
Operacioni ‘Brezovica’, prokurori: Janë ngrirë 6 milionë euro
Bastisje dhe arrestime janë kryer sot në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe nëntë lokacione të tjera në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë.
Prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku, ka thënë se aksioni i filluar në Brezovicë do të vazhdojë.
Ai thotë se edhe pesë persona të tjerë në këtë rast nuk janë gjendur në shtëpi në momentin kur janë kërkuar nga policia.
“Më e rëndësishmja është se gjatë zhvillimit të hetimeve, nga të dhënat financiare që kemi siguruar nga bankat që posedojnë të pandehurit dhe familjarët e tyre kemi ngrirë rreth 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale”, tha Maloku.
Ai paralajmëroi se aksione të ngjashme si sot dhe ai më herët do të zhvillohen sërish.