OEK-u pjesë e simpoziumit ndërkombëtar për arbitrazhin dhe zgjidhjen alternative të kontesteve
Oda Ekonomike e Kosovës, nën udhëheqjen e dr. prof. Vjollca Visoka Hasani, kryetare e Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit të Kosovës, po merr pjesë në një simpozium të rëndësishëm ndërkombëtar të organizuar në kuadër të Programit për Zhvillimin e së Drejtës Komerciale – Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, për Programet e Zgjidhjes Alternative të Kontesteve – Global Resolution Symposium.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë ekspertë dhe profesionistë të njohur ndërkombëtarë në fushën e arbitrazhit dhe zgjidhjes alternative të kontesteve, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe avancim të praktikave profesionale.
Oda Ekonomike e Kosovës e ka vendosur reformimin e arbitrazhit si një nga objektivat strategjike, me synim krijimin e mekanizmave më efikasë për zgjidhjen e shpejtë të kontesteve afariste.
Ky reformim pritet të jetë në funksion të mbështetjes së bizneseve dhe palëve të tjera, duke mundësuar procedura më të shpejta dhe më efikase, si dhe duke kontribuar në lehtësimin e ngarkesës së sistemit gjyqësor përmes zgjidhjes së rasteve në arbitrazh.



