Olluri: Kemi pasur vonesa në sigurimin e materialit esencial për kryerjen e ADN-së

27 korrik 2021 | 14:26

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri ka thënë se janë përballur me mungesë të materialeve esenciale për kryerjen e analizave të ADN-së, që sipas tij, ka ndodhur për shkak të procedurave të tejzgjatura të prokurimit.

Para deputetëve ai ka adresuar çështjen e prokurimit ku ka kërkuar përjashtim nga procedurat e rregullta.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që statusi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë të përjashtohet nga ligji për zyrtarët publikë.

Blerim Olluri ka pranuar që janë përballur me mungesë të materialeve esenciale për kryerjen e analizave të ADN-së, duke shtuar se kanë shkuar me kërkesa të përgjithshme në procedurat e prokurimit, çka sipas tij, ka vonuar sigurimin e tyre.

“Kemi pasur vonesa të dukshme në realizimin e materialit esencial për kryerjen e analizës së ADN-së dhe materialeve të tjera për kryerje të ekzaminimeve të tjera. Kjo vlerësojmë që nuk duhet me ndodh dhe ne nuk duhet të presim për material, duhet të sigurohet materiali, të kemi dhe të kryejmë, sepse në laboratorin e ADN-së janë diku për momentin mbi 100 kërkesa për kryerje të ekspertizave. Ajo të cilën ne kishim dashur  në të ardhmen të zgjidhim këtë problematikë është të adresohet çështja e prokurimit dhe ndoshta të zbatohet neni i cili e rregullon çështjen e përjashtimit prej procedurave të rregullta. Në mënyrë që ne të kemi kërkesa të përshpejtuara sepse janë të veçanta specifike, nuk janë kërkesa të përgjithshme”, ka thënë ai.

Si një prej sfidave kryesore me të cilën është ballafaquar Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Olluri ka thënë se është ndryshimi i statusit të personelit.

“Kërkesa jonë para këtij komisioni dhe para juve kryetar, ju lutem të adresoni këtë çështje në mënyrë që të mbrohet statusi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe të mbetët ashtu siç ka qenë por jo të ndryshohet me ligjin për zyrtar publik. Kërkojmë që të përjashtohet nga ligji për zyrtarë publik, ashtu siç janë përjashtuar Policia e Kosovës, sepse sikur të ishim në kuadër të policisë Kosovës nuk do të ndryshohej, ne e kemi situatën që 70 për qind të personelit i kalon gradat policore, i ka kaluar në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë”, ka thënë Olluri.

Ai ka thënë se tashmë kanë përfunduar projektin financiar nga Qeveria e Kosovës në vlerë 1.5 milion euro për ndërtimin e aneks objektit.

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka pasur kritika se procesi ishte tejzgjatur, duke përmendur këtu edhe çështjen e cila ka kaluar në gjykatë pasi agjencia kishte shkëputur kontratën me kompaninë punë kryese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtatëdhjetë (70) për qind e të rriturve në Bashkimin Evropian…