Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo Amerikane konfirmojnë partneritetin me Qeverinë e Kosovës

06 qershor 2020 | 14:16

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konfirmojnë gatishmërinë e tyre për partneritet konstruktiv me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke potencuar se adresimi i pasojave shëndetësore por edhe ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID19 duhet të jenë në mesin e prioriteteve kryesore. Dy odat ekonomike theksojnë se heqja e barrierave në tregti, fuqizimi i dialogut përmes mekanizmave ekzistuesë dhe mbi të gjitha aprovimi i një pakoje të rimëkëmbjes duhet të zënë vendin kryesorë në agjendën e punës së Qeverisë së re.

Në këtë aspekt, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane mirëpresin vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për shfuqizimin e barrierave tregtare, një hap i cili do të mundësonte bashkëpunim më të madh ekonomik rajonal por edhe raporte më të mira ndërfqinjësore. Eliminimi i barrierave tarifore e jotarifore si dhe avancimi i lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit ndërmjet shteteve të Ballkanit, do të rrisnin prospektet për tërheqje të investimeve të huaja direkte dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Më tej, dy odat ekonomike shprehin besimin e fuqishëm se Kosova ka nevojë për një Pakt Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, i cili përveç ndërtimit të kornizës së rimëkëmbjes ekonomike do të ndihmonte edhe në adresimin e çështjeve të cilat kanë pamundësuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, duke fokusuar në këtë mënyrë mbështetjen në sektorin e prodhimit, e posaçërisht në ndërmarrjet me potencial të eksportit, por edhe në sektorin e shërbimeve me fokus në ndërmarrjet e teknologjisë së informacionit. Në këtë aspekt është i pashmangshëm edhe intervenimi i strukturuar në sektorin e arsimit akademik dhe profesional me qëllim të adresimit më të madh të kërkesave në tregun e punës, me vëmendje në tiparet dhe sjelljet e gjeneratave të reja, por edhe nevojat e tregut të punës, si dhe prioritetet e Paktit Kombëtar të Transformimit Ekonomik.

Modeli i ri ekonomik do të nënkuptojë që sektorët me potencial konkurrues dhe shërbimet përcjellëse për këta sektorë, duhet të kalojnë në një proces holistik të transformimit digjital. Për një model të ri zhvillimor nevojitet avancimi i instrumenteve ekzistuese të sistemit financiar, për të rritur kapitalin në treg, përmes krijimit të fondeve investive, të cilat mund të akumulojnë mjete nga qytetarët, bizneset, diaspora dhe institucionet financiare vendore e ndërkombëtare.

Po ashtu, të dyja organizatat e biznesit tona besojnë se pakoja për rimëkëmbje duhet të përfshijë me doemos edhe plotësim-ndryshimin e kornizës ligjore, respektivisht nxjerrjen e akteve të reja ligjore për implementimin e lehtësirave të mëtejme tatimore, përfshirë edhe pushimet tatimore për investimet e reja të brendshme ose të jashtme, me fokus në ndërmarrjet ndërkombëtare te cilat synojnë stabilizimin e zinxhirit të furnizimit dhe ruajtjen e aftësisë konkurruese, pas një largimi të mundshëm të tyre nga vendet aziatike.

Krejt në fund, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërisin zotimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë me institucionet legjislative dhe ekzekutive me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të mjedisit të të bërit biznes, që do të ishte nxitës për investimet e brendshme dhe të jashtme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 24 orët e fundit u shënuan 20 raste të…