Oda Ekonomike Amerikane: Qeveria e re të fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik pas pandemisë COVID-19

03 qershor 2020 | 17:22

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret krijimin e Qeverisë së re të Kosovës në një kohë kur vendi ka nevojë të jashtëzakonshme për avancimin e agjendës së reformave biznesore.

Sipas kësaj ode përballja me pasojat e pandemisë COVID-19 në ekonomi si dhe një proces dinamik legjislativ duhet të jenë në maje të prioriteteve të Qeverisë së re të Kosovës.

“Aprovimi i një pakoje gjithëpërfshirëse të rimëkëmbjes ekonomike e cila duhet të jetë produkt i një procesi të dialogimit me të gjithë hisedarët e rëndësishëm në Kosovë duhet të jetë i një rëndësie të jashtëzakonshme. Pakoja duhet të ofrojë mbulesë proporcionale të dëmeve që janë shkaktuar në të gjithë sektorët pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, por në të njëjtën kohë të shërbejë edhe si kornizë për ristrukturimin e gjithëmbarshëm të ekonomisë së vendit. Oda Ekonomike Amerikane përsërit qëndrimet e saj të mëhershme se programi i Qeverisë së re duhet të theksojë adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve që lidhen me kapitalin njerëzor, respektivisht zvogëlimin e hendekut në boshllëkun e shkathtësive, funksionalizimin e shtetit të së drejtës, largimin e barrierave në lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si dhe reformimin e vazhdueshëm të mjedisit të të bërit biznes i cili do të ishte nxitës për investimet e jashtme dhe të brendshme”, thuhet në komunikatën e OEAK

Sipas kësaj ode, dialogu aktiv publiko-privat përmes mekanizmave ekzistuese ose mekanizmave të ri duhet të mundësojë adresimin e vështirësive me të cilat ballafaqohen investitorët e huaj, si dhe ndërmarrjet e sektorit privat në përgjithësi. “Oda Ekonomike Amerikane beson se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të gjithë hisedarëve politikë e jopolitikë, Kosova mund të përmbushë synimet e saj drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik si dhe ofrimit të një perspektive më premtuese për qytetarët e saj”.

(A. M / Epoka e re)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se…