Opinioniste në “Big Brother VIP”? Sara Gjordeni reagon pas thashethemeve
Ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, Sara Gjordeni, ka folur mbrëmjen e së martës në emisionin “Goca dhe Gra”, ku është ndalur te jeta e saj profesionale dhe ajo personale — por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishin zërat për një rikthim të mundshëm të saj në “Big Brother VIP”, këtë herë si opinioniste.
Moderatorja Rudina Dembacaj e pyeti drejtpërdrejt Sarën për lajmet që kanë qarkulluar në media, por ish-banorja vendosi të sqarojë gjithçka hapur:
“Unë vetë nuk kam shprehur dëshirë për të qenë në asnjë nga pozicionet e asnjë emisioni,” – tha Sara. – “Mua më bëhet qejfi nëse njerëzit më manifestojnë këtë gjë për mua apo më shohin në një pozicion të caktuar. Tregon një lloj vlerësimi.”
E pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt nga produksioni i “Big Brother VIP”, Sara u shpreh qartë:
“Jo, nuk më kanë kontaktuar për këtë pozicion,” – tha ajo, duke konfirmuar se për momentin bëhet fjalë vetëm për thashetheme portalesh.
Megjithatë, Sara nuk e fshehu se do ta pranonte me kënaqësi një ofertë të tillë, nëse do t’i bëhej:
“Por nëse do të më vinte një ftesë e tillë, patjetër që po, është super nder, pse jo,” – shtoi ajo me buzëqeshje, ndërsa Rudina ia ktheu: “Epo t’a urojmë!”
Nga “Big Brother” në ekranin televiziv
Pas daljes nga “BBV3”, Sara Gjordeni është shfaqur herë pas here nëpër programe televizive, duke komentuar aktualitetin dhe botën e showbiz-it.
Edhe pse ende pa një angazhim të përhershëm në media, ish-banorja duket se po ndërton gradualisht profilin e saj si figurë publike, duke fituar popullaritet dhe mbështetje të madhe nga ndjekësit në rrjete sociale.
Për momentin, produksioni i “Big Brother VIP” nuk ka konfirmuar ende asnjë nga opinionistët e sezonit të ri, por nëse thashethemet përfundojnë të jenë të vërteta, prania e Sarës do të sillte një frymë të re dhe energji ndryshe në panelin e komentuesve të spektaklit më të ndjekur në vend.



