Pritet që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, gjatë orëve të ardhshme, do të votojë rreth draft-rezolutës së SHBA-së, e cila do të japë mandat ndërkombëtar për vendosjen e paqeruajtësve në Rripin e Gazës, formimin e forcës së re policore, si dhe krijimin e qeverisë tranzicionale, e cila do të merret me qeverisjen civile të territorit.

Vendosja e paqeruajtësve, tanimë të emëruar “Forcat Ndërkombëtare Stabilizuese” apo ISF , është njëra prej pjesëve kyçe në planin 20 pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili solli deri te armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit.

Sipas draft-rezolutës, ISF do të ketë përgjegjësinë e mbrojtjes së civilëve palestinezë, si dhe ndihmave humanitare dhe rrugëve në të cilat ato transportohen, përderisa, mes tjerash, njëra prej përgjegjësive të kësaj force do të jetë edhe mbikëqyrja e procesit të çarmatimit të Hamasit dhe grupeve tjera militante.

Por, përfaqësuesit e Hamasit, të cilët fillimisht pranuan planin e Trump-it, thanë se kjo draft-rezolutë është e rrezikshme dhe shtuan se nuk do të pranojnë kurrfarë prezence të huaj ushtarake në Rripin e Gazës. Ata, gjithashtu, thanë se, së bashku me fraksionet tjera palestineze, do të refuzojnë çfarëdo marrëveshje e cila kërkon çarmatimin e tyre duke thënë se një gjë e tillë e dëmton të drejtën e popullit palestinez për rezistencë.

Deri me tani, dhjetëra vende të ndryshme kanë thënë se janë të gatshme të dërgojnë paqeruajtës në Gaza, në çastin kur OKB jep mandat për një gjë të tillë.