“Oj nanë, më rroku plumi”, rivarroset 9-vjeçari Sinan Dauti pas 27 vjetësh
Familja e Sinan Dautit nga Prekazi i Epërm ka marrë konfirmimin për fatin e tij pas 27 vjetësh pritjeje dhe kërkimesh.
Ai ishte vetëm 9 vjeç kur më 9 prill 1999 u plagos rëndë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Në kushte të luftës dhe nën breshëri armësh, gjyshja e tij e kishte dërguar fillimisht në spitalin e Mitrovicës, por prej atij momenti familja nuk kishte më asnjë informacion për të.
Familjarët kujtojnë se në atë kohë, edhe spitali i Skenderajt nuk kishte arritur t’i ofronte ndihmë të miturit, për shkak të gjendjes së rëndë.
Sipas rrëfimeve familjare, pas dërgimit në spitalin e Mitrovicës, mjekët më pas kishin njoftuar gjyshen se Sinani kishte ndërruar jetë, por trupi i tij nuk ishte dorëzuar.
Pas 27 vitesh kërkimesh të vazhdueshme, eshtrat e tij janë gjetur në varrezat e fshatit Suhodoll të Mitrovicës. Rivarrimi i Sinan Dautit është paraparë të bëhet të shtunën në fshatin e tij të lindjes, në Prekazin e Epërm.



