Oda e Infermierëve rrit tarifën e anëtarësimit, infermierët shprehin pakënaqësi

19 qershor 2026 | 16:07

Rritja e tarifës së anëtarësimit në Odën e Infermierëve të Kosovës (OIK) ka ngjallur reagime te profesionistët shëndetësorë. Nga muaji mars, anëtarët e OIK-ut janë obliguar të paguajnë 3.50 euro në muaj, krahasuar me tarifën e mëparshme prej 0.83 euro.

Sipas vendimit të ri, të gjithë infermierët, pavarësisht nëse janë të punësuar apo jo, janë të obliguar të paguajnë tarifën e anëtarësimit për të ruajtur statusin e tyre në OIK.

Një infermiere, e cila ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me këtë vendim, ka deklaruar se rritja e tarifës nga 0.83 euro në 3.50 euro është e papërballueshme.

“Çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur vazhdimisht, ndërsa pagat tona nuk po e përcjellin këtë ritëm. Kjo rritje është krejtësisht e padrejtë”, ka deklaruar ajo.

Nga ana tjetër, Oda e Infermierëve ka bërë të ditur se moskryerja e pagesës së anëtarësimit për një periudhë prej gjashtë muajsh sjell pasoja për anëtarët. Sipas njoftimit, mospërmbushja e këtij obligimi rezulton me përfundimin e anëtarësimit, fshirjen nga Regjistri i Anëtarëve dhe humbjen e të drejtave që rrjedhin nga anëtarësia, përfshirë edhe të drejtën për licencë profesionale.

Po ashtu, në rast të ri-anëtarësimit, anëtari obligohet të paguajë dyfishin e tarifës së regjistrimit.

OIK ka njoftuar se anëtarët që nuk i përmbushin obligimet e anëtarësisë nuk do të mund të përfitojnë nga shërbimet dhe benefitet që ofron kjo odë, përfshirë mbrojtjen ligjore, sigurimin jetësor dhe shëndetësor, Edukimin e Vazhdueshëm Profesional (EVP), si dhe programe të tjera të dedikuara për anëtarët aktivë.

Lidhur me këtë vendim, OIK në një përgjigje për Indeksonline ka bërë të ditur se ndryshimi i tarifave është bërë në bazë të vendimit të Kuvendit të OIK-ut, si organi më i lartë vendimmarrës i Odës.

Sipas OIK-ut, me tarifat e reja sigurohet mbulim më i mirë i shërbimeve për anëtarët, përfshirë sigurimin jetësor dhe ofrimin e mbështetjes juridike përmes shërbimeve të avokatit.

Ndërsa sa i përket ankesave, OIK-u ka deklaruar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare lidhur me ndryshimin e tarifave të anëtarësimit.

“Sa i përket ankesave, deri më tani Oda nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare lidhur me ndryshimin e tarifave të anëtarësisë. Në bazë të Vendimit të Kuvendit të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës, të datës 27.02.2026, është përcaktuar mënyra e re e pagesës së anëtarësisë sipas kategorive të anëtarëve”, thuhet në përgjigjen e OIK-ut.

Sipas Odës, anëtarët e punësuar në sektorin publik paguajnë anëtarësinë në shumën prej 0.5 për qind të pagës bruto përmes sistemit Payroll. Ndërsa anëtarët e papunë dhe të punësuarit në sektorin privat paguajnë 3 euro në muaj, kurse anëtarët me status pensioneri paguajnë 2 euro në muaj.

Për këto kategori, pagesa realizohet në baza vjetore me parapagim. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e 295-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK),…