OKB-ja kërkon hetim të plotë për masakrën në Bucha
28 prill 2022
| 12:40
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka mbërritur në Ukrainë ku pritet të takohet me kryeministrin ukrainas, Zelensky. Fillimisht, ai është duke vizituar vendet përreth kryeqytetit të Ukrainës që ishin të pushtuara nga trupat ruse, sipas “BBC”.
Ndalesa e parë ishte Borodyanka, në veriperëndim të Kievit, ku dëmet nga sulmet ajrore dhe granatimet janë befasuese. Më pas, ai ka vizituar Bucha-n, ku ka folur për vrasjen e civilëve.
“Nevojitet një hetim i plotë për masakrën në Bucha. Unë mbështes plotësisht Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe i bëj thirrje federatës ruse që të pranojë të bashkëpunojë me këtë gjykatë. Por, kur flasim për krimet e luftës, nuk mund të harrojmë se krimi më i keq është vetë lufta”, ka thënë Guterres



