Olaf Scholz zgjidhet kancelar i ri i Gjermanisë

08 dhjetor 11:34

Olaf Scholz është zgjedhur kancelari i nëntë i Republikës Federale të Gjermanisë nga Bundestagu me votat e SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së.

Kjo i jep fund epokës 16-vjeçare të kancelares Angela Merkel.

Kancelari i ri gjerman Olaf Scholz nga Partia Socialdemokrate, SPD u zgjodh në Bundestag nga shumica e deputetëve. Kryetarja e Bundestagut, Bärbel Bas (SPD), bëri të ditur se Scholz ka fituar 395 vota, ndërsa 303 deputetë ishin kundër. Pati edhe gjashtë abstenime. Tre vota ishin të pavlefshme.

Për t’u zgjedhur në këtë post atij i duheshin 369 vota. Për kancelarin e ri kanë votuar partitë SPD, të Gjelbrit dhe FDP, të cilët së bashku kanë 416 vota. Nga kjo shihet se ai nuk i ka marrë të gjitha votat e partive në koalicionin e ri në pushtet. Bundestagu gjerman ka aktualisht 736 deputetë.

Kancelari i nëntë

63-vjeçari Olaf Scholz është kancelari i katërt i SPD-së pas Willy Brandt, Helmut Schmidt dhe Gerhard Schröderit. CDU deri tani ka pasur katër kancelarë Konrad Adenauer, Ludwig Erhard, Kurt Georg Kiesinger dhe Helmut Kohl. Ndërsa sot mori fund epoka e kancelares Angela Merkel e cila në këtë post ishte 16 vite me radhë.

Kancelari i ri pas zgjedhjes dhe pranimit të detyrës, shkoi në Pallatin Bellevue ku u prit nga Presidenti Frank-Walter Steinmeier, i cili edhe zyrtarisht e emëroi në këtë post. Ai tani do të kthehet në Bundestag për të bërë betimin. Ndërsa pas betimit Scholz kthehet sërish në Pallatin Bellevue, ku në prani të Presidentit emëron dhe prezanton ministrat e ri në kabinetin qeveritar./DW/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori shqiptar nga Kosova, Arben Bajraktaraj foli për serialin “Besa”,…