
OJQ “CICAT” dhuron pajisje mjekësore për Klinikën e Onkologjisë dhe Klinikën e Emergjencës
Organizata Joqeveritare “CICAT” ka dorëzuar sot një donacion të rëndësishëm me pajisje mjekësore për Klinikën e Onkologjisë dhe atë të Emergjencës.
Ky donacioni përfshin karroca për bartjen e barnave dhe dy aparatura për ngrohjen e gjakut, të cilat pritet të lehtësojnë punën e stafit mjekësor dhe të rrisin sigurinë gjatë trajtimit të pacientëve.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Instagram nga kjo organizatë.
“Sot, më 14.08.2025, u realizua me sukses një nga momentet më të veçanta për ne – dorëzimi i donacioneve që do të bëjnë diferencën në jetët e pacientëve. Për herë të parë, Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së janë pajisur me ‘blood ëarmer’, një aparaturë jetike për ngrohjen e gjakut dhe lëngjeve trupore.”, thuhet në njoftimin e tyre.
Po sipas njoftimit ky donacion u bë i mundur falë “zemrës së madhe dhe kontributit të çmuar të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët blenë pikturat e artistëve të talentuar, që me punën e tyre të palodhshme gjatë tri ditëve të rezidencës artistike, në kuadër të Festivalit “Shliroj Cicat” – Tetor 2024, krijuan vepra të jashtëzakonshme për këtë kauzë”.
Po ashtu në njoftim u bë e ditur se më 4 shkurt 2025, në shënim të Ditës Botërore të Kancerit, komuniteti shqiptar në Cyrih, përmes ankandit bamirësie, treguan zemërgjerësinë dhe përkushtimin e tyre, duke e mbështetur këtë iniciativë pa asnjë hezitim.
“Kjo është dëshmia se kur ndihmojmë njëri-tjetrin, arrijmë të krijojmë ndryshime të mëdha. Shihemi me donacionin e radhës. ”, është thënë në njoftim.