OEK-u kërkon pezullimin e tregut të lirë të energjisë deri më 1 shkurt

28 korrik 2025 | 13:30

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një konferencë për media, ka shprehur shqetësimin e madh të komunitetit të biznesit për pasojat që po sjell kalimi në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Rafuna përmes një konference për medie i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që ta pezullojë zbatimin e këtij sistemi deri më 1 shkurt, duke theksuar se shumë biznese nuk kanë arritur të sigurojnë oferta të favorshme për furnizim me energji.

“Përkundër kërkesave të vazhdueshme, nuk kemi hasur në mirëkuptim. Pasojat tashmë kanë filluar të ndihen dhe do të jenë të rënda për prodhuesit dhe bizneset, të cilat nuk do të mund t’i përballojnë kostot në rritje”, tha Rafuna.

Ai ka theksuar se importi është rritur me 12 për qind dhe se rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e prodhimeve vendore, duke i bërë ato jokonkurrente në raport me produktet e importit.

Sipas Rafunës, eksporti tashmë ka filluar të bie dhe rrezikohet pozita e bizneseve në tregjet ndërkombëtare.

Ai shtoi se shumë kompani janë detyruar të lidhin kontrata për energji në kushte të pafavorshme për shkak të mungesës së ofertave. “Ky vendim i ZRRE-së nuk është në interes të bizneseve. Kërkojmë që institucionet të marrin përgjegjësinë e tyre, ndërsa ne do të ndjekim rrugën ligjore për të kërkuar pezullimin e këtij procesi. Bizneset duan të jenë pjesë e një tregu të lirë me konkurrencë të drejtë, por jo në rrethana të papërgatitura”, ka thënë Rafuna.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ambientet e Aleancës Kosovare të Bizneseve, kryetari Agim Shahini,…