Opozita fajëson LV-në për çështjen e presidentit, partia në pushtet shpreson në një marrëveshje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka paralajmëruar se do t’i ftojë në takime liderët e partive opozitare, në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasur kohë për të zhvilluar konsultime të brendshme lidhur me këto takime për shkak të një vizite në Paris të Francës. Por, ai ka njoftuar se ato do të ndodhin së shpejti. “Do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare që të shohim se cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve”, ka thënë Kurti.
I pyetur se a do të tërhiqen kandidaturat e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufcës dhe deputetes së LV-së, Fatmire Kollçakut, për pozitën e presidentit, Kurti ka thënë se “do të shihet se çka është e mundur ligjërisht”. Sipas tij, për të qenë i sigurt procesi i zgjedhjes së presidentit, nevojitet një mbështetje edhe më e gjerë në Kuvend. “Duhet të jemi rreth 85 të sigurt që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëj edhe ftesa dhe do të zhvilloj edhe takime”, ka thënë ai.
Kurti nuk ka dhënë hollësi se çfarë ofertash konkrete mund të paraqiten në këto takime, duke shtuar se kjo do të bëhet me dije vetëm pasi të zhvillohen ato. Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit është futur në një afat të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
LV-ja shpreson në një marrëveshje për presidentin
Lidhur me çështjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se sapo të krijohen kushtet do të vazhdohet seanca për presidentin, e nisur më 5 mars. “Siç u njoftova, kryeministri Kurti sot ka bërë të qartë se do të vazhdojë me ftesat për grupet parlamentare, prandaj uroj që këto diskutime e takime të çojnë deri te një zgjidhje për çështjen e presidentit. Është shumë më e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje”, ka thënë ajo në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
E pyetur se çfarë ndodh me 30 nënshkrimet për kandidatët për president nëse ndonjëri nga dy kandidatët largohet nga gara, Haxhiu ka thënë se nëse ka vullnet gjendet zgjidhja. “Në raport me situatën aktuale, çfarë është e rëndësishme është vullneti. Rruga për të arritur te zgjidhja sapo të ketë vullnet gjendet. Në këtë drejtim, as Kushtetuta, as ndonjë ligj, as Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh situata të ndalimit të tërheqjes ose të kandidatit ose të nënshkrimeve ose çfarë nëse shtohet edhe një. Ju e dini më së shumti katër kandidatë mund të jenë”, ka thënë ajo.
Kurse shefja e grupit parlamentar e LV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se shpreson që të arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së presidentit. “Për çështjen e presidentit Kurti ka bërë të ditur se do t’i vazhdojë diskutimet me krerët e partive opozitare, në këtë rast me të PDK-së dhe LDK-së. Ne presim që të ketë një marrëveshje dhe të arrijmë të zgjedhim presidentin, duke pasur parasysh që janë të panevojshme dhe të padrejta edhe një palë zgjedhje të reja”, ka thënë ajo për mediet.
Nagavci ka thënë se beson që shpejt do të organizohen takime për presidentin, por kur është pyetur për çështjen e mundësisë së tërheqjes së nënshkrimeve për dy kandidatët, ajo ka thënë se janë edhe 44 deputetë që nuk kanë dhënë nënshkrimet. “Nëse nevojitet një rrugë tjetër në raport me një konsensus që mund të arrihet në ndërkohë, është një temë që duhet të shqyrtohet pas propozimeve apo diskutimeve konkrete që mund të kemi në këtë temë”, ka thënë ajo.
Opozita fajëson LV-në për çështjen e presidentit
Partitë opozitare e kanë bërë fajtore LV-në në pushtet për moszgjedhjen e presidentit. Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e PDK-së, u ka thënë gazetarëve se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim nga Kurti. Ajo nuk ka pranuar të fliste “në mënyrë hipotetike” nëse PDK-ja do të shkojë në takim të Kurtit dhe nëse do të paraqesë ndonjë emër për president. “Ju e dini që Kosova është pa institucione të kosoliduara dhe pa president, jo për shkak të mungesës së ditëve dhe afateve kohore, por për shkak të mungesës së vullnetit politik nga Lëvizja Vetëvendosje. Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë. Do ta shohim edhe formën edhe përmbajtjen dhe pastaj do të reagojmë”, ka thënë ajo.
Kurse shefja e grupit parlamentar e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se partia e saj do të japë maksimumin që të arrihet një zgjidhje për presidentin. Por, ajo ka thënë se janë kundër që një parti të imponojë një emër nga partia e saj, duke shtuar se kështu do të “kapeshin” të gjitha institucionet kryesore të shtetit. “Është tepër e rëndësishme që në këtë fazë Kosovës t’i jepen institucione funksionale dhe të mos cenohet për asnjë çast funksionaliteti i shtetit. Ne do të japim kontributin tonë për aq sa është përgjegjësia jonë. Por, nuk duhet harruar që përgjegjësinë kryesore e bart partia më e madhe që ka numrin më të madh të deputetëve. Nëse vullneti i saj është të ketë një zgjidhje, do të kemi. Nëse jo, Kosova do të shkojë në zgjedhje”, është shprehur Lushaku-Sadriu
Edhe shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se është përgjegjësi e Kurtit që t’i japë shtetit një president. “Ne mendojmë që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti me 66 vota, atëherë edhe tash, t’i japë Kosovës presidentin”, ka thënë ai, duke shtuar se për t’u arritur 80 votat e nevojshme për presidentin duhet një marrëveshje politike.
Ai ka shprehur skepticizëm se paralajmërimet e Kurtit për takime për presidentin do të prodhojnë ndonjë rezultat. “Ju e shini vetë, kjo është një metodë pune, një procedurë standarde që ky formacion politik që e udhëheq Kosovën, t’i zvarrisë punët dhe në fund të vijë, të bëjë një proces kinse po diskutojmë për një president unifikues. Prapë do të ndodhë e njëjta, prapë do të shkojë avazi i njëjtë”, ka thënë Tahiri.
Më 25 mars Kushtetuesja ka vendosur se deputetët kanë edhe 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, përkatësisht deri më 28 prill. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.
Takime të tilla mes Kurtit dhe opozitës janë paralajmëruar edhe para seancës së 5 marsit, kur Kuvendi kishte dështuar ta zgjedhë presidentin për shkak të mungesës së kuorumit. Madje kryeministri kishte dërguar ftesa për takim edhe gjatë kohës kur çështja ishte në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, liderët e partive opozitare kishin refuzuar të takoheshin në atë fazë, duke theksuar se pëlqenin ta prisnin vendimin e Kushtetueses përpara se të hynin në bisedime politike.
Çështja ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese pasi presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Gjykata vlerësoi se ky dekret nuk ka prodhuar efekt juridik. Aktualisht Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë kërkohen 61 vota. Partitë opozitare kanë theksuar se përgjegjësia kryesore për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet, ndërsa kanë kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e situatës. Zgjedhja e presidentit duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila përmbyll mandatin e saj më 5 prill. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk ka gëzuar mbështetjen e partive. Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit. Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje brenda afatit të caktuar, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhjesh, vetëm pak kohë pas përfundimit të atyre të fundit.



