne do të ngremë padi kolektive, sepse dëmet të cilat janë bërë në atë kohë t’i kthehen bizneseve”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se do të dakordohen edhe me odat tjera, që në rast se edhe në seancën e ardhshme nuk kalon Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, do të fillojnë daljen në protesta. Ndër tjera, kanë kërkuar sa më parë të shfuqizohen masat të cilat janë në fuqi, meqë siç tha ai këto nuk po ndihmojnë në mos-përhapjen e Covid-19.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje e ka prezantuar një sondazh për zgjedhjet në…