OEK-u: Kostoja e lartë e energjisë, pengesa kryesore e të bërit biznes

05 mars 2018 | 13:39

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar të hënën raportin mbi klimën e të bërit biznes për tremujorin e katërt të vitit 2017.

Sipas këtij raporti, gjendja aktuale e biznesit paraqitet me trendin e rritjes. Po ashtu, në këtë raport janë përmendur edhe barrierat me të cilat ballafaqohen bizneset, ku përveç procedurave doganore, kosto e lartë e energjisë del të jetë pengesa kryesore e të bërit biznes.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se në tremujorin e fundit të vitit paraprak, gjendja e bizneseve paraqitet me trend të rritjes. “Gjendja aktuale e biznesit në Kosovë në këtë tre mujor paraqet një trend rritje. Megjithatë në tre mujorin e katërt të vitit 2017 bazuar në perspektivën e bizneseve manifestohet me një situatë të përgjithshme biznesore stabile të kënaqeshe. Klima e biznesit apo vlerësimi i situatës aktuale dhe pritjet për gjashtëmujorin e ardhshëm janë me trend dukshëm më pozitiv, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017”, ka thënë Grërxhaliu.

Sipas tij, sa i përket pritjeve për punësim për tre muajt e ardhshëm, tremujori i katërt tregon një rritje në pritje. “Të gjithë sektorët e vlerësuar të ekonomisë kanë pritje pozitive për punësim. Pritjet më të larta për rritje të numrit të punëtoreve vijnë nga sektori i prodhimit, pasuar nga tregtia me shumicë dhe ndërtimi”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se sektori i prodhimit premton më shumë.  “Një nga analizatorët kyç që analizohet në këto hulumtime është indikatori i konfidencës, i cili edhe në këtë tremujor ka shënuar një rritje prej 3.8 për qind dhe në këtë drejtim është një hap pozitiv”, është shprehur ai.

Ndërsa, Olivera Ceni nga OEK-u, ka prezantuar të dhënat e këtij raporti. “Treguesi i klimës së biznesit në Kosovë ka shënuar rritje në tremujorin e katërt të vitit 2017 rritja është për 15 për qind që është dukshëm më e mirë krahasuar me tremujorin e tretë. Sa i takon pritjeve për punësime, 46 për qind e kompanive kosovare presin që punësimi të rritet në tremujorin e parë të vitit 2018, rritja kryesisht pritet të ndodhë kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe të prodhimit, pasuar nga sektori i tregtisë me shumicë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në dimensionin rajonal komuna e Ferizajt, Mitrovicës dhe Prishtinës pritet të ofrojnë numrin më të madh të vendeve të punës. “Sa i takon pritshmërisë për 6-mujorin e ardhshëm, gjendja e biznesit pritjet duken të jenë më pozitive. Kemi një pritshmëri prej 66% të sektorëve të ekonomisë së Kosovës që presin që gjendja e biznesit të përmirësohet në gjysmën e parë të vitit 2018-të 29 për qind e kompanive presin që gjendja të mbetet e njëjtë, ndërsa vetëm 5 për qind e kompanive të anketuara presin një rënie të aktivitetit biznesor në këtë periudha”, është shprehur Ceni.

Po ashtu, ajo ka pohuar se bizneset e anketuara rreth barrierave të bërit biznes në Kosovë, kanë treguar se procedurat doganore, normat e larta të kredive dhe kostoja e lartë e energjisë, vazhdojnë të jenë pengesë për bizneset. “Mungesa e fuqisë blerëse, gjithashtu mungesa e mjeteve financiare pasuar edhe nga normat e larta të interesit dhe kamatave nga bankat, paraqitet të jetë ndër barrierat kryesore. Barrierat tjera që bizneset kosovare përmendin janë edhe procedurat doganore, gjithashtu pasuar edhe nga kostoja e lartë e energjisë elektrike, fuqia blerëse e bizneseve dhe ekonomia jo formale, të cilën vazhdimisht e prezantojnë si barrierë kryesore” , ka thënë Olivera Ceni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte (e hënë) nga ora 21:00 zhvillohet ndeshja e fundit…